1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Air Serbia fluturon me krahët arabë

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vendosur të investojnë në Serbi. Ky vend ka blerë 49 për qind të aksioneve të shoqërisë së fluturimeve JAT. Ndërkohë që flitet edhe për kredi në vlerë prej disa miliardë dollarësh.

Sheiku Muhammad bin Zayid Al Nahyan ishte i disponuar shumë mirë kur veshi fanellën e ekipit serb të futbollit Crvena Zvezda. I gëzuar dukej edhe zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili Al Nahyanin me dëshirë e quan mik. Por sheiku dhe trashëgimtari i ardhshëm i fronit mbretëror në Emiratet e Bashkuara nuk ka ardhur në Serbi për shkak të një fanelle të Zvezdës. Shoqata e fluturimeve ajrore Etihad Airways, ka blerë në gusht 49 për qind të aksioneve të JAT Airways. Një fond shtetëror nga Abu Dhabi do të investojë në Serbi. Për arabët është interesant edhe sektori i bujqësisë. Deri në fund të vitit 2014, Serbia do të marr kredi nga Emiratet edhe 2-3 miliardë dollarë amerikanë.

Bizneset e përbashkëta

Investimet janë bërë vetëm për shkaqe ekonomike dhe jo gjeopolitike, mendon Verena Strobel nga Banka e Landit të Bavarisë. Emiratet po përpiqen që të gjejnë mundësi të tjera për investimin e kapitalit të tyre. "Emiratet po përpiqen që të gjejnë mundësi të tjera për investime, në mënyrë që të mos varen vetëm nga derivatet e naftës. Në Dubai për shembull, po investohet shumë në turizëm", thotë Strobel në bisedë me DW. Ajo shton se ka shumë rajone interesatne për investime, para së gjithash në Azi dhe në Ballkan.

Të ardhurat bruto për një njeri në Emirate janë rreth 65.000 dollarë në vit, dhjetë herë më shumë se në Serbi. "Serbia ka shanse të mira për rritje ekonomike, sepse në këtë vend ekonomika aktualisht është më e dobët se para disa dekadave", pohon Millan Kovaçeviq, ekspert serb për investime të huaja. Pritet që ekonomia serbe të shënojë vitin e ardhshëm një rritje prej 2,5 %. Por njëkohësisht po rritet edhe borxhi i shtetit. Vetëm këtë vit borxhi do të rritet për 4,7 %. Buxheti i shtetit është kaq i dobët saqë ministri i Financave javën e kaluar ka folur për mundësinë e falimentimit të shtetit. Masa e parë e kursimeve do të jetë shkurtimi i rrogave të 700.000 nëpunësve të shtetit për rreth 25 për qind. Ndërsa tatimet në vlerë do të rriten nga tetë në 10 për qind.

Dominique Strauss-Kahn duhet ta nxjerrë Serbinë nga mjerimi financiar

Dominique Strauss-Kahn duhet ta nxjerrë Serbinë nga mjerimi financiar

Kreditë nuk janë dhurata

Emiratet e Bashkuara pritet që të ndihmojnë për përmirësimin e financave të shtetit. Bëhet fjalë për kredi në vlerë prej 2-3 miliardë dollarë, deri në fund të vitit 2014. Zëvendëskryeministri Vuçiq thotë se kreditë e Emirateve janë gati si dhurata, për shkak të interesave të ulëta. Por Kovaçeviq mendon ndryshe: "Kredia nuk është dhuratë, sepse dhuratat nuk kthehen e kreditë po."

Kreditë shpesh kanë edhe një çmim të fshehur. "Me rastin e ndërtimi të urës në Beograd financuesit kinezë u kanë dhënë punë firmave të tyre. Kjo do të thotë se Serbia në fakt e ka importuar këtë urë", pohon Kovaçeviq. Vëzhguesit thonë se pas zemërgjërësisë arabe fshihet edhe interesi arab për industrinë e armëve, sektorin më të fuqishëm eksportues në Serbi. "Punët me armë sjellin përfitime të mëdha dhe dominohen nga fuqitë e mëdha botërore. Ndaj është shumë logjike që edhe Serbia kërkon këtu një vend për vete", thotë Kovaçeviq dhe shton: "Ne kemi kapacitete të rëndësishme për prodhimin e armëve të vogla dhe municionit."

Air Serbia fillon zyrtarisht fluturimet në 27 tetor.

Air Serbia fillon zyrtarisht fluturimet në 27 tetor.

Air Serbia fillon fluturimet

Emiratet kanë premtuar kredi të mëdha në vlerë prej miliardë dollarësh, por deri tani kanë investuar vetëm në shoqërinë e fluturimeve ajrore JAT, e cila prej vitesh është shndërruar në një prej humbësve më të mëdhenj në Serbi. Me partnerin arab do të krijohet shoqëria ajrore Air Serbia. "Ky investim ka qenë interesant për Etihad, sepse Air Serbia do të fluturojë në shumë drejtime, të cilat mund të mbulohen nga territori evropian", shpjegon eksperti Heinrich Großbongardt. "Këtu bëhet fjalë për fluturimet në Ballkan apo në drejtim në Evropës Lindore, të cilat për Lufthansën apo Air France nuk janë interesante."

Großbongardt thotë se Etihadi ka prej dy vitesh 29 % të aksioneve në Air Berlin dhe kjo është dëshmuar si punë e suksesshme. "Air Berlin ka pasur vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti rreth 450.000 mysafirë të përbashkët me Etihad", shpjegon Großbongardt i cili beson se edhe Air Serbia do të përfitojë nga punët me sipërmarrjen arabe.

Në fund ndoshta profiton edhe Crvena Zvezda, e cila sipas disa pohimeve, mund të financohet nga sheiku Al Nahyan. Kjo nuk do të ishte ndonjë befasi sepse gjysmëvëllai i tij Mansour Bin Zayed ka investuar qindra milionë dollarë në klubin anglez Manchester City.