1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Akte dëshpërimi apo veprime të përgjegjshme?

Në Gjykatën e Memingenit filloi procesi ndaj Khaled el Masrit, ish i burgosur i CIA-s, i cili në maj i kishte i vënë zjarrin një mapoje në jug të Gjermanisë.

Kaled El Masri dhe avokati i tij Manfred Gnjidic

Kaled El Masri dhe avokati i tij Manfred Gnjidic

Kur u mor vesh se shërbimi sekret amerikan CIA kishte arrestuar fshehurazi persona të dyshuar për terrorizëm për t'i çuar nëpër kampe të burgosurish nëpër botë dhe për t'i marrë në pyetje, zemërimi në Gjermani ishte mjaft i madh. Një ndër personat që kishin pësuar një fat të tillë ishte Khaled el Masri, të cilin CIA e çoi fshehurazi në Afganistan ku u mbajt për gjashtë muaj në burg. Në maj të këtij viti El Masri u bë sërish objekt i kryeartikujve të gazetave gjermane, sepse i kishte vënë zjarrin një mapoje të madhe në Noi-Ulm. Sot në Gjykatën e Memingenit filloi procesi ndaj Khaled el Masri.
Shkaqet që e shtynë 44-vjeçarin Khaled el Masri, baba i gjashtë fëmijëve, të ndërmerrte një akt të tillë është çështja qëndrore e procesit në Memingen. Në lidhje me akuzën, Johan Kreuzpointner, kryeprokuror në Memingen sqaron: "Më 16. 5. 2007 i akuzuari parkoi autoveturën në hyrje të një mapoje në Noi-Ulm. Pasi theu dyert ai hyri në ndërtesë dhe dëmtoi mallrat me një sopatë. Më pas i spërkati raftet me benzinë dhe i vuri ndërtesës zjarrin. Dëmi shkon në rreth 300.000 euro."
Sipas dosjes së prokurorisë gjatë muajit janar dhe prill El Masri kishte dashur të reklamonte një mall në këtë dyqan dhe kishte pasur mosmarrëveshje me një nga shitëset, të cilën e kishte ofenduar me fjalë ordinere. Po ashtu gjatë muajit janar El Masri kishte sulmuar dhe rrahur rëndë edhe një nga instruktorët e autoshkollës ku po bënte patentën për shofer kamioni.
Avokati i El Masrit e mori atë në mbrojtje duke i quajtur këto veprime akte dëshpërimi që lidhen me torturat që kishte pësuar El Masri. Po ashtu, sipas tij El Masri ishte i pakënaqur me organet shtetërore, të cilat megjithë kërkesat e tij të vazhdueshme për t'iu nënshtruar një terapie, kishin refuzuar të merrnin përsipër shpenzimet.
Pas vënies së zjarrit në muajin maj El Masri u dërgua në një spital psiqiatrik. Sipas Brigitte Grenzstein, zëdhënëse e gjykatës Memingen: "Eksperti psikiatër mjeko-ligjor arriti në përfundimin se i akuzuari është i përgjegjshëm dhe për këtë shkak prokuroria lëshoi urdhër arresti dhe fillimin e hetimeve gjatë të cilave i akuzuari mbahen në burgun e Shtraubingut."
Masa e dënimit për rastet e vënies së zjarrit apo të plagosjes së rëndë trupore që parashikon kodi penal gjerman shkon deri në dhjetë vjet heqje lirie. Procesi ndaj El Masrit parashikohet të zgjasë katër ditë. Ndër të tjera trupit gjykues do t'i duhet të sqarojë edhe se deri në ç'masë mund të kenë ndikuar torturat dhe traumatizimi i El Masrit për kryerejn e veprave penale. Për këtë gjykata ka thirrur 14 dëshmitarë dhe një ekspert mjeko-ligjor për psikiatrinë.
  • Data 10.12.2007
  • Autor Richard Schlosser
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CZiT
  • Data 10.12.2007
  • Autor Richard Schlosser
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CZiT