1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Akt ekuilibri i Portugalisë

Pa ndihma tranzicioni Portugalia do të shkëputet në maj nga ombrella e shpëtimit e euros. Aktualisht, Portugalia qëndron mbi këmbët e veta. Sa mund të mbajë vrulli ekonomik?

Tingëllon si lajm i mirë. Portugalia do të largohet brenda këtij muaji nga ombrella e shpëtimit e euros. Me këtë hap, ky vend i tejkaloi shpresat fillestare të donatorëve ndërkombëtarë.

Zhvillim pozitiv

Që prej majit 2011, Portugalia mori kredi në shumën 78 miliardë euro nga troika e Bashkimit Evropian, Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Nga ana e saj, qeverisë së Portugalisë iu desh të vinte në jetë masa të rrepta kursimi, të pakësonte borxhet shtetërore përmes shkurtimeve, të eleminonte pengesat e rritjes ekonomike dhe të pakësonte papunësinë.

Kjo duket se u arrit: në fund të katërmujorit të parë të 2014-ës, rendimenti ekonomik u rrit me 1,6 përqind, më fort se kudo në eurozonë. Edhe për periudhën në vazhdim këtë vit, shanset janë të mira: BQE llogarit 1,2 përqind rritje ekonomike. Eksportet janë rritur në masën 24 përqind, duke arritur kështu më shumë se 40 përqind të produktit të brendshëm bruto- 13 përqind më tepër se në vitin 2008. Edhe papunësia ra me dy përqind.

Kriza e borxheve thuajse u kapërcye

Portugalia është pas Irlandës dhe Spanjës vendi i tretë që largohet nga ombrella e shpëtimit. Në televizionin portugez, kryeministri Pedro Passos Coelho shpalli të dielën se qeveria e tij do të ndjekë të njëjtin model si më parë Irlanda: daljen nga ombrella mbrojtëse pa ndihma tranzitore dhe linjë kredish për situata emergjente. Portugalia ka aktualisht burime të mjaftueshme financiare për të kompensuar për një vit trazira financiare, tha Coelho.

Kriza evropiane e borxheve me këtë thuajse kapërcehet plotësisht, mendon Jörg Krämer, kryekonomist i Commerzbank-ës, meqenëse për vendet e krizës ndërkohë është bërë "relativisht e thjeshtë" që të gjejnë blerës për huatë e tyre shtetërore.

Në Portugali ka përparime edhe për rifitimin e aftësisë për konkurencë. Rrogat ekstreme të së kaluarës, Portugalia e anulloi, si më parë Spanja dhe Irlanda. Portugalia mund ta mbyllë së shpejti "konsolodimin e borxheve shtetërore", u shpreh shefja e FMN, Christine Lagarde. Edhe ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble dha vlerësimin e tij: "Portugalia arriti në mënyrë impresionuese që ta financojë sërish veten".

Mbetet të shihet megjithatë, nëse stabilizimi aktual do të jetë i qendrueshëm në plan afatgjatë. Kur u shkëput nga ombrella e shpëtimit, Irlanda kishte 20 miliardë euro në arkën shtetërore, kurse rezervat e Portugalisë janë shumë më të vogla. Kësaj i shtohen borxhet e larta të ekonomive private dhe të sipërmarrjeve.