1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

160610 Al Sawahiri Portrait

17 Qershor 2011

Egjiptiani Aiman al Zawahiri do të jetë udhëheqësi i ri i Al Kaidës. Rreth gjashtë javë pas vrasjes së Osama Bin Ladenit mjeku 59 vjeçar është emëruar pasues i tij.

https://p.dw.com/p/11d8R
Aiman al-Sawahiri dhe Bin Ladeni
Aiman al-Sawahiri dhe Bin LadeniFotografi: dapd

Zëri i Aiman al Zawahirit në video-mesazhet e tij të bëra të famshme në verën e vitit 2005. Fytyra e 59 vjeçarit e mbuluar nga mjekra, me një çallmë të bardhë në kokë dhe njollën në ballë kinse nga lutjet e shumta është kthyer viteve të fundit në simbol të Al Kaidës. Sipas një njoftimi në një portal të rëndësishëm të islamistëve në internet Al Zawahiri, është emëruar pasues zyrtar i Osama Bin Ladenit. Guido Steinberg është ekspert për çështje islame pranë Fondacionit për shkencë dhe politikë: "Aiman al Zawahiri ishte numri dy i padiskutueshëm i organizatës dhe nuk ishte e mundur që tani dikush tjetër të marrë përsipër rolin e drejtuesit të Al Kaidës."

Zawahiri ka lindur në vitin 1951 në lagjen Maadi të Kajros dhe rrjedh nga një familje e njohur egjiptiane. I ati i tij ka qenë mjek, i ungji imam në Universitetin e famshëm Al-Ahzar në kryeqytetin egjiptian. Aiman konsiderohej si shumë fetar që në moshën e hershme. Megjithatë ai ndoqi hapat e të atit dhe studioi mjekësinë në Kairo. Qysh në moshë të re ai iu bashkua Vllazërisë së ndaluar Myslimane. Pas përfundimit të studimeve ai punoi tre vjet si kirurg në ushtrinë egjiptiane, më vonë si mjek në një spital të Kairos.

Aiman al-Sawahiri
Aiman al-SawahiriFotografi: dapd

Pas vrasjes së presidentit Sadat në vitin 1981 Zawahiri u akuzua si bashkëpunëtor në vrasje. Ai qëndroi tre vjet në burg. Pas lirimit nga burgu ai udhëtoi për në Afganistan ku u njoh me Bin Ladenin dhe mori pjesë në luftën kundër trupave sovjetike. Pas përfundimit të lufës ai filloi sërish luftën kundër qeverisë egjiptiane. Atentati në Adis Abeba në vitin 1995 ndaj presidentit të atëhershëm Mubarak, ishte organizuar nga Zawahiri. Për këtë në vitin 1998 ai në mungesë dënohet me vdekje nga një gjykatë në Kairo. Qysh në moshë të re Zawahiri shihte terrorin si mjet për arritjen e qëllimit. Guido Steinberg:

"Kjo do të thotë se ai ka qenë i orientuar politikisht. Synimi i tij ka qenë instalimi i një shteti islamik para së gjithash në Egjipt. Shumë të rinjë në radhët e Al Kaidës nuk mendojnë kaq politikisht. Al Zawahiri ishte gjithomnë strategu brenda organizatës dhe qëndroi si i tillë për një kohë të gjatë në një rang me Osama Bin Ladenin."

Osama Bin Ladeni kishte themeluar në vitin 1988 rrjetin terrorist të Al Kaidës, të dy ai dhe Zawahiri nga mesi i viteve të 90-ta ndodheshin në Frontin Islamist Botëror, një aleancë e ekstremistëve fetarë. Bashkarisht ata kanë planifikuar sulmet ndaj ambasadave amerikane në Keni dhe Tanzani të kryera në vitin 1998. Triumfin më të madh të rrjetit terrorist Zawahiri e ndau në mënyrë demonstrative me Bin Ladenin. Në një videokasetë të publikuar menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit ata shfaqen bashkë në të njëjtin vend. Në vitet e fundit, Zawahiri është parë gjithnjë si dora e djathtë e Bin Ladenit dhe pas tij si njeriu më i rëndësishëm i Al Kaidës.

Aiman al-Sawahiri
Aiman al-SawahiriFotografi: dpa

Al Zawahiri ka denoncuar në mënyrë të përsëritur luftën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Irak dhe Afganistan dhe ka justifikuar sulmet terroriste në mbarë botën, si përgjigje ndaj misioneve amerikane në këto vende. Njëjtë si pas sulmeve me bomba në transportin publik në Londër në vitin 2005.

"Sulmet e bekuara në Londër bëjnë pjesë tek aksionet më të nderuara të Al Kaidës kundër arrogancës së kryqtarve britanikë dhe kundër agresionit të kryqtarve amerikan me të cilat po ballafaqohet kombi islam tash e mbi 100 vjet."

Autor: Daniel Scheschkewitz/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama