1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ahmadinexhadi përgjigjet - Nisma e Obamës has në reagime pozitive

Udhëtimi i Mitchell-it, oferta për bisedime e Obamës për Iranin, po ashtu i rëndësishëm, megjithëse i lidhur me kushte, reagimi pozitiv i Ahmadinexhadit: Të gjitha këto janë shenja shprese për Lindjen e Afërme

default

Tonet e reja nga Uashingtoni duket se po hasin reagimet e para pozitive, megjithëse pjesërisht ende të përmbajtura, në Lindjen e Afërme dhe të Mesme. Para së gjithash në Iran. Presidenti Mahmud Ahmadinexhad, reagoi menjëherë ndaj riparalajmërimit të presidentit amerikan Barack Obama, se është i gatshëm për të filluar bisedime të drejtpërdrejta me Teheranin. "E përshëndesim vullnetin për ndryshim," tha Ahmadinexhadi, "por më parë duam të shohim nëse këtu është fjala për politikë të vërtetë apo vetëm për taktikë". Me këtë presidenti iranian hapi nga ana e tij derën për një dialog iraniano-amerikan. Së paku një pëllëmbë.


Edhe edhe vetë ndjekësve iranianë të vijës së ashpër po u mbushet mendja se tani 30 vjet pas Revolucionit Islamik, dialogu është më i mirë se ballafaqimi. Atyre po iu mbushet mendja të paktën se diplomacia është më e mirë se politika e praktikuar shpesh e demonizimit dhe fajësimit të ndërsjellë. Do të kishte qenë tejet e trashë t'i jepeshin udhët Obamës, por shumë vetë e prisnin këtë nga Ahmadinexhadi, gogoli i parapëlqyer i Perëndimit. Në të njëjtën kohë, nuk të habit fakti që presidenti iranian vë kushte për dialogun me Uashington. Sipas tij, SHBA-ja duhet t`i kërkojë falje Iranit për "krimet e së kaluarës", duhet të tërheqë trupat në mbarë botën, duhet të ndalojë së futuri hundët kudo, dhe së fundi t'i japë fund mbështetjes për Izraelin.

Ekspertë seriozë amerikanë për çështjet e Iranit bëjnë thirrje prej kohësh, që Uashingtoni të kërkojë falje për puçin e organizuar nga CIA në vitin 1953, madje edhe për mbështetjen e dhënë Sadam Hyseinit në fillim të luftës së parë të Gjirit Persik. Sipas tyre, vetëm një gjest i tillë mund të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella. Për sa i takon tërheqjes nga Iraku, Obama nuk ka nevojë për thirrjen e Ahmadinexhadit. Dhe me siguri as në Afganistan, ai nuk do të ketë ndër mend të qëndrojë më gjatë se ç'duhet, cilido qoftë kuptimi konkret i kësaj tërheqjeje. Megjithatë, në rastin e Izraelit kërkesa e presidentit iranian me siguri nuk do të gjejë njeri të interesuar në "Uashingtonin e ri". Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Izraelit, pa dyshim që nuk do të bëhen kurban për afrimin e Uashingtonit me Teheranin.


Por edhe në këtë fushë mund të ravijëzohet një ndryshim i ngadaltë: Udhëtimi i parë i të ngarkuarit të ri për Lindjen e Afërme George Mitchell, përshëndetet të paktën nga bota arabe. Sepse ai tregon, që presidenti i ri amerikan do të kujdeset vërtet për zgjidhjen e problemeve tejet të rëndësishme. Kështu misioni i Mitchell-it nuk u përshëndet si hap pozitiv vetëm prej egjiptianëve, por edhe prej zëdhënësve të "Hamas-it". Vetëm se zëdhënësit e Hamasit, shprehën keqardhje që Uashingtoni vazhdon të mos jetë i gatshëm për të folur me ta.


Nga ana tjetër në Izrael, me gjithë fjalët miqësore nuk mund të mos vihet re se "kohët e arta" të mbështetjes pa kushte prej Uashingtonit nën George W. Bushin, i përkasin së kaluarës.

E drejtë: Nga këto fillime nuk mund të derivohet rregullim i tërësishëm. Por, dhe kjo është vërtet e çuditshmja në këtë mes, se mund të merrej shembull nga reagimi i Ahmadinaxhadit, me përjashtim të qëndrimit të tij armiqësor kundrejt Izraelit. Ja që nganjëherë vjen koha për të kaluar zemërimin, hidhërimin dhe ëndrrat e së kaluarës dhe për të arritur një të ardhme më të mirë, pa qenë nevoja për vetëmohim. Natyrisht, që secili mund të hyjë me përfytyrimet dhe me kërkesat e veta në dialog. Por, këto nuk lejohet të jenë kushte të pakapërcyeshme dhe të synojnë shkatërrimin ose poshtërimin total të palës tjetër.


Hamasi dhe Izraeli mund të nxjerrin mësime prej kësaj, natyrisht edhe SHBA-ja dhe Irani. Sidoqoftë, midis Uashingtonit dhe Teheranit, duket sikur topi është rikthyer me zotësi në fushën e amerikanëve.

  • Data 29.01.2009
  • Autor Peter Philipp
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gj5I
  • Data 29.01.2009
  • Autor Peter Philipp
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gj5I