1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Ai meriton respektin e gjithë gjermanëve

Shtypi gjerman në 90 vjetorin e lindjes së ish-kancelarit socialdemokrat Helmut Shmitit (Schmidt)

default

Ish-kancelari Helmut Schmit me gazetarin Rajnhold Bekman.

Gazeta "Neue Ruhr/Neue Rhein-Zeitung" shkruan për Helmut Shmitin:

"Ndryshe nga sa ndodh në demokracinë e sotme të medieve qeverisja për të nuk ka qenë inskenim, spektakël apo eveniment, por përmbushje e detyrimit. Helmut Shmiti e ka përmbushur këtë detyrim me maturi, me dinjitet dhe me stil, gjë që është bërë e rrallë sot në Gjermani dhe kjo është arsyeja përse atë e admirojnë kaq shumë. 26 vjet kanë kaluar qëkurse ai ishte "nëpunësi drejtues i republikës", ndërsa sot ndonëse jo më në detyrë ai është vazhdimisht një këshilltar mjaft i kërkuar. Ndryshe nga ç´ndodh me shumë politikanë, që sot janë aktivë, fjala e Shmitit dëgjohet. Madje edhe të rinjtë, që zakonisht distancohen prej politikanëve, binden prej Helmut Shmitit. Këtë e konfirmon edhe një anketim i fundit, në të cilin ai cilësohet si "tipi më gjakftohtë" në Gjermani, një vlerësim i veçantë ky për të. Sot nevojitet urgjentisht në Partinë Socialdmeokrate, por më shumë në kancelari, një burrë shteti dhe një udhëheqës si Helmut Shmiti."


"Allgemeine Zeitung" nënvizon: "Shmiti nuk ishte i dashur si Vili Branti (Willy Brandt). Por ai ishte njeriu optimal në postin e duhur, në kohën e largimit të Brandit. Një fat për vendin, por edhe për atë vet, njeriun ambicioz. Shmiti, ndoshta me të drejtë, mund ta ndiejë si padrejtësi që, të paktën deri tani, prestigjin si paraprijës dhe realizues të bashkimit të Gjermanisë e gëzojnë paraadhësi i tij Brand dhe pasardhësi i tij Helmut Kol (Kohl). E vërtetë është, që Shmiti ka kontribuuar në mënyrë të padiskutueshme në formësimin e Gjermanisë dhe të Evropës, e në radhë të parë përmes politikës së tij ekonomike dhe largpamësisë së tij në çështjet gjeostrategjike."


"Offenburger Tageblatt" komenton: "Helmut Shmiti është një legjendë e gjallë. Si kancelar socialdemokrat ai ishte kryesisht në partinë e vet një njeri i veprave e kësisoj i padëshirueshëm. Si pensionist pikërisht ai po ngjitet tani në pozicionin e kancelarit të vjetër si më i madhi i të gjitha kohërave. Në kujtesën e gjermanëve ai mbetet si njeriu që u bëri ballë vërshimeve në Hamburg në vitin 1962. Ai ishte si shkëmb graniti në periudhën e valës së terrorit të Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe, që donte të përfshinte gjithë Gjermaninë. Për këtë ai meriton respektin absolut dhe gëzimin e të gjithë gjermanëve në jubileun e 90 vjetorit të lindjes. Urime të përzemërta Helmut Shmit!"

  • Data 24.12.2008
  • Autor VFB / Aj
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GLrc
  • Data 24.12.2008
  • Autor VFB / Aj
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GLrc