1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Afganistan: Më tepër opium për shkak të sukseseve të talibanëve

Sukseset e talibanëve në Afganistan po çojnë në rritjen e prodhimit të opiumit.

Këtë vit në Afganistan pritet të mblidhen rreth 4.800 ton opium. Ky është parashikimi i "Vështrimit për Opiumin 2016" të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Luftimin e Drogave dhe të Kriminalitetit (UNODC). Kjo përbën një rritje prej 43 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Për vite të tëra prodhimi afgan i opiumit ka shënuar rritje të vazhdushme - nga 3276 ton në vitin 2000, në më shumë se 5.800 ton në vitin 2011, në 6.400 ton në vitin 2014. Në vitin 2015 prodhimi ra, kryesisht për shkak të sëmundjeve të bimëve. Prandaj, gjatë këtij viti u rrit kërkesa dhe çmimet. Prodhimi më i lartë është regjistruar në vitin 2007 me 7.400 ton opium.

Sipërfaqja e kultivimit të hashashit u rrit në vitin 2016 me dhjetë për qind në 201,000 hektarë. Ky është niveli i tretë më i lartë prej më shumë se 20 vjet. Vetëm në vitin 2013 dhe 2014 ka pasur më shumë fusha me lulekuqe në Afganistan, thuhet në raport.

Ndosha edhe më tepër prodhim

Opiumi është lëndë e parë për prodhimin e heroinës. Sasia më e madhe e kësaj droge vjen nga Afganistani. Ekspertët mendojnë madje se prodhimi i sivjetshëm mund të jetë edhe më i lartë, sepse për shkak të gjendjes së sigurisë nuk mund kontrollohen të gjitha zonat.

Provinca e Helmandit për të cilën luftojnë fort talibanët e radikalizuar, është prodhuesi kryesor i opiumit. Në këtë provincë janë të mbjella me lulëkuqen nga e cila nxirret opiumi më tepër se 80.000 hektarë.

Pasiguria nxit prodhimin e opiumit

Sipas Jelena Bjelica nga Instituti "Afghanistan Analysts Network", sa më e pasigurt është gjendja aq më tepër shtohet prodhimi i opiumit. Për shkak të sukseseve të talibanëve qeveria afgane ka pësuar dështime në përpjekjet për shkatërimin e fushave me lulëkuqe. Por ekspertët mendojnë nga ana tjetër se shkatërrimi i fushave të lulëkuqeve pa ofruar alternativa të tjera është kundërproduktive, sepse për qindra fshatarë në Afganistan opiumi është i vetmi burim të ardhurash. Në rast se nuk ofrohen pra alternativa të tjera, fshatarët mund t'u bashkohen talebanëve, shkruan ekspertja e Afganistanit, Vanda Felbab-Brown, në një studim për Institutin Kërkimor Brookings.

Opiumi dhe terrorizmi janë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin: talibanët radikalë islamistë janë pjesë e mafisë së drogave. Në provincën Helmand ata kontrollojnë aktualisht 85% të 14 komunave - dhe në këtë mënyrë edhe territoret ku kultivohen lulëkuqet dhe rrugët e kontrabandës. Sipas OKB-së talibanët kanë fituar që në vitin 2009 rreth 155 milionë dollarë prej tregtisë së drogave, ndërsa në vitin 2015 kjo shifër duhet të ketë qenë të paktën 500 milionë dollarë.