1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Akuza ndaj kapitenit pas aksidentit të kryqëzorit luksoz

Pas aksidentit të kryqëzorit "Costa Concordia" pranë brigjeve të Italisë, është arrestuar kapiteni. Ndaj tij ngrihen akuza për vrasje nga pakujdesia. Forcat e shpëtimit kanë nxjerrë nga anija dy të mbijetuar.

Costa Concordia

Costa Concordia

Kapiteni i arrestuar i kryqëzorit "Costa Concordia" akuzohet, të jetë fajtor për mbytjen e anijes në afërsi të brigjeve të Toskanës. Gjithashtu thuhet se ai është larguar nga anija përpara se të siguroheshin të gjithë pasagjerët.

"Tërësisht neglizhent"

Prokuroria deklaroi, se kapiteni është treguar "tërësisht neglizhent" duke iu afruar me kryqëzorin luksoz ishullit Giglio dhe duke u përplasur me një shkëmb, që i shkaktoi një të çarë anijes. Si rrjedhojë kryqëzori filloi të përmbytej dhe brenda "dy tre minutash" një sasi gjigante uji depërtoi përmes së çarës rreth 70 deri në 100 metra të gjatë.

Aksidenti ndodhi direkt pranë ishullit Giglio. Si pasojë e fatkeqësisë gjetën vdekjen dy turistë francezë dhe një anëtar peruan i ekipazhit. Shumë vetë pësuan lëndime. Shoqëria me seli në Gjenevë, Costa Crociere, së cilës i përkiste kryqëzori e cilësoi aksidentin si një tragjedi shokuese dhe u shprehu ngushëllimet të afërme të viktimave.

Të mbijetuar nga përmbysja e Costa Concordia-s

Të mbijetuar nga përmbysja e Costa Concordia-s

Më shumë se 24 orë pas havarisë ekipet e shpëtimit ia dolën që gjatë natës të nxjerrin nga anija dy të mbijetuar - një çift i ri nga Koreja e Jugut. Të dy 29 vjeçarët u gjetën në kabinën e kryqëzorit "Costa Concordia", njoftoi agjencia italiane e lajmeve ANSA. Ata ishin në gjendje të mirë, njoftoi drejtuesi i ekipit të emergjencës, Vincenzo Bennardo. Polumbarët janë duke vazhduar kërkimet për të mbijetuar të tjerë. Ndërkohë që kërkimi për rreth 40 vetë që konsiderohen të humbur po vështirësohet gjithnjë e më shumë, sepse anija rrezikon të zhytet plotësisht.

"Si në filmin Titaniku"

Në çastin e aksidentit rreth orës 21:45 të premten (13.01.2012) në mbrëmje në bordin e anijes ndodheshin gjithsej rreth 4200 vetë, pasagjerët dhe anëtarët e ekipazhit. "U dëgjua një tronditje në anije", e përshkruan situatën Peter Honvehlmann nga Gjermania. "Brenda një kohe të shkurtër anija u përmbyt, aq sa vazot ranë nga tavolinat dhe gjithçka ndodhej nëpër banakë, (...)të dukej si në filminTitaniku. (...)Anija gjithnjë e më shumë shtyhej drejt bregut." Puna për shpëtimin ishte mjaft kaotike, thotë më tej 38 vjeçari. Edhe pasagjerë të tjerë janë ankuar, se ekipazhi dukej që nuk ishte aspak i përgatitur për aksionin e shpëtimit.

Më shumë se 560 pasagjerë gjermanë të kryqëzorit "Costa Concordia" janë kthyer ndërkohë në Gjermani. Ata mbërritën të shtunën (14.01.2012) me avionët e Lufthansës në Munih dhe në Frankfurt mbi Main. "Ne respketuam sferën private të pasagjerëve duke iu përgjigjur kërkesës së tyre që të kalonin pa u vënë re në aerport. Ata dëshironin vetëm të shkonin në shtëpi", tha zëdhënësi i Werner Claasen. Sipas tij, si pasojë e fatkeqësisë rreth dhjetë pasagjerë gjermanë janë plagosur lehtë.

Aksidenti numër 2

Costa Concordia

Costa Concordia

"Costa Concordia" - një hotel lundrues me disa pishina, kinema dhe një diskotekë - lundronte nga Civitavecchia e Romë drejt Savonës. Si stacione të tjera të turit ishin planifikuar Marseja, Barcelona, Palma de Majorka, Kaljari dhe Palermo. Anija e ndërtuar në vitet 2004 - 2005 në vlerën 450 milionë euro menaxhohet prej filialit të koncernit të kryqëzorëve Carnival. Kjo sipërmarrje e SHBA-së konsiderohet si një ndër gjigantët e kësaj dege dhe ndër të tjera posedon edhe kryesuesen gjermane të tregut Aida. Kjo nuk është havaria e parë me "Costa Concordia". Në vitin 2008 anija u përplas me digën mbrojtëse gjatë futjes në portin e Palermos për shkak të një stuhie të fortë.

Autor: Christian Walz / V.Filaj-Ballvora (afp, dpa)

Redaktoi: A. Cama

DW.COM