1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Afera Clearstream para bankës së të akuzuarit

Këtë të hënë (21.09) filloi në Paris procesi për të ashtuquajturën afera Clearstream. Në fushatën elektorale më 2004 emri i kandiduesit Nicolas Sarkozy, u shfaq papritur në listën e personave me llogari bankare ilegale.

Dominique de Villepin, i akuzuar në aferën de Villepin.

Dominique de Villepin, i akuzuar në aferën de Villepin.

Me sa duket rivali i tij i atëhershëm brenda partisë, kryeministri Dominique de Villepin, duhet ta ketë ditur të paktën këtë. Kush e ka vendosur Sarkozinë në listën e zezë, mbetet e paqartë. Kjo ofron material për një thriller spiunazhi.

Limouzina me xhama të errët, takime sekrete në kopështin e kryeministrit, letra anonime, një listë delikate me emra personalitetesh - afera Clearstream quhet ky thriller dhe që sot shfaqet jo në kinema, por përpara gjyqit në Paris.

Nikolas Sarkozy dhe Dominique de Villepin krah Jacques Chirac.

Të dy duan të jenë kandidatë për president dhe pasardhës të Jacques Chirac, Nikolas Sarkozy dhe Dominique de Villepin.

I akuzuar është ish-kryeministri Dominique de Villepin. Ai duhet ta ketë ditur, se emri i presidentit aktual, Nicolas Sarkozy, qëndronte në vitin 2004 pa të drejtë në listën e parave ilegale. Dominique de Villepin e konsideron të gjithë këtë si paturpësi dhe gënjeshtër. Prej muajsh francezëve u serviren vetëm historira.

Por, këto historira kanë fillim dhe fund. Ka një agjent të fshehtë, i cili e plotëson këtë listë ogurzezë me emrat e personaliteteve franceze, të cilët dyshohet se kanë pranuar ryshfete nga industria e armatimeve dhe i kanë depozituar ato në xhirollogaritë e bankës luksemburgase Clearstream. Agjenti i fshehtë ia ka përcjellë këtë listë nënkryetarit të koncernit të armatimeve, EADS, i cili është mik me Dominique de Villepin dhe ia bën të ditur një gjë të tillë. Ajo çfarë e bën çështjen kaq delikate është, se në këtë listë bën pjesë edhe emri i Nicolas Sarkozy.

De Villepin preferon ta quaje atë liliput. Antipatia ekziston nga të dyja palët. Sarkozy nga ana e tij e shan atë bastard. Të dy janë ndërkohë konkurentë, të dy duan të jenë kandidatë për president dhe pasardhës të Jacques Chirac.

Prokuroria beson, se për këtë arësye Dominique de Villepin, nisur nga interesi politik nuk ia ka thënë rivalit të tij, që ndodhet në këtë listë. Ndonëse asokohe ka qenë e qartë, që lista ishte e falsifikuar: „Për mua është e qartë, që listat e xhirollogarive Clearstream u falsifikuan në favor të disave dhe në dëm të disa të tjerëve.

Avokati i presidentit francez Nicolas Sarkozy, Thierry Herzog.

Avokati i presidentit francez Nicolas Sarkozy, Thierry Herzog mbërrin në Gjykatën e Parisit.

Gjyqtarë hetimor mendojnë, se Dominique de Villepin ka qenë nxitësi i të gjithë këtij sistemi. Prokuroria thotë, se sidoqoftë de Villepin ka qenë përftiuesi. Ai e ka ditur mirë se çfarë do të ndodhë. Në të kundërt de Villepin përbetohet prej ditësh për pafajësinë e tij dhe do që ta dëshmojë këtë edhe në proces.

Procesi kundër tij zhvillohet pikërisht në sallën, ku në vitin 1793 u dënua me vdekje në gijotinë mbretëresha Marie-Antoinette. Ndonëse Dominique de Villepin nuk kërcënohet nga një dënim i tillë, ky proces i kushton shumë atij. Nëse ai gjykohet, e pret dënimi deri në pesë vjet heqje lirie dhe comeback-u politik që ai synon është gjithësesi i djegur. Kjo mund t' i shkojë mjaft për shtat akuzuesit, pra Nicolas Sarkozy. Ai kësisoj do të kishte një konkurent më pak në zgjedhjet e ardhshme.

Autor : Evi Seibert / Vilma Filaj - Ballvora

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 21.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JlfN
  • Data 21.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JlfN