1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Adra "Fëmijët ndihmojnë fëmijët"

“Adra Deutschland”, e cila vepron në Kosovë që nga viti 1998, krahas ndihmës në rinovimin e shtëpive në fazën emergjente dhe më pas, vazhdon me mbështetjen e familjet të varfra, me bonjakë dhe të pastrehë anekënd Kosovës

Ndihma nga Gjermania

Ndihma nga Gjermania

Të ftohtët, bora e ngricat nuk kanë penguar qindra fëmijë nga komuna e Decanit të mblidhen në një adresë tashmë të njohur për ta. Edison Hysenaj, i cili po del me një pako në dorë edhe sivjet ka marrë dhuratë nga bashkëmoshatarët e tij gjermane.

“Kam ardhë me marr një dhuratë, se këtu e kam marrë edhe vitin e kaluar. Këtu brënda ka veshmbathje e lojëra“, thotë Edisoni. Ndërsa, Kujtime Kuqi nga Decani tregon me entuziazëm përmbajtjen e pakos duke falenderuar donatorët nga Gjermania:„Në pako kam lojëra, lapsa, goma, fletore, kapuç, shall e dorëza edhe, Faleminderit!„

Fëmijë shqiptar i ndihmuar nga Adra

Fëmijë shqiptar i ndihmuar nga Adra

Çdo ndihmë e mirëseardhur për kosovarët

Në një kohë kur kriza ekonomike në Kosovë po thellohet gjithnjë e më shumë, ndihma e shumëllojshme dhe e vazhdueshme e OJQ-se “ADRA Deutschland” përqendrohet në stinën e dimrit, me pako ushqimore, higjienike, mjete shkollore dhe dru për ngrohje; ndihmë kjo shumë e nevojshme, duke pasur parasysh se shumica prej këtyre familjeve jetojnë në varfëri të skajshme. Këtu përfshihen edhe familjet me jetimët e luftës, njëra ndër të cilat është edhe Ajne Gacaferi, nga Juniku.

“I kam katër jetima, se burri m´u ka vra n´luftë, në Koshare"...-thotë kjo nënë, sfida më e madhe për të cilën është rritja e fëmijëve të saj jetimë. "Boll zor, vallahi! I rris qeshtu...Kush po m´jep! E kam një shpi t´keqe boll. Jo, nuk i kam shkollu fëmijët. Me çka? Vec qeto e shkolloj, menxi…“.

“Fëmijët ndihmojnë fëmijët”

Vajzë nga Deçani e ndihmuar nga Gjermania

Vajzë nga Deçani e ndihmuar nga Gjermania

Adra Gjermane, e cila vepron në Kosovë që nga viti 1998, ndihmat e saj ne Deçan i ndan nëpërmjet Shoqatës së Gruas “JETA”.

“Ky është viti i katërt me radhë, që Adra gjermane me ndihmat e saj i gëzon nga 500 fëmijë të komunës së Deçanit. Ato pako janë me material ushqimor, shkollor, veshmbathje dhe gjëra të tjera të nëvojshme“, thotë kryetarja e kësaj shoqate, Safete Gacaferi.

Projekti Fëmijët ndihmojnë fëmijët (“Kinder Helfen Kinder” )vjen si shenjë e solidaritetit të fëmijëve gjermanë me bashkëmoshataret e tyre në Kosovë, e cila kësaj radhe vjen nga fëmijët e Saksonisë së Ulët, në veriperëndim të Gjermanisë. Anja Emrich është Koordinatore e Projekteve për Evropë:

„Pra, kështu veprohet me vite të tera, sepse OJQ e Gruas “JETA” në Decan, ka një shtrirje të gjërë në këtë rajon dhe kur familjet kanë nevojë që t´i gëzojnë fëmijët e tyre, ne ju ndihmojmë ta bëjnë këtë, sepse kjo është shumë e rëndësishme për ne. Dhe fëmijët e Kosovës mund ta presin këtë edhe në të ardhmen”.

“Adra Deutschland”mbështet vazhdimisht familjet nevojtare

Adra ndihmon përmes NGO Jeta. Safete Gacaferi, presidente e JETA(lart) dhe Anja Emrich, ADRA Koordinatore për Evropën.

Adra ndihmon përmes NGO "Jeta". Safete Gacaferi, presidente e JETA(lart) dhe Anja Emrich, ADRA Koordinatore për Evropën.

„Adra Deutschland“, në periudhen 1998-2010, në territorin e Republikës së Kosovës ka implementuar mbi 30 projekte kryesisht në komunën e Prishtinës, të Gjakovës, të Deçanit dhe në fshatra të shumta rreth e qark. Ky është viti i katërt me radhë, që në kuadër të këtij angazhimi, mijëra fëmijë të Kosovës përfitojnë pako me veshmbathje, mjete mësimore dhe ëmbëlsira.

„Dhuratat e sivjetme vijnë nga landi i Saksonisë së Ulët. Meqënse projekti quhet „Fëmijët ndihmojnë Fëmijët“, ne i lusim fëmijët që të ndajnë nga ajo çfarë kanë dicka edhe për fëmijët në Kosovë. Këtu përfshihen veshmbathje, mjete mësimore, lojëra dhe ëmbëlsira po ashtu, të cilat janë një befasi e këndshme për secilin fëmijë“, thotë koordinatorja Emrich, sipas së cilës, ndër projektet e Adra-s të cilat mundësohen nga qeveria gjermane dedikuar familjeve të pastrehë, skamnore dhe refugjate.

Autor: Ajete Beqiraj/Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 12.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zwPy
  • Data 12.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zwPy