1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akgyn: njohja e pavarësisë së Kosovës në mënyrë të njëanshme mund të krijojë më shumë probleme se sa t´i zgjidhë ato

13 Nëntor 2007

Lale Akgyn është e ngarkuar për çështjet e integrimit dhe zëdhënëse për politikën evropiane në grupin parlamentar të partisë socialdemokrate gjermane. Ajo ishte e ftuar për bisedë me gazetarët në DW.

https://p.dw.com/p/CB0J
Dr. Lale Akgün, deputete socialdemokrate në BundestagFotografi: SPD

Deutsche Welle: Lale Akgyn si bijë emigrantësh nga Turqia përbën një përjashtim: si grua dhe fëmijë emigrantësh ajo qysh prej pesë vjetësh është deputete në Bundestag. Për vite të tëra ajo ka punuar si psikologe dhe psikoterapiste. E pyetur, se përse hyri në politikë Agkyn përgjigjet:

Lale Akgyn: Unë jam qytetare e Këlnit, një qytet ky që ka mbi 20 pëërqind të popullsisë emigrantë, por nëse numërojmë këtu edhe ata që kanë prejardhje emingrantësh dhe pasaportë gjermane, atëherë kuota arrin në mbi 30 përqind. Kur drejtues të partisë socialdemokrate në Këln më pyetën, se a mund ta imagjinoj që të "eksperimentoj" duke kandiduar direkt në një zonë elektorale me biografinë time, unë e konsiderova këtë si një sfidë. Pranova duke menduar, se kush tjetër nëse jo unë duhet të tregojë se mund të arrish diçka.

Deutsche Welle: Në Gjermani jetojnë thuajse 15 milionë njerëz me prejardhje emigracioni, prej të cilëve fare pak angazhohen në politikë. Përse ndodh kjo dhe nëse është ky një problem i sistemit politik apo i vet njerëzve? Sipas deputetes Lale Agkyn të dyja palët kanë pjesën e vet të përgjegjësisë.

Lale Akgyn: Nga njëra anë ka shumë emigrantë, që ende nuk janë ambjentuar dhe nuk e ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre. Nëse do të angazhohesh në politikë për të mirën e përgjithshme dhe të bësh politikë kjo do të thotë, që të ndjehesh si në shtëpi, sepse duhet të punosh jo për vete, por për të gjithë. Sa i përket sistemit politik duhet të theksoj, se ende nuk është arritur të bëhet e qartë, që në dhjetë vitet e ardhshme në qytetet e mëdha do të kemi një kuotë 50 përqind të qytetarëve dhe qytetareve me prejardhje emigracioni. Ndaj është e rëndësishme, që edhe në politikë të kemi drejtues, të cilët mund të identifikohen me këta njerëz dhe me partinë e tyre.

Deutsche Welle: Integrimi është një ndër temat politike, për të cilën angazhohet deputetja socialdemokrate Lale Agkyn. Mbi problemin kryesor për krijimin e të ashtuquajturave shoqëri paralele dhe për mossuksesin e politikës së integrimit:

Lale Akgyn: Unë besoj, se problemi më i madh ka të bëjë me mentalitetin qoftë të shumicës në shoqëri qoftë edhe të emigrantëve, asnjëra palë nuk e pranon, që ne tashmë jemi një shoqëri e vetme. Kjo për mua është e rëndësishme. Pra shoqëria shumicë u thotë emigrantëve "integrohuni", ju jeni ndryshe, jeni të huaj apo të ardhur, dhe nga ana tjetër emigrantët thonë "ne jemi ndryshe", ose ne duam të ruajmë veçoritë e kulturës sonë, në vend që ta kenë të qartë , se ç´është e përbashkët, se përgjegjësinë duhet ta mbajmë së bashku. Kjo është më e rëndësishmja sipas meje. Përmes televizioneve turke, kroate apo italiane nuk krijohen shoqëritë paralele. Por është gabim që të vazhdojmë të përkufizojmë shoqëritë paralele sipas klisheve të tilla: dikush që lexon një gazetë turke menjëherë konsiderohet si ndryshe, si njeri që i përket një shoqërie paralele, dhe një tjetër që shihet duke lexuar gazetën "Times" krijon përshtypjen, se është intelektual. Të tilla përkufizime s´duhet të kenë vend në shoqëri. Shoqëritë paralele krijohen vetëm atëherë kur nuk ndërgjegjësohesh për përgjegjësinë e përbashkët. Këto shoqëri krijohen atëherë kur ke ndjenjën, se pala tjetër është ndryshe.

Deutsche Welle: Por si e vlerëson socialdemokratja Lale Agkyn situatën në Kosovë, në rast, se më 10 dhjetor ajo shpallet e pavarur në mënyrë të njëanshme?

Lale Akgyn: Eshtë shumë e vështirë. Unë e konsideroj situatën të vështirë dhe besoj, se njohja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës pa përfshirjen e aktorëve të tjerë në rajon, që për mua janë Serbia, por edhe Maqedonia, Bosnja e madje edhe Shqipëria, pra pa një koncept të përgjithshëm për ish-Jugosllavinë, mendoj, se njohja e njëanshme mund të çojë në më shumë probleme se sa mund t´i zgjidhë ato. Unë madje kam frikë, se mund të shkaktohen konflikte të mëtejshme të armatosura. Ndaj e theksoj edhe një herë skepticizmin tim dhe do të rekomandoja kujdes sa më të madh. Kosova nuk është një ishull në Ballkan, por Ballkani duhet parë dhe trajtuar si një i tërë, ndaj ne të gjithë që jemi jashtë, duhet ta kemi një gjë të qartë: së pari aktorët në Ballkan e njohin më shumë dhe më mirë njëri-tjetrin se sa ne që jemi jashtë. Ata i dinë më mirë dobësitë dhe forcën e tjetrit dhe së dyti, çdo ndërhyrje nga jashtë instrumentalizohet prej aktorëve në rajon. Ndaj e konsideroj si mjaft të rëndësishme, që në tryezë të jenë të gjithë aktorët rajonale dhe të mos vihen interesat e një grupi mbi ato të një grupi tjetër. Një gjë e tillë mund të kishte për ne shumë disavantazhe.

Deutsche Welle: Së fundi sa i përket politikës së zgjerimit të BE-së dhe qëndrimit ndaj vendeve kandidate për antarësim, deputetja Agkyn mendon, se ky do të jetë një proces i vështirë, ndryshe nga rasti i Bullgarisë dhe i Rumanisë:

Lale Akgyn: Besoj, se nëse BE-në e masim me kritere të caktuara, siç janë shteti ligjor, politika e brendëshme, drejtësia, etj. atëherë disa nga vendet e pranuara nuk i kishin arritur sa duhet këto standarde, por ky ishte një vendim me natyrë politike. Megjithatë mendoj, se ishte i drejtë vendimi që të pranoheshin këto vende. Për fat të keq gjatë viteve të ardhëshme nuk do të ketë më vendime të natyrës politike, por më shumë vendime mbi bazën e ndryshimeve strukturore në vendin kandidat. Unë do të preferoja, që BE-ja edhe për hir të bashkëjetesës paqësore të pranojë shpejtë edhe Kroacinë dhe vendet e tjera të Ballkanit dhe Turqinë e më pas ta mbyllë procesin e zgjerimit duke punuar më tej për konsolidimin dhe forcimin e vet. Por kam frikë, se tani BE-ja në pranimin e kandidatëve të ardhëshem do të kërkojë më shumë kohë duke iu referuar edhe kapacitetit të saj absorbues. Por kjo nga ana tjetër nuk mund të jetë një perspektivë e vërtetë për antarësimin e vendeve e Ballkanit, gjë që mund të krijojë edhe probleme. Pra unë dua t´i bëj thirrje BE-së që të marrë vendime politike dhe strukturore për ta vazhduar procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit duke u krijuar këtyre vendeve që perspektivë të shpejtë antarësimi.