1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Agjenci e re për mbrojtjen e kufijve

Komisioni do ta ketë të vështirë t'i centralizojë kompetencat për mbrojtjen e kufijve në Bruksel, mendon Bernd Riegert.

Komisioni Evropian dëshiron që agjencinë ekzistuese të mbrojtjes së kufijve, e cila këshillon shtetet anëtare mbi baza vullnetare, ta shndërrojë me shumë të holla në një roje autonome të kufirit tokësor dhe bregdetare. Agjencia e re do të ketë më shumë se 1.000 të punësuar, 300 milionë euro dhe një forcë reagimi të shpejtë me të paktën 1,500 roje kufitare. Përvojat negative me menaxhimin e dobët kufitar në Greqi, por edhe Itali, e zemëruan aq shumë Presidentin e Komisionit të BE-së Juncker sa ai tani po përdor topa të vërtetë politikë. Komisioni synon t'i centralizojë kompetencat në Bruksel dhe t'u heqë shteteve anëtare një pjesë të sovranitetit të tyre.

Bernd Riegert

Bernd Riegert

Ky është një operacion jashtëzakonisht delikat, sepse pikërisht kontrolli i kufijve është një nga detyrat kryesore të çdo shteti. Prandaj do të ketë rezistencë të konsiderueshme. Shumë qeveri, nga Varshava, Praga, Bratislava e deri në Athinë janë kaq kritike ndaj Evropës, se ato nuk do ta pranojnë këtë masë detyruese nga Komisioni. Megjithëse udhëheqësit e qeverive dhe të shteteve e kanë mandatuar zyrtarisht Junckerin për të përmirësuar mbrojtjen e kufijve të jashtëm, ata ndoshta nuk kanë pritur që Jean-Claude Juncker do të krijojë një forcë europiane me një bazë ligjore të vet. Është shumë e dyshimtë nëse ai vërtet do të arrijë të gjejë mirëkuptimin e nevojshme të shteteve anëtare.

Pa përgjigje është edhe pyetja, se çfarë do të mbrojnë rojet bregdetare. Do të kthejnë në Turqi apo në Libi anijet e refugjatëve që do të zbarkojnë tani e tutje në Mesdhe? Pra t'i dëbojnë në vend që t'i shpëtojnë?

Do të duhen mjaft vite

Por ka edhe shumë probleme praktike. Deri tani, Komisioni Evropian nuk di as dhe sa roje kufitare apo anije të rojes bregdetare ka në secilin nga shtetet anëtare. Për secilin vend do të përpilohet një analizë rrezikut dhe një plan emergjence. Kjo natyrisht, sikurse e dinë njerëzit e brendshëm, është një punë e madhe. Me optimizëm Komisioni i BE-së ka përcaktuar vitin 2020 si objektiv. Është pra e qartë se rojet e reja kufitare të Evropës nuk do të mund të bëjnë shumë në kohën e krizës së tanishme të refugjatëve. Kjo gjë është planifikuar për krizat e ardhshme. Një nga simulimet e zyrtarëve të Komisionit: një lëvizje refugjatësh nga Ukraina, nëse konflikti me Rusinë intensifikohet.

Greqia është çelësi

Në krizën e tanishme të refugjatëve e vetmja gjë që bën efekt është që Greqia të detyrohet që të organizojë kontrolle të arsyeshme dhe të paktën t'i regjistrojë refugjatët. Kjo mund të bëhet edhe sot pa ndonjë agjenci të re të BE-së, por kjo ka nevojë për një vullnet të vërtetë politik në Athinë. Deri tani, koalicioni i majtë dje i djathtë po ngurron sikurse edhe paraardhësit e tyre. Ngadalë, shumë ngadalë po ndryshojë qëndrimet. Para Evropiane për mbështetjen e Greqisë në kontrollet e kufijve ka mjaftueshëm, edhe në qoftë se ministri kompetent vajton në mënyrë të patolerueshme, se grekët po lënë në baltë. Eshtë një aksident tragjik i gjeografisë që hallka më e dobët ekonomikisht dhe politikisht e BE-së gjendet në krahun jug-lindor.

Për sa kohë që kufijtë e jashtëm janë të brishtë, edhe më shumë vende do të fusin kontrolle në zonën Shengen. Zbutja e Shengenit do të ishte e pakëndëshme, por ky nuk është fundi i Bashkimit Evropian. Ai paralizon më tepër veten, nëse Komisioni i BE-së dhe shtetet anëtare tani do të grinden në një mosmarrëveshje të gjatë mbi kompetencat dhe sovranitetin.

http://www.dw.com/de/kommentar-kraftmeiern-reicht-nicht/a-18919917