1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Afera e re e spiunazhit amerikan zemëron gjermanët

Gerhard Martin Friese/Lindita Arapi7 Korrik 2014

Zemërimi për një spiun të mundshëm në radhët e Shërbimit Informativ Gjerman, BND, është i madh. Duket se punëdhënësi i tij ka qenë CIA. Presidenti gjerman Gauck e cilëson aferën rrezik për marrëdhëniet mes dy vendeve.

https://p.dw.com/p/1CWmw
BND në Berlin
Fotografi: picture-alliance/dpa

Afera për spiunin gjerman, që punonte për amerikanët, nuk duket se do të ketë një shtrirje të gjerë, siç paramendohej. Sipas deklaratave të kryetarit të Komisionit Hetimor të Bundestagut për përgjimet e NSA-së, Patrick Sensburg, puna e komisionit nuk është dëmtuar nga afera. Sipas Shërbimit Informativ Gjerman spiuni ka qenë thjesht një asistent në departamentin "Misionet e jashtme" dhe jo agjent i shërbimit të jashtëm informativ. "Sipas vlerësimeve të para, duket se afera nuk është aq shokuese", u tha të shtunën. Një funksionar i lartë i BND-së ka konfirmuar se një agjent i BND-së ka punuar për shërbimet sekrete amerikane. "Të gjithë treguesit flasin për atë, që ai ka punuar për amerikanët", citoi "Frankfurter Allgemeine Zeitung" funksionarin në numrin e saj të fundjavës.

"Spiuni komandohej nga SHBA"

Ndërsa gazeta "Bild am Sonntag" njoftoi se punonjësi i BND-së ka punuar për CIA-n. Sipas Bild ai ka arritur të dërgojë dokumente të punës së komisionit hetimor për NSA-në-, i cili merrej me aferën e mëparshme të përgjimit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë të SHBA. Shërbimet gjermane janë të mendimit që CIA ka qenë e përfshirë në këtë çështje. Agjenti i dyfishtë duket se ka pranuar para autoriteteve gjermane dërgesën një herë në javë të informacioneve drejt SHBA-së. Sipas Bild nga 218 dokumente të dërguara, dy transferat e fundit kanë qenë dokumente që lidheshin me punën e komisionit hetimor për NSA-në. Zyra Federale për Mbrojtjen Kushtetuese kapi një e-mail të punonjësit të BND-së, dërguar shërbimeve sekrete ruse, ku ai ofronte shërbimet e tij, e për të theksuar rëndësinë e vet, spiuni gjerman kishte bashkangjitur dy dokumenta, që kishin të bënin me punën e komisionit hetimor për NSA-n. Ky mail u bë shkas për zbulimin e tij edhe si spiun i amerikanëve.

Reagime gjermane

Qeveria gjermane ka kërkuar sipas informacioneve të mediave, që të ndërrohen agjentët e "Joint Intelligence Staff" (Shtabit të integruar të shërbimeve sekrete) në ambasadën amerikane. Nuk përjashtohet edhe mundësia e ndërrimit të ambasadorit. Prokuroria e kishte lëshuar urdhërarrestin për 31 vjeçarin gjerman, spiun të amerikanëve që të mërkuarën e kaluar.

Antena të BND në Bad Aibling
Antena të BND në Bad AiblingFotografi: picture-alliance/dpa

Ndërkohë qeveria gjermane ka ashpërsuar tonin në lidhje me aferën e BND-së. Për presidentin gjerman, Joachim Gauck, kjo aferë përbën një rrezik për marrëdhëniet gjermano-amerikane. Në një intervistë për televizionin gjerman, ZDF, Gauck tha se po qe se akuzat vërtetohen, kjo është një lojë me miqësinë dhe lidhjen e ngushtë. "Pastaj vjen vërtet momenti që të thuhet. Kaq, jo më tutje."

Ndërsa gjatë një vizite në Kinë kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh e shqetësuar për sulmet e spiunazhit kundër Gjermanisë dhe thyerjen e besimit nga aleatë të tillë si Shtetet e Bashkuara. "Në Pekin të hënën ajo u shpreh se "nëse është vërtet kështu, bëhet fjalë për një rast të rëndë". "Po qe se akuzat vërtetohen, kjo bie ndesh hapur me atë çfarë kuptoj me bashkëpunim në mirëbesim të shërbimeve të jashtme dhe partnerëve.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter-Steinmeier, gjatë vizite në Mongoli u shpreh se "në rast se momentet e dyshimit vërtetohen, atëherë nuk mund të kthehemi aq shpejt tek axhenda normale e punës". Megjithatë Steinmeier kërkoi respektimin e kritereve. "Fillimisht sqarim, pastaj vendim se çfarë duhet bërë." Deri më tani qeveria gjermane thirri vetëm ambasadorin amerikan në Ministrinë e Jashtme.