1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Aeroporti i Brukselit - një fillim i ri

Që prej atentateve në Bruksel, aeroporti i Brukselit kishte ndërprerë punën. Dy atentatorë vetëvrasës e hodhën veten në erë në sallën e kontrollit . Të dielën më në fund aeroporti rinisi aktivitetin.

Me shumë kujdes po kthehen njerëzit në jetën e përditshme, pas atentateve të përgjakshme terroriste. Dhe kjo vlen edhe për aeroportin në kryeqytetin belg. Rihapja e tij mezi qe pritur prej ditësh prej shumë njerëzve. Kurse tani transporti ajror nisi sërish - edhe pse nisi me kujdes të madh. "U vendos që të dielën (03.04)të fluturojnë tre avionët e parë me pasagjerë. Avionët e linjës Brussel-Airlines fluturojnë në drejtim të Faros, Torinos dhe Athinës", deklaroi shefi i shoqërisë pronare të aeroportit, Arnaud Fest.

Brussels Airlines është një shoqëri bijë e Lufthansas gjermane dhe nga mbyllja e aeroportit u godit më rëndë se të gjitha shoqëritë e tjera. Në fakt, aeroporti qe planifikuar të hapej shumë më herët, por pastaj u ndez një debat i ashpër për kushtet e sigurisë. Kryetari i sindikatës së policëve, Vincent Gilles shprehu shqetësim për kushtet e sigurisë në punë. "Ne kërkojmë garanci maksimale për sa i përket sigurisë. Këtu bën pjesë kontrolli i personave dhe i bagazhit para check-in-it", tha ai.

Kontrolle të imëta

Dhe kështu do të ndodhë në të ardhmen. Salla e pritjes së aeroportit në të ardhmen nuk do të jetë e lirë për të hyrë të gjithë në të, si në vendet e tjera evropiane. Që në hyrje, bagazhi i çdo pasagjeri do të skanohet, që këtu ai duhet të tregojë edhe biletën e fluturimit dhe pasaportën. Kjo procedurë do të mundësohet duke vendosur çadra para sallës së hyrjes. "Në fillim do të ketë katër, më vonë do të ketë tetë radhë në këtë konstrukt të përkohshëm. Në mënyrë që të bëhen kontrollet me detektorë për metalet", shprehet Gilles.

Nëse kjo mënyrë do t'i shmangë vargjet e njerëzve, kjo është e paqartë. Kritikët kanë tërhequr vëmendjen se rreziku për atentate nuk pakësohet me masat e reja të sigurisë, vetëm zhvendoset jashtë. Në prova të veçanta në të ardhmen do të kontrollohen edhe automjetet, që i afrohen aeroportit. Fare pranë terminalit, automjetet nuk do të afrohen më. Pra pasagjerëve do t'u duhet të përshtaten në të ardhmen me shumë gjëra të reja. Por e vërtetë është edhe një gjë tjetër: aktiviteti i aeroportit hë për hë nuk do të jetë as gjysma e aktivitetit të mëparshëm. Rreth 800 pasagjerëve në orë, në vend të 4000 pasagjerëve në orë si deri tani do t'u shërbehet fillimisht.

"Deri në fillim të pushimeve verore, në fund të qershorit e në fillim të korrikut, personat përgjegjës shpresojnë se do t'u shërbejnë sërish po kaq shumë pasagjerëve sa deri tani", thotë Arnaud Fest.

Edhe nëse bëhet fjalë vetëm për një rihapje të pjesshme të aeroportit: ky është një "sinjal shprese" thotë menaxheri i firmës pronare të aeroportit. Pa asnjë dyshim: me çdo turist, që vjen në Bruksel, atje kthehet edhe një pjesë e "jetës normale".