1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Akti i Arid Ukës rast tipik vetëradikalizimi

Roy: akti i Ukës nuk ka asgjë shqiptare, në radhët e radikalëve ka shumë pak shqiptarë. Nuk ka një profil specifik etnik të njerëzve që radikalizohen.

Kopertina e librit Lufta e gabuar nga Olivier Roy

Kopertina e librit "Lufta e gabuar" nga Olivier Roy

DW: Çfarë duket të ketë ndodhur me Arid Ukën, çfarë e shtyu atë të kryente një krim kaq të tmerrshëm?

Roy: E dini, është shumë klasike, shumë, shumë myslimanë të rinj të brezit të dytë janë radikalizuar në këtë mënyrë. Ai ka qenë i ndikuar prej kulturës perëndimore, jetonte në Gjermani, dhe u bë radikal duke lundruar në internet; duke kontaktuar një ambient salafist, duke parë video e kështu me radhë. Pra, është një rast tipik i vetë-radikalizimit nëpërmjet internetit i një të riu mysliman të brezit të dytë, i cili në fakt është shumë i shqetësuar prej problemeve dhe konflikteve të Lindjes së Afërme dhe të botës myslimane.

DW: Ai [Uka] është penduar dhe thotë se nuk do më që akti i tij të shihet si kontribut për Xhihadin. Çfarë të mendojmë për këtë?

Roy: Nuk e di, nuk e di… është diçka shumë personale. Fakti që ai shprehu pendesë mund të tregojë se sa sipërfaqësor është në fakt ky angazhim ndaj xhihadit. Bëhet fjalë më shumë për një kërcim të papritur në botën virtuale, që fatkeqësisht kthehet në atë reale për një kohë të shkurtër.

DW: A dalloni diçka specifike shqiptare në këtë rast apo ky krim mund të ishte kryer prej cilido individi të ndikuar prej propagandës xhihadiste?

Roy: Nuk ka asgjë shqiptare, e meqë bie fjala në radhët e radikalëve ka shumë pak shqiptarë. Për dijeninë time, ai është i pari që i është bashkuar xhihadit ndërkombëtar global. Pra, jo, mund të kemi çfarëdolloj njerëzish (të rinj, gjithnjë të rinj) në këtë kërcim të papritur në radikalizim. Ne kemi gjithashtu shumë të konvertuar në Francë, në Britaninë e Madhe, në Gjermani, në Belgjikë. Sepse nuk ka një profil specifik etnik të njerëzve që radikalizohen.

DW: Veçanërisht për shqiptarët lajmi për vrasjet në Aeroportin e Frankfurtit ka qenë tronditës, pasi ata ndiejnë mirënjohje para së gjithash kundrejt ushtarëve amerikanë për rolin e tyre gjatë Luftës së Kosovës. Sipas mendimit tuaj: Sa i madh është rreziku që një akt i tillë të përsëritet?

Roy: Është një akt individual e kësisoj ne mund të kemi ndonjë individ që diku, për disa arsye ndërmerr veprime individuale, personale. Pikërisht për faktin ngaqë është individuale ndodhin këto ‚lajthitje'. Siç thashë, kjo nuk është e lidhur me ndonjë sfond specifik etnik apo kombëtar madje as me ndonjë sfond fetar, pasi, e dini, kemi të konvertuar që i bashkohen terrorizmit global.

DW: Si mendoni, cili mund të jetë kontributi i familjeve në parandalimin e akteve të tilla?

Roy: E dini, zakonisht këta lloj të rinjsh radikalë i prishin marrëdhëniet me familjet. Ata e dinë që familja nuk e miraton këtë gjë. Prandaj, është e ngjashme me vetëvrasjen apo me largimin e papritur [nga familja] për të shkuar diku gjetkë në botë apo me njerëzit që marrin drogë. Është një akt i shkëputjes së marrëdhënieve me familjet, shoqërinë etj. Kësisoj familja nuk mund të ndërmarrë ndonjë veprim të veçantë. Zakonisht, ata nuk u thonë familjeve që po bëjnë një gjë të tillë.

Intervistoi: Elert Ajazaj

Redaktoi: E. Xhani