1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Aktivistët e të drejtave të njeriut në Çeçeni punojnë nën frikë të vazhdueshme

Rreth një muaj pas vdekjes së aktivistes çeçene për të drejtat e njeriut Natalja Estemirova.në Grozni është rrëmbyer dhe vrarë një aktiviste tjetër. Sarema Sadulajeva u gjet e vdekur së bashku me burrin e saj.

Memoriali për gazetarët e vrarë në Çeçeni

Memoriali për gazetarët e vrarë në Çeçeni

Kadirovi na kërkoi që problemet t'ia përcjellim atij personalisht dhe ai do t'i zgjidhte ato

Ka dy vjet që Ramsan Kadirov është president në Çeçeni. I zgjedhur pothuajse njëzëri nga parlamenti i vendit - me propozimin e ish-presidentit rus Vladimir Putin. Dhe prej atëherë vazhdon edhe konflikti mes tij dhe organizatës për të drejtat e njeriut 'Memorial', thotë bashkëpuntorja e Memorial-it Ekaterina Sokirjanskaja:

"Para dy vitesh udhëheqja e Memorial-it u takua për herë të parë me Ramsan Kadyrovin. Atëherë ai na i pat treguar parimet e punës së një organizate joqeveritare nga këndvështrimi i tij. Ai nuk donte që informacionet nga Çeçenia të dalin jashtë vendit. Ne duhej që të gjitha problemet t'ia përcjellim Kadirovit personalisht dhe ai do t'i zgjidhte ato".

'Kadirovi i tha Estemirovës se ka vrarë gjithmonë vetëm njerëzit e këqinj dhe se do të vazhdojë t'i vrasë ata'

Gruaja 33 vjeçare ka punuar pesë vite në përfaqësinë çeçene të Memorial-it. Përpjekjet e saj për të njoftuar për të metat e autoriteteve çeçene zakonisht kanë shkuar huq. Kur Natasha Estemirova pati kritikuar kërkesën e Kadirovit, që të gjitha gratë të bartin shami koke në vendet publike u shkaktua skandali:

"Pastaj Ramsan Kadirovi e pati ftuar në takim Natashën. Ai ishte i hidhëruar. Ai i pat thënë asaj se ka vrarë gjithmonë vetëm njerëzit e këqinj dhe se do të vazhdojë t'i vrasë ata dhe se duart e tij janë të përlyera me gjak deri në bërryla. Ai e pat kërcënuar Natashën hapur. Për të mos e përkeqësuar gjendjen, ne nuk i patëm publikuar këto kërcënime. Ky ka qenë gabimi ynë, për të cilin ne kemi paguar një çmim të lartë. Atëherë na e patën bërë të qartë se Kadirovi e konsideron Natashën si armike personale dhe se çdo bisedë me Memorial-in i takon së kaluarës".

Udhëheqja e Memorialit e bën përgjegjës presidentin e vendit për vdekjen e Estemirovës

Pas vrasjes së Natasha Estemirovës, Memoriali i publikoi të gjitha informatat. Udhëheqja e organizatës e bën përgjegjës presidentin e vendit për vdekjen e bashkëpuntores së saj. Puna në katër zyrat e Memorial-it në Çeçeni është ndërprerë për një kohë të pacaktuar. Për organizatën punojnë gjithsej 27 vetë. I ngarkuari me të drejtat e njeriut i qeverisë çeçene, Nurdi Nuçazhiev e ka kritikuar vendimin e organizatës. Ai nuk e pranon se ekziston rreziku për punën e aktivistëve për të drejtat e njeriut. Megjithatë zhvillimet e muajve të fundit dëshmojnë diçka tjetër.

Vetëm gjatë këtij viti në Rusi janë vrarë disa aktivistë për të drejtat e njeriut. Sarema Sadulajeva dhe burri i saj ishin viktimat e fundit në këtë javë. Ata u gjetën të martën të vdekur në bagazhin e një makine në Çeçeni.

Autor: Olga Sosnicka/Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 13.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J8pk
  • Data 13.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J8pk