1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Agjenda e Merkelit në Uashington dhe Shtëpia e Bardhë

I vetmi, vend ku kancelarja Merkel do të flasë publikisht gjatë vizitës në Uashington është Dhoma e Tregtisë, që konsiderohet si jo miqësore ndaj Obamas në mjedisin e presidentit, vërehet në shtypin gjerman.

Marrëdhëniet mes Angela Merkelit dhe Barak Obamës janë vështirësuar edhe nga afera e NSA. Kancelarja shkon tani me 1 maj në Uashington dhe axhenda e saj atje i duket Shtëpisë së Bardhë e denjë për diskutim, shkruan gazeta "die Welt".

Në Shtëpinë e Bardhë, sipas informacioneve të gazetës, ka pakënaqësi në lidhje me paraqitjen e vetme në publik të kancelares gjatë qëndrimit të saj në kryeqytetin e SHBA-së. Të premten Merkel do të flasë para Dhomës së Tregtisë.

Chamber of Commerce, Dhoma e Tregtisë e SHBA, perceptohet në Shtëpinë e Bardhë si armike e betuar e presidentit Barack Obama. Obama do ta presë Merkelin më parë në Zyrën Ovale për një bisedë dhe më vonë për një drekë të përbashkët.

Merkeli mbërrin të enjten në Uashington dhe do të takojë edhe Christine Lagarde, shefen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe senatorë të ndryshëm. Por ftesat, për të folur thuajse gati në të gjitha institutet e shquara studimore të Uashingtonit, duke përfshirë edhe Institucionin e pavarur Brookings dhe Qendrën për Progresin Amerikan, të afërt me demokratët, zyra e kancelares i ka injoruar, njofton Welt.

Në fokus marrëveshja e tregtisë së lirë

Edhe fokusimi i dukshëm i kancelares tek marrëveshja transatlantike e tregtisë së lirë, dhe në këtë mënyrë te politika e tregtisë së jashtme, e iriton administratën e Obamës. Në fakt ky projekt mbështetet qartë nga presidenti. Por në kohën e krizave ndërkombëtare, si Siria dhe veçanërisht Ukraina, do të kishin pritur, për shembull në Pentagon, pa dyshim thekse të tjera nga kancelarja gjermane.

Nga ana tjetër nuk ka asnjë dyshim, se Ukraina dhe qëndrimi ndaj Rusisë do të zenë vend qendror në bisedimet midis Merkelit dhe Obamës. Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë i tha agjencisë së lajmeve, dpa se Obama dhe Merkeli "do të vazhdojnë koordinimin e tyre të ngushtë për sanksionet, që do t'i kushtojnë Rusisë për shkeljen e vazhdueshme të sovranitetit dhe integritetit ukrainas". Masat janë një përgjigje ndaj faktit, se Rusia nuk respekton detyrimet, për të cilat u ra dakord në marrëveshjen e Gjenevës.

Që Ukraina do të zërë vend qendror në bisedime, këtë e konfirmoi edhe zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefen Seibert në Berlin. Por diskutimet e politikës së jashtme vetëm me dyer të mbyllura nuk i përgjigjen imazhit, që ka krijuar koalicioni i madh.

Gazeta Welt citon Michael Werz, njërin nga drejtuesit kryesorë të Qendrës për Progresin Amerikan. Ai edhe pse siguron se "askush nuk dëshiron të përzihet në planet e kancelares", çuditet për preferencën e Merkelit për Dhomën e Tregtisë, "e cila lufton pothuajse të gjitha projektet e administratës së Obamës me fushata milionëshe, duke filluar nga reforma për kujdesin shëndetësor, deri në masat për mbrojtjen e klimës, dhe në respektimin e pagës së barabartë për gratë, pikërisht atje ajo do të flasë dhe kjo është irrituese."

Dhoma e Tregtisë është një institucion i nderuar dhe i rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara. Në disa pika Dhoma e Tregtisë të themi "armiqësore ndaj Obamës" ka mbajtur anën e presidentit, si për shembull në vitin 2009 për masat financiare prej 787 miliardë dollarësh për gjallërimin e ekonominë amerikane, të njohur si "stimulus package", që u kundërshtua nga republikanët. Për sa i përket reformës në politikën e emigracionit shefi i Dhomës së Tregtisë, Tom Donohue, dhe Obama nuk janë shumë larg njëri-tjetrit.

Qëndrim jo i sinqertë amerikan në aferën e përgjimit të NSA?

Në Uashington e kanë kuptuar se kancelarja nuk flet me qejf me Obamën. Shërbimi i fshehtë NSA ka përgjuar ... edhe telefonin e saj për vite me radhë.

Që Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë të heqin dorë zyrtarisht ndonjë veprim i ardhshëm spiunazhi kundër Gjermanisë, Merkeli mund ta pranojë heshturazi, sepse kjo mund të krijonte një rast precedent për çdo aleat tjetër të SHBA-së, disa prej të cilëve një ditë mund të ndryshonin preferencat.

Por kancelarja, telefonat e së cilës janë deklaruar ndërkohë të shenjtë nga Obama, kishte shpresuar të paktën të njihej me dosjen e saj personale në NSA. Një gjest i tillë simbolik i Obamës u refuzua në prag të vizitës së saj.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Seibert tha se në aferën e NSA-së qeveria gjermane nuk pret "rezultate konkrete" . Merkeli vetë u shpreh menjëherë pas ftesës së Obamës në janar, se problemi nuk mund të zgjidhet me një udhëtim të vetëm në Uashington.

Ndërsa në Uashington argumentohet se më e rëndësishme se mosmarrëveshjet personale ndërmjet dy politikanëve duhet të jenë marrëdhëniet bilaterale dhe sinjali i qartë, se Berlini në të ardhmen me të vërtetë do të marrë më shumë përgjegjësi në politikën e jashtme.