1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Afera e përgjimeve dhe diplomacia në Maqedoni

Dy partitë më të mëdha maqedonase VMRO-DOMNE dhe LSDM, edhe në raundin e dytë që po zhvillohet në Bruksel për zgjidhjen e krizës politike pas aferës së përgjimeve, nuk kanë arritur asnjë rezultat.

Zhvillimet që po mbahen me treshen e eurodeputetëve do të vazhdojnë edhe javën e ardhshme. Mirëpo analistët politik në vend vlerësojnë se nga këto bisedime vështirë se mund të gjendet ndonjë kompromis për dalje nga kriza politike. Dhe derisa përfaqësues të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së po zhvillojnë bisedime në Bruksel, Shkupin kanë filluar ta vizitojnë përfaqësues të lartë të diplomacisë ndërkombëtare. Në vizitë dy ditore po qëndron zëvendës ndihmësi sekretar amerikan i shtetit Hoyt Brijan Yee, për t'u njohur nga afër me krizën politike që është përshakllëzuar nga afera e përgjimeve.

Yee: Silluni me përgjegjësi për krizën

Diplomati i lartë amerikan pas takimit me krerët më të lartë shtetëror dhe përfaqësues të partive politike ka ritheksuar porositë e qarta të qeverisë amerikane për hetimin e informatave për korrupcion dhe vepratë tjerta penale të pushtetit që dalin nga bisedat e përgjuara. Yee ka kërkuar nga të gjitha palët e përfshira të sillen me përgjegjësi dhe të gjejnë mënyrën për dalje nga kriza, duke kryer paralelisht hetime të pavarura dhe transparente të indikacioneve për shpërdorim të pushtetit.

“Në kuloaret ndërkombëtare ka shumë interes për skandalin e përgjimeve. Qeveria duhet të adresojë përmbajtjen e përgjimeve, të kryejë hetime për indikacionet për shpërdorime dhe korrupsion, këto gjëra duhet patjetër të hulumtohen”, ka deklaruar zv/ndihmës sekretar shtetëror për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brijan Yee . Ai ka zhvilluar edhe një takim të veçantë me liderin e opozitës Zoran Zaev, i cili në vazhdimësi po shpalos të ashtuquajturat bomba nga afera e përgjimeve.

“Zotit Zaev i kam shpjeguar rolin që duhet të luaj opozita në çdo demokraci. Ata duhet të marrin pjesë aktive në institucone përfshi këtu edhe Parlamentin. E inkurajova atë të gjejë kushtet, mënyrën për kthimin e partisë së tij në Parlament,” është shprehur Yee.

Funksionari i lartë amerikan ka thënë se është e rëndësishme që Maqedonia edhe gjatë kësaj kohet të krizës por dhe pas saj të ngelet në rrugën e integrimit evrpian dhe asaj në NATO.

OSBE shpreh gatishmëri për të ndihmuar

Në Shkup po qëndron edhe një delegacion i lartë i pesë ambasadorëve të shteteve të përhershme të OSBE-së, me çka në fakt edhe kjo organizatë ndërkombëtare po kyçet në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Ambasadorët kanë shprehur gatishmëri ta ndihmojnë Maqedoninë në tejkalimin e krizës por edhe rikthimin e fokusit në integrimin euroatlantik të Maqedonisë. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, pas takimit me ambasadorët ka ritheksuar qëndrimin se monitorimi i Brukselit dhe i ndërkombëtarëve të tjerë është një proces i domosdoshëm për ta përfunduar krizën politike në Maqedoni.

“Evropa nuk është e plotë pa Maqeodninë dhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Maqedonia po përballet me krizë, evropianët duhet të na ndihmojnë dhe ne presim ndihmën e tyre”, është shprehur Ahmeti.

Analistët: Pa ndërkombëtarë vështirë se zgjidhet kriza

Përfshirja e ndërkombëtarëve në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni nuk ka alternativë, thotë analisti Alajdin Demiri. Sipas tij zhvillimi i negociatave midis përfaqësuesve të rangut më të ulët nga Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesve të partive politike në Maqedoni është një hap i dështuar.

“Unë shpresoj se me inkuadrimin e amerikanëve në këto bisedime, situata do të kristalizohet. Qeveria amerikane do të dalë me kërkesë për luftimin e krimit dekriminalizimin e politikës dhe partive dhe për dënimin e të gjithë atyre figurave politike që janë të përfshirë në përgjime. Vetëm kjo mënyrë e të vepruarit do të mund të ndihmon në zgjidhjen e lëmshit politik në vend”, shprehet Demiri. Ai ua hedh fajin edhe partive politike shqiptare sepse gjithnjë sipas tij ato po rrinë të heshtura në këtë krizë.

“Shqiptarët kanë kapacitet, kanë detyrim të marrin pjesë në zgjidhjen e kësaj krize. Vlerësoj se heshtjen e pozitës dhe opozitës shqiptare do ta ndërpresë inkuadrimi amerikan në këto bisedime”, vlerëson Demiri.

Profesori universitar Mersel Bilalli vlerëson se qeveria amerikane do të sjellë rezultate konkrete në zgjidhjen e krizës.

“Demokracia amerikane nuk do të lejojë instalimn e grupeve kriminele në politikbërjen e rajonit ku bën pjesë edhe Maqedonia. Javëve në vijim vlerësoj se do të rritet presioni i qeverisë amerikane për dalje nga ky qorrsokak në të cilin gjendet Maqedonia”, shprehet Billali.

Ish-ambasadori Dimitar Mirçev thotë se përfshirja e komunitetit ndërkombëtar në zgjidhjen e krizës është e mirseardhur, por ai këtë ndihmë e konsideron si të tërësishme nëse në bisedime rrespektohen parasëgjithash vendimet e institucioneve vendore.

“Ndërkombëtarët mund të ndihmojnë si faktor lehtësues, por nëse ata bëjnë presion unë nuk besoj në zgjidhjen e shpejtë të krizës”, thotë Mirçev.

Treshja e europarlamentarëve për javën e ardhëshme ka caktuar takimin e rradhës me përfaqësues e VMRO-DPMNE-se dhe LSDM-së në Bruksel.