1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Aktivist dhe vizionar - Momument për Martin Luther King në Uashington

Në Uashington u përurua të dielën (16.10.) një përmendore për fituesin e çmimit Nobel Martin Luther King, të vrarë në 1968-n. Është monumenti i parë për një afro-amerikan në bulevardin madhështor National Mall.

Presidenti Obama (qendër) para memorialit të Marthin Luther King në Uashington.

Presidenti Obama (qendër) para memorialit të Marthin Luther King në Uashington.

"Precious Lord" këndon first lady e soul-it amerikan Aretha Franklin para përmendores nëntë metra të lartë të Martin Luther King-ut në qendër të kryeqytetit amerikan.

Nay Taylor është i entuziazmuar. Ai ka udhëtuar me avion me të dy fëmijët e vet nga Milwaukee. Ka kursyer muaj me radhë, për të përjetuar këtë ditë historike, zbulimin zyrtar të përmendores së Martin Luther King-ut. "Tri orë fluturim, s'ka problem", thotë afro-amerikani Nay Tylor.

E para përmendore për një afro-amerikan në National Mall

Më në fund në bulevardin e nderit, National Mall, qëndron pranë monumenteve të mbajtësit të skllevërve Thomas Jefferson dhe të çliruesit të tyre Abraham Lincoln edhe përmendorja e amerikanit më të famshëm të zi Martin Luther King, thotë Nay. Ëndrra e tij e famshme për të drejta të barabarta për të gjithë amerikanët merr fuqi të re me përmendoren në afërsi direkte të Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë, shton. "Për ne ajo do të thotë gjithçka. Ajo është si pjesë e së kaluarës sonë, ashtu edhe e së ardhmes."

Vizioni i Martin Luther King-ut, që Amerika t'i kapërcejë kufijtë e saj racorë mbetet pjesë e së shkuarës dhe e së ardhmes sonë kolektive, thotë i riu afro-amerikan Nay Taylor, i cili mezi përballon jetesën e vet dhe të fëmijëve me punë rasti. Kriza ekonomike i prek zezakët e Amerikës veçanërisht rëndë. Gati një e treta e tyre jeton ndërkohë nën kufirin zyrtar të varfërisë. "Prej malit të dëshpërimit, një gur shprese! shkruhet mbi bllokun gjigant të granitit, prej të cilit Martin Luther King-u duket sikur po del si profet.

Përmendorja e Martin Luther King rikujton atë që Amerika ka arritur e bashkuar me luftë

"Ëndrrat e mëdha mund të bëhen realitet", thotë motra e Martin Luther King-it, Christine, para dhjetëra mijëra vetëve të mbledhur te përmendorja e të vëllait. Si dhe: Amerika është vendi për këtë.

Gati një gjysmë shekulli ka kaluar qëkurse Martin Luther King, vetëm disa hapa më larg, formuloi vizionin e një Amerike të bashkuar, e cila tejkalon kufijtë racorë. Sot, në ditën e përurimit të përmendores, ka shenja të vogla se ëndrra e King-ut është bërë realitet, thotë veprimtarja për të drejtat e njeriut Marie Jones, e cila e ka përjetuar Martin Luther King-un në 1963 gjatë fjalimit të tij të famshëm "Kam një ëndërr". "Pa shihni rrotull: Të gjitha ngjyrat e lëkurës, etnitë dhe gjuhët e Amerikës janë të përfaqësuara këtu pranë këmbëve të skulpturës së Martin Luther King-ut. Për mua kjo është një copëz qielli."

Aretha Franklin këndon në ceremoninë e përurimit të përmendores së Marthin Luther King.

Aretha Franklin këndon në ceremoninë e përurimit të përmendores së Marthin Luther King.

Pastaj në pultin e folësit del presidenti i parë i zi i Amerikës dhe thotë nën duartrokitjet e dhjetëra mijërave. "Tërmeti në Uashington dhe uragani Irene arritën të vononin zbulimin e përmendores së Martin Luther King-ut, por asgjë nuk mund ta ndalojë këtë ditë të kujtimit të tij. Përmendorja e këtij veprimtari zezak të të drejtave të njeriut të kujton atë që Amerika ka arritur e bashkuar me luftë."

Autor: Ralf Sina / Elert Ajazaj

Redaktoi: E. Xhani