1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Afera e evazionit fiskal çështje politike në Athinë

Si kanë mundur të zhduken të dhënat e evazorëve fiskalë të dyshuar? Kjo pyetje në Athinë do të shtrohet ndoshta së shpejti nga një komision hetimor. Në qendër të kritikës është një ish-ministër i financave.

Në skandalin lidhur me fshehjen e llogarive bankare të evazorëve fiskalë ish-ministri i Financave Jorgos Papakonstantinou mund të përfundojë para një komisioni hetimor. Arsyeja: pikërisht ish-shefi i financave shtetërore të Greqisë dyshohet se ka fshirë emrin e të afërmve të tij nga skedari me të dhëna të depozituesve grekë të parave në Zvicër.

Skedari përmban të dhënat e së ashtuquajturës "Lista Lagarde", e quajtuar sipas Christine Lagarde, ish-ministrja franceze e Financave dhe shefja aktuale e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Fillimisht këto të dhëna ishin vjedhur nga një punonjës i bankës HSBC në Gjenevë. Në vitin 2010 Lagarde ia dorëzoi të dhënat e gjetura ish-kolegut të saj Papakonstantinou me mendimin se ato do të përbënin interes për policinë tatimore greke.

Gazetari zbulon

Gazetari Kostas Vaxevanis

Gazetari Kostas Vaxevanis

Më pas lista u zhduk në rrethana të pashpjegueshme, derisa gazetari Kostas Vaxevanis në tetor zbuloi një version të dytë të saj dhe shkaktoi kështu një tërmet politik në Athinë. Në rrjedhën e hetimeve ministri i Financave Jannis Stournaras i kërkoi qeverisë franceze që ta dërgojë edhe një herë skedarin origjinal. Vetëm gjatë krahasimit të dy listave u konstatua se ishin fshirë emrat e tre të afërmve të ish-ministrit.

Papakonstantinou i mohon të gjitha akuzat. Në një intervistë me televizionin shtetëror grek të hënën (01.07.2013), ai e përshkroi veten si viktimën e një intrige. Atij i jepet e gjithë përgjegjësia, për të mos prishur ekuilibrin politik, tha ish-ministri i Financave, duke shtuar: "Sigurisht, stabiliteti qeveritar është për ne më i nevojshëm se kurrë, këtë e di edhe unë. Por unë nuk dua të shkoj në burg, vetëm që kjo qeveri të mbetet në pushtet."

Papakonstantinou mbrohet

Venizelos përjashtoi Papakonstantinun nga partia

Venizelos përjashtoi Papakonstantinun nga partia

Kritika u drejtohet shokëve të dikurshëm në partinë socialiste. Papakonstantinou ka lënë shpesh të kuptohet, se pasardhësi i tij në Ministrinë e Financave, shefi aktual i partisë Evangelos Venizelos, ka gjasa të fshihet pas manipulimit të të dhënave, në mënyrë që të tërhiqet vetë nga vija e zjarrit. Kur u ngritën akuzat kundër Papakonstantinou, Venizelos e përjashtoi atë nga partia, përveç kësaj ai sinjalizoi se do të mbështesë kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor në parlament, para të cilit duhet të përgjigjet ish-ministri i Financave.

Ende nuk ka prova as për fajin e Papakonstantinou, as për ndërhyrje nga ana e Venizelosit. Sipas informacioneve të medias greke Papakonstantinou duhet t'ia ketë dorëzuar skedarin me të dhënat shefit të policisë tatimore Ioannis Diotis, i cili ia ka përcjellë atë në vitin 2011 ministrit të ri të Financave, Venizelos. Të tre mohojnë ta kenë kopjuar, apo ndryshuar listën. Sidoqoftë ish-ministri ka vepruar me pakujdesi, kritikon gazetari nga Athina Nikos Konstantaras në stacionin televiziv Skai. Kjo ndodh për fat të keq shpesh në politikën greke: "Shpeshherë përfundojmë në kaos, sepse nuk ka rregulla fikse. Arsyeja është se institucionet nuk funksionojnë si duhet."

Përfiton e Majta?

Alexis Tsipras dhe SYRIZA mund të përfitonin nga kriza

Alexis Tsipras dhe SYRIZA mund të përfitonin nga kriza

Në kaosin e spekulimeve opozita e majtë sheh një shans të pashoq, sepse, nëse koalicioni qeverisës dhe socialistët tashmë të dobësuar do të tronditeshin nga skandali i fshehjes së të dhënave, do të merrnin me vete në humnerë koalicionin tri-partiak të kryesuar nga shefi i konservatorëve Antonis Samaras. Me sa duket Venizelos e ndjen këtë rrezik. Udhëheqësi i Socialistëve sulmoi ditët e fundit gjithnjë e më e ashpër liderin e opozitës Aleksis Tsipras.

Tsipras reagoi me humor shpotitës. "Të na akuzojnë se po përgatisim një komplot për të shkatërruar socialistët, kjo është një shaka e vërtetë. Socialistët në fakt nuk kanë nevojë për një komplot të tillë, se ia dalin të shkatërrojnë veten edhe pa ndihmë", tha me shpoti kreu i opozitës greke. Socialistët vitet e fundit gjithsesi janë kthyer në një satelit të kryeministrit konservator Samaras, kritikoi ai.

Përballje e forcave politike

Christine Lagarde: Prej saj vinte lista e evazorëve fiskalë të mundshëm

Christine Lagarde: Prej saj vinte lista e evazorëve fiskalë të mundshëm

Javën e ardhshme parlamenti do të vendosë, nëse ish-ministri i Financave Papakonstantinou do të dëshmojë për fallsifikimin e të dhënave dhe keqpërdorim të detyrës para një komisioni hetimor, gjë që ka gjasa të ndodhë. Një parti e dalë nga ekstremi i djathtë, si dhe "Agimi i Artë" i djathtë radikal, shkojnë edhe një hap më tej. Ata kërkojnë që ish-kryeministrat Jorgos Papandreu dhe Loukas Papadhimos të paraqiten para një komisionit hetimor dhe dëshirojnë të votojnë së bashku për këtë.

Një tjetër arsye, përse afera e tatimeve bëhet çështje politike, është se ajo në fakt nuk e prek thelbin e problemit, thotë analisti dhe ish- zëdhënësi i qeverisë Dimitris Tsiodras në televizionin grek. "Të gjitha partitë janë të interesuara në radhë të parë të përfitojnë politikisht nga kjo histori. Por debati për korrektësinë tatimore ka dalë për fat të keq në sfond."

Janë zhdukur edhe të dhëna të tjera?

Ndërkohë çështja e fshehjes së të dhënave të listës Lagarde bëhet gjithnjë e më misterioze: Që të enjten (10.11.2013) në mediat greke spekullohet për një usb me të dhëna fiskale, që gjithashtu vijnë nga kjo listë. Skedarë me të dhëna të tjera janë në qarkullin, ndër ta një listë e pronarëve grekë të pasurive të patundshme në Londër dhe një listë me më shumë se 50.000 klientë të bankave, që kanë depozituar gjoja 22 miliardë euro jashtë vendit që nga shpërthimi i krizës së borxhit.

E përditshmja e Athinës Eleftherotypia vëren me sarkazëm: "Vendi ynë për fat të keq prodhon shumë më tepër lista, nga sa është në gjendje të konsumojë."