1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Akt i ulët arrestimi i shqiptarëve në Luginë të Preshevës

Sipas qeverisë së Kosovës arrestimi i shqiptarëve nxit tensionet në prag të zgjedhjeve në Serbi dhe sipas saj, janë edhe një dëshmi se qeveria e Serbisë po vazhdon me qasjen e saj antievropiane.

Protesta në Bujanovc

Protesta në Bujanovc, nëntor 2011

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe disa nga partitë politike kosovare, e kanë dënuar ashpër arrestimin nga policia serbe të tetë qytetarëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Qeveria e Kosovës, me një reagim të shkruar që mban nënshkrimin e kryeministrit Hashim Thaçi, e cilëson akt të ulët arrestimin e shqiptarëve.

Akt të ulët arrestimi i tetë shqiptarëve

“Qeveria e Republikës së Kosovës, vlerëson se këto veprime të vazhdueshme të Qeverisë së Serbisë janë edhe një provokim i rëndë kundër paqes dhe stabilitetit në rajon. Qytetarët shqiptarë në rajonin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë qenë dhe vazhdojnë të mbesin të atakuar nga presionet e vazhdueshme të Beogradit zyrtar, përmes proceseve të montuara politike, që kanë për qëllim dëbimin e qytetarëve shqiptarë nga trojet e tyre dhe krijimin e pasigurisë së përgjithshme në ato territore të banuara me shqiptarë,” thuhet në reagimin e qeverisë se Kosovës.

Veprime tensionuese në prag të zgjedhjeve në Serbi

Sipas qeverisë së Kosovës, këto veprime janë tensionuese në prag të zgjedhjeve në Serbi dhe sipas saj, janë edhe një dëshmi se qeveria e Serbisë po vazhdon me qasjen e saj antievropiane, që është në dëm të krijimit të një rajoni të sigurt, të qetë, dhe mbi të gjitha në dëm të bashkëpunimit rajonal.

Arrestimi i tetë shqiptarëve të Luginës, në koincidencë me zgjedhjet Serbe

Akt të ulët arrestimin e tetë shqiptarëve të luginës se Preshëvës, e kanë cilësuar edhe dy parti opozitare në Kosovë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetvendosja, të cilat kanë kërkuar nga qeveria e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë që të veprojnë sa më shpejtë me të gjitha mjetet në parandalimin, siç thonë të përndjekjes së shqiptarëve në Luginë dhe për lirimin sa më të shpejtë të tetë të arrestuarve. Këto parti opozitare arrestimin e tetë shqiptarëve të Luginës, e shohin në koincidencë me zgjedhjet që do të mbahen në Serbi, me qëllim siç thonë të promovimit të ekstremizmit dhe frymës antishqiptare.

Nuk pritet eskalim i situatës në Kosovë në ditën e zgjedhjeve serbe

Sidoqoftë, në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë të cilat do të mbahen edhe në Kosovë, mekanizmat kosovare të sigurisë kanë ndërmarrë të gjitha masat Ndërkohë, mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë të sigurisë në Kosovë, thonë se kanë përgatitur planet e tyre operative për të mbajtur nën kontroll situatën e sigurisë më 6 maj. Sipas ministrit të punëve të brendshme Bajram Rexhepi:

“nuk pritet eskalim i situatës në ditën e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në veri të Kosovës. KFOR-i, misioni EULEX dhe Policia e Kosovës janë në veri për të kontrolluar dhe menaxhuar situatën e sigurisë”, thotë ministri Rexhepi.

EULEX mbështet OSBE-në, që të zabatojë detyrat e veta

Lehtësimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë do ta bëjë misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, që mundësoi pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në ato zgjedhje, meqë kjo u garantohet me parimin e dyshtetësisë. Sipas këtij misioni, 500 pjestarë të saj, do të jenë të angazhuar në 28 lokacione dhe 90 vendvotime në tërë Kosovën. Zyrtarë të misionit EULEX nga ana e tyre thonë se ata do të veprojë në përputhje me mandatin që kanë dhe do ta mbështesin OSBE-në, që të zbatojë detyrat e veta.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama