1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

180211 Iran Proteste

18 Shkurt 2011

Nën moton "Sulmi ndaj regjimit nuk tolerohet", presidenti iranian Mahmud Ahmadinedschad u ka bërë thirrje përkrahësve të tij për pjesëmarrje në një demonstratë të madhe kundër opozitës të premten (18.2.).

https://p.dw.com/p/10JRD
Protestat në Iran trembin regjimin e Ahmadinexhadit.Fotografi: Kaleme

Katër ditë, pasi në mbarë Iranin dhjetëra mijëra kundërshtarë të qeverisë dolën në rrugë, megjithë ndalimin e demonstratave, qeveria ka bërë thirrje sot (18.2) për demonstrata antiopozitare. Konkretisht ato drejtohen kundër krerëve të udhëheqjes së ashtuquajtur të gjelbër, Mir Hossein Mussavi dhe Mehdi Karubi, të cilët ndodhen prej ditësh në arrest shtëpie.

„Këshilli suprem për propagandën islamike i bën thirrje popullit përmes një komunikate, që pas lutjes të së premtes të marrë pjesë në një protestë mbarëkombëtare për të shprehur zemërimin dhe urrejtjen kundër krerëve të komplotit", - ishte thirrja drejtuar nga qeveria.

Regjimi trembet nga protestat e opozitës

Fakti që të hënën në shumë qytete të vendit protestuan mijëra iranianë, duket se i ka frikësuar sundimtarët në Teheran. Ndryshe nuk mund të shpjegohen këto reagime të ashpra. Megjithatë të martën (15.2.) 220 nga 290 deputetë të parlamentit nënshkruan një dokument, i cili i quan Musavin dhe Karubin përgjegjës për trazirat dhe në të cilin deklarohet, citat: „Ne besojmë, se populli e ka humbur besimin dhe kërkon dënimim me vdekje."

Në se vendimi i këtyre parlamentarëve përfaqëson me të vertetë mendimin e shumicës së qytetarëve, mbetet e hapur.

Sadegh Amoli Laridjani Laridschani, Larijani Chef der Justiz Judikative der Islamischen Republik Iran
Shefi i lartë i drejtësisë në Iran vendit, Ajatollah Sadeq Larixhani.Fotografi: ISNA

Drejtësia në Iran do të hetojë rrethanat e protestës

Të enjten (17.2.) shefi i lartë i drejtësisë së vendit, Ayatollah Sadeq Larijani, hodhi poshtë sugjerimin e deputetëve dhe bëri të ditur, se së pari duhet krijuar një komision për shqyrtimin e rrethanave të sakta të protestës.

Tani, paralajmëroi ai, na duhet durim dhe mençuri, që janë të nevojshme për një hetim të drejtë. Ndonjë kokënxehti në televizion i është dukur shumë i moderuar ky ton, prandaj u deklarua:

„Shefi drejtësisë theksoi ndjekjen penale të komplotistëve dhe vuri në dukje se tradhëtia e tyre është e njohur për të gjithë. Ai shtoi se këta renegatë duhet të jenë të vetëdijshëm, se asnjë sulm kundër sistemit politik nuk do të tolerohet. Ayatollah Sadegh Larijani tha se kombi iranian e di shumë mirë, se përse sionistët, amerikanët dhe anglezët mbështesin këta renegatë."

Edhe në qoftë se protestat antiopozitare të së premtes kanë pjesëmarrje të madhe, një gjë është e qartë dhe këtë udhëheqja iraniane e di mirë. Një proces, apo edhe ekzekutimi i të dy udhëheqësve të opozitës mund të ishte në fund të fundit kontraproduktiv për regjimin. Sepse në këtë mënyrë në sytë e opozitës ata bëhen martirë, gjë që zgjon emocione të forta dhe do të rrisë presionin e brendshëm politik, i cili gjthsesi është i madh në Iran.

Autor: Ulrich Pick / Angjelina Verbica

Redaktoi: Eliana Xhani