1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

PORTA GJERMANE

Ai që jeton me ndihma sociale: Uwe Mayer-i nga Shtutgarti

Uve Mayer ra shumë poshtë dhjetë vjet më parë. Ai jeton sot në një konvikt në afërsi të Shtutgartit. Ai jeton me ndihma sociale dhe fiton pak para shtesë duke shitur një gazetë në rrugë.

default

Uwe Mayer-i nga Shtutgarti

„Gazeta Trott-war …" Këtë thirrje Uve Mayer e përsërit qindra herë në ditë para kalimtarëve që nxitojnë në rrugë. Ai shpreson që ata të ndalin këmbët dhe t`i blejnë një gazetë. Kështu i fiton ai paratë.

„Unë çohem në mëngjes në orën 7:30 dhe dal në punë. Varet nga dita, por mesatarisht shes 15 gazeta në ditë. Këto më sjellin 30 euro, plus bakshishet. Nganjëherë e mbyll shitjen më herë. Në verë jam shumë në lëvizje. Kështu kaloj kohën."

Mayer kalon shumë kohë në ajër të pastër, sepse ajo që ai e quan apartament, nuk është më shumë se një dhomë në konviktin e të pastrehëve. Dhoma e tij është e rregullt dhe e pastër, por aq e vogël sa nuk mban dot as dy persona.

Uve Mayer ka ëndërra të mëdha. Ai dëshiron të bëjë hapin e madh dhe të kthehet në jetën normale: „Unë dua të kem një apartament dhe një punë. Çdo gjë tjetër pastaj rregullohet."

Ai ëndërron të ketë një apartament që të jetë 30 deri 45 metra katrorë. Ai e ka menduar shumë mirë si do ta mobilojë. Dhe ai dëshiron të punojë në një punë që të fitojë 7,50 deri 8 euro në orë."

Uve Mayer është një njeri me kontradikta. Ai vetë nuk nxiton kurrë, por edhe nuk duron dot kur të tjerët nuk janë të përpiktë. Kur shkon në supermarket e mendon mirë kur e harxhon centin, e megjithatë ka blerë dy celularë dhe ka qasje në internet.

„Nuk do të thotë ndonjë gjë, DSL kanë të gjithë. Edhe këtu në konvikt e kanë shumë njerëz që jetojnë me ndihma sociale. Dy celularë? Vërtet, një është i tepërt, por ai është i modës së vjetër. Kurse njëri është shumë i mirë për të shkruar sms."

Çështja është sa gjatë do e mbajë lidhjen në internet, sepse faturën e fundit nuk e ka paguar ende.

Por ky është një problem i vogël dhe nuk mund të krahasohet me problemet që ka patur para dhjetë vjetësh. Në atë kohë ai ra shumë poshtë. Ai ishte bërë alkoolik dhe u fut tre vjet e gjysëm në burg për vjedhje makinash, drogë dhe kundërshtim të dhunës shtetërore, sepse kërcënoi me thikë një polic.

„Dhjetë vjet më parë kam qenë shumë i rrezikshëm. Kush më dilte përpara, merrte një me vete. Me kalimin e kohës lodhesh, qetësohesh."

39 vjeçari nuk pi më alkool sot. Ai duket i qetë, i kënaqur dhe ka dëshirën e madhe të kthehet në jetën normale. Ai ka shpresa, në internet ka njohur një grua dhe shpejt do e takojë atë edhe në jetën e vërtetë. „Unë kam synime në jetë. E rëndësishme është puna dhe apartamenti, dhe gruaja nëse bëhet. Për këto duhet të angazhohem."

Ajo që bën aktualisht për këto ëndërra është i shkruan SMS shoqes që ka njohurnë internet ose komunikon me të në chat.„Ç' kemi e dashur, kompjuteri im nuk punon. Flasim nesër. Të puth."

Dhe nëse kjo dëshirë nuk realizohet, atëherë ai do i dedikohet krejtësisht dashurisë së tij të vjetër. „Futbolli është jeta ime. Në fundjavë nuk ekziston asgjë tjetër për mua përveç futbollit. Unë jam tifoz i BVB, klubit të Borusia Dortmund-it, megjithëse ata nuk luajnë mirë gjithnjë.“

Mayer luan edhe vetë futboll. Në një ndeshje të gazetës ai ka bërë tre gola. Që nga ajo kohë i ka vënë vetes së qëllim tjetër, të bëhet trajner futbolli. „Ka shumë njerëz që nuk duan të shkojnë përpara. Që e kanë mbyllur me dëshirat në jetë. Unë jo. Unë dua të përparoj, të hyj sërish në shoqëri, të bëj pjesë normalisht në të.“

Ndonjë nga ëndërrat mund të mos realizohet dhe të shuhet si flluskë sapuni, por Mayer ka vullnetin e fortë, të kthehet në jetë.

Autor: Sean Sinico

Redaktoi: Aida Cama

WWW Linke