1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Aksident ajror vdekjeprurës - Vdes presidenti i Polonisë Kaczynski

Presidenti polak Lech Kaczynski humbi sot jetën bashkë me shumë personalitete të tjera polake që gjendeshin në bordin e një avioni të rrëzuar në Smolensk të Rusisë.

Presidenti i Polonisë Kaczynski dhe gruaja e tij Maria humbën jetën në aksidentin ajror.

Presidenti i Polonisë Kaczynski dhe gruaja e tij Maria humbën jetën në aksidentin ajror.

Televizioni rus shfaqi ndërkohë pamje nga vendi i fatkeqësisë. Pjesë të avionit të aksidentuar ishin shpërndarë në një pjesë pylli. Sipas të dhënave të ndryshme, avioni i tipit Tupolev 154 kishte në bord midis 87 dhe 132 vetë. Nuk pati të mbijetuar. Kjo u konfirmua ndërkohë prej ministrisë ruse për mbrojtjen nga katastrofat. Në lidhje me arsyen e fatkeqsisë u shpreh guvernatori i Smolenskut Sergej Antufjev: "Gjatë uljes aeroplani nuk ia doli të arrinte pistën e uljes. Sipas të dhënave aktuale aeroplani preku pemë dhe ju dëmtuan krahët. Si pasojë ai u copëtua."

Pjesët e avionit të shkatërruar Tupolev 154 - pamje e televizioni polak.

Pjesët e avionit të shkatërruar Tupolev 154 - pamje e televizioni polak.

Në aksident humbën jetën ushtarakët më të lartë polakë

Sipas listës zyrtare të pasagjerëve, të publikuar prej qeverisë polake, në aksidentin e sotëm humbën jetën edhe shefi i shtabit të ushtrisë polake Franciszek Gagor, gjeneral-majori Bronislaw Kwiatowski, komandant i forcave operacionale, gjenerali Tadeusz Buk, komandant i forcave tokësore, Andrzej Blasik, komandant i forcave ajrore, Wojciech Potasinki, komandant i forcave speciale, dhe zëvendësadmirali i forcave detare Andrzej Karweta.

Delegacioni do të merrte pjesë në ceremoninë përkujtimore për vrasjen e ushtarëve polakë nga shërbimi i fshehtë sovjetik në Luftën e II-të Botërore.

Në lidhje me masat për nxjerrjen e viktimave një zëdhënëse e Ministrisë ruse për Mbrojtjen nga Katastrofat tha: "Aktualisht janë të angazhuar mbi 80 vetë si dhe 18 njësi teknike. Tre avionë qëndrojnë në gatishmëri në Moskë për të dërguar forca të tjera shpëtimi. Me urdhër të presidentit së shpejti në vendin e fatkeqësisë do të vijë ministri për Mbrojtjen nga Katastrofat, Shoigu. Informacionet aktualizohen vazhdimisht dhe ju përcillen medieve."

Ngrihet komision hetimor nën drejtimin e kryeminstrit Putin

Presidenti rus Medvedev caktoi menjëherë një komision hetimor, i cili qëndron nën drejtimin e kryeministrit Putin. Konstantin Kosaçov, kryetari i komisionit të Dumës ruse për çështjet e jashtme, shprehu ngushëllimet e tij. Ai tha se fatkeqësia është një katastrofë e madhe për popullin polak dhe atë rus. Rusia ndien në këtë orë me Poloninë, tha ai.

Polonia në zi pas rrëzimit të avionit - lule dhe qirinj para pallatit presidencial në Varshavë. 10.04.2010

Polonia në zi pas rrëzimit të avionit - lule dhe qirinj para pallatit presidencial në Varshavë. 10.04.2010

Merkel, Westerwelle dhe BE-ja të tronditur thellë

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ministri i Jashtëm Guido Westerwelle, u shprehën të tronditur thellë nga vdekja e presidentit polak Lech Kaczynski. Merkel deklaroi se ishte "e tronditur thellë". Westerwelle, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Afrikën e Jugut tha se "kjo është një orë tragjike" për popullin fqinj polak. Me Kaczynski-n dhe viktima të tjera "të tragjedisë së tmerrshme" edhe Evropa humbet personalitete mbi të cilat mund të mbështetej "kur ishte e nevojshme" Edhe për Gjermaninë ky është një moment "për të ndalur një çast". Gjermanët janë pranë polakëve në këto momente të vështira, tha Westerwelle. Ai shtoi se e kishte njohur vetë Kaczynski si një bashkëbisedues shumë të zgjuar dhe energjik. Për këtë arsye vdekja e tij më prek nga afër personalisht, tha ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle.

Bashkimi Evropian dërgoi një mesazh mbështetjeje për Poloninë për vdekjen e papritur të presidentit. "Dua t'ju përcjell mbështetjen tonë për popullin polak përballë kësaj tragjedie," tha Ministri i Jashtëm spanjoll Miguel Angel Moratinos, vendi i të cilit mban aktualisht kryesinë në Bashkimin Evropian. Ai tha se donte të përcillte "një sinjal solidariteti" në këtë kohë të rëndësishme për gjithë polakët dhe evropianët.

Pasoja për peisazhin politik në Poloni

Zëdhënësi i qeverisë polake Pawel Gras tha se pas vdekjes së Kaczynskit, president prej 2005-ës, vendi do të zhvillojë zgjedhje. "Në përputhje me kushtetutën do të na duhet të duhet të mbajmë zgjedhje të parakohshme presidenciale, tha Gras. "Tani, kryetari i dhomës së ulët të parlamentit, Bronislaw Komorowski, është automatikisht presidenti në detyrë." Polonia do të mbajë një javë zi për fatkeqësinë që ndodhi sot në Rusi.

Autor: dpa / Stephan Laack / Elert Ajazaj

Redaktoi: Eliana Xhani

DW.COM

  • Data 10.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Msau
  • Data 10.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Msau