1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Abstenim ose veto e Gjermanisë në OKB për kërkesën e Serbisë

Anila Shuka22 Shtator 2008

Fjala e fundit nuk është thënë ende, por sipas të gjithave gjasave Gjermania do të abstenojë kur të hidhet në votë kërkesa e Serbisë për ta trajtuar çështjen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

https://p.dw.com/p/FMqN
Fotografi: AP

Burime qeveritare nga Berlini bëjnë të ditur se qendrimi më i mundshëm i Gjermanisë ndaj kërkesës së Serbisë për një vlerësim juridik të pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë. Por vendimin përfunditmar Gjermania do ta marrë në marrëveshje me partnerët e saj evropianë, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme gjermane, Jens Plëtner (Ploetner), të hënën, më 22 shtator 2009, para nisjes së ministrit gjerman të punëve të jashtme, Frank Valter Shtajnmajer për në Nju Jork.

"Fakti që e kemi njohur Kosovën, do të thotë se jemi të bindur që ky hap është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare", tha Plëtneri dhe shtoi: "qendrimin tonë do ta vendosim së bashku me partnerët evropianë".  Plëtneri tha më tej, se edhe në se do të ketë një rekomandim juridik, ai nuk do të ketë pasoja ekzekutive dhe prandaj edhe Gjermania do të vazhdojë të mbështesë perspektivën evropiane të rajonit, ku zgjidhja e problemeve bëhet me marrëveshje:  "Perspektiva evropiane e të gjitha këtyre vendeve, është ajo për të cilën do të angazhohemi ne, pavarësisht se si do të vendosë Asambleja e Përgjithshme", u shpreh zëdhënësi i ministrisë së jashtme.

Në kuadër të fushatës lobuese për kërkesën e parashtruar në OKB, ministri serb i punëve të jashtme, Vuk Jeremiç, në fillim të shtatorit erdhi  në Berlin për të arritur që Gjermania të paktën të mos dalë kundër kërkesës së Serbisë në OKB. Me fitoren e koalicionit proevropian, Serbia ka fituar shumë pikë simpatie në perëndim.  "Është e drejta e padiskutueshme e Serbisë që të kërkojë zgjidhjen e kësaj çështjeje me gjyq", tha deputeti liberal Rainer Shtiner (Reiner Stinner) për Deutsche  Wellen. "Unë jam i ndikuar shumë pozitivisht nga qendrimi aktual i politikës serbe. Mendoj se Serbia po sillet me shumë mençuri, duke bërë të qartë se ajo është e vendosur të ecë drejt Evropës dhe këtë duhet ta mbështesim. Kundër kësaj kërkese nuk kam ç'të kritikoj."

Është e sigurtë që Gjermania do ta rrefuzojë kërkesën e Serbisë, por se në ç'formë do të jetë ky rrefuzim, me abstenim apo veto, kjo nuk thuhet ende. Deputetja Uta Capf (Zapf), e cila është nga partia e socialdemokratëve të ministrit Shtajnmajer, parasheh se Serbia nuk do të ketë sukses me kërkesën e saj. "Padyshim që gjermanët do ta rrefuzojnë këtë kërkesë", tha ajo. "Por unë kam përshtypjen se Serbia nuk do të kenë sukses me kërkesën e saj, meqënëse një nga fuqitë me të drejtë vetoje në OKB, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e mbështesin pavarësinë e Kosovës."  Capfi parashikon: "Ndoshta do të ketë një debat, ku secili do të shprehë pozicionin e vet dhe kaq. "