1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ajo që ndodh në Birmani është genocid i sanksionuar shtetëror

11 Maj 2008

Gazetat gjermane të ditës për gjendjen në Birmani dhe për rritjen e çmimit të benzinës si dhe pakënaqësisë së qytetarëve

https://p.dw.com/p/Dxw8
Protestë në Kuala Lumpur kundër referendumit në Birmani
Protestë në Kuala Lumpur kundër referendumit në BirmaniFotografi: AP

"Sonntag - Express" e Kölnit shkruan për katastrofën në Birmani:
"Eshtë e pabesueshme! Miliona njerëz që shpëtuan nga cikloni në Birmani përpiqen tani të mbijetojnë, por junta ushtarake nuk ka punë tjetër për të bërë ndaj duhet të merret me referendumin për të forcuar pozitat e pushtetit të vet të dhunshëm. E gjitha kjo shoqërohet me sekuencat e reklamave të gëzueshme në televizionin shtetëror. Cinizmi nuk ka ku të vejë më. Regjimi në Birmani tregon edhe një herë pa zbukurime fytyrën e vet. Fati i njerëzve nuk i intereson shumë ushtarakëve. Ofertat e ndihmave nga jashtë injorohen ose bllokohen dhe njerëzit lihen në mëshirën e fatit. Ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar të tregohet më i ashpër. Ajo që ndodh në Birmani është genocid i sanksionuar shtetëror, është krim kundër njerëzimit. Ai që mbyll sytë para asaj që ndodh në Birmani e bën veten bashkëfajtor."

"Lübecker Nachrinten" për çmimin e benzinës: Edhe nëse qeveria ul atë ose këtë taksë, askush nuk beson se kjo do të ndikonte në uljen e qëndrueshme të cmimeve. Çmimet nuk rriten sepse rriten taksat, krejt e kundërta taksat rriten sepse varen nga çmimet. Dhe ato po rriten."

"Schleswig Holstein am Sonntag" që del në Flensburg shkruan mbi debatin për taksat : "Partia Socialdemokrate do të prezantojë në fund të majit konceptin e saj për të ardhmen. Ai do të thotë se konsolidimi i buxhetit, financimi i arsimit dhe shkencës si dhe ulja e shpenzimeve sociale kanë prioritet. Këto janë qëllime të ndershme dhe të drejta. Por a mund të lihet jashtë diskutimeve në vitin 2009, vit zgjedhjesh, tema e uljes së taksave? Me siguri që jo. Sepse qytetarëve u është bërë e qartë se shteti përfiton më shumë se ata prej hopit ekonomik. Vetëm në vitet 2006 dhe 2007 të ardhurat nga taksat u rritën me 20 përqind. Edhe prej rritjes drastike të çmimit të benzinës zyrat fiskale kënaqen. Kështu mblidhet indinjata e qytetarëve kundër shtetit. Presioni nga poshtë po rritet."