1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Abas nuk ndalet - Moment i shumëpritur për palestinezët në OKB

Palestinezët paraqitën të premten (23.9.) kërkesën për anëtarësim të plotë në OKB. Kërkesa nuk pritet të ketë sukses të shpejtë, por do të sjellë dinamikë të re në rajon. Komuniteti ndërkombëtar është vënë në lëvizje

Abas në OKB

Abas në OKB

Rrallë ka patur mbledhje të tilla emocionuese në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Deri në momentin e fundit nuk dihej nëse palestinezët, të vendosur nën presion nga SHBA dhe aleatët evropianë nuk do të trembeshin nga kurajo e tyre dhe do të hiqnin dorë nga paraqitja e kërkesës për anëtarësim të plotë në KB, për të cilën patën njoftuar prej kohësh.

Por presidenti palestinez Mahmud Abas do të ketë thënë me vete: Nëse jo tani, atëherë kur? Pas më shumë se gjashtë dekadash nga dëbimi i tyre, dy dekadash bisedime të pasuksesshme me Izraelin dhe revolucioneve të fundit në botën arabe, ka ardhur koha për krijimin e një shteti sovran palestinez. Por, a mund të krijohet një shtet që të ekzistojë edhe nga pikëpamja ekonomike nëpërmjet një kërkese në Kombet e Bashkuara? Vështirë.

Abas dorëzon kërkesën për shtetin e ri

Abas dorëzon kërkesën për shtetin e ri

Ëndrra e palestinezëve për shtetin e tyre

Megjithatë palestinezët nuk mund të pengohen në projektin e tyre të shumëpritur. Ata ndiejnë momentin historik, që i jep impuls çështjes së tyre. Një zgjidhje paqësore në Lindjen e Afërme duhet të jetë rezultat i bisedimeve midis Izraelit dhe palestinezëve. Por edhe tërthorazi, nëpërmjet Kombeve të Bashkuara, çështja e palestinezëve do të marrë shtysa të reja.

Izraeli i irrituar refuzon çdo lloj bisedimesh efektive. Diplomacia e komunitetit ndërkombëtar ka rënë prej vitesh në qorrsokak. Amerika ka qenë e zënë me luftën kundër terrorizmit dhe merret kryesisht me veten e vet. Evropa kërkon në koncertin e fuqive të gjejë një zë të pavarur dhe unik, por deri tani nuk e ka gjetur në  çështjen e Lindjes së Mesme.

Abas ndjek debatin e përgjithshëm

Abas ndjek debatin e përgjithshëm

Çfarë qëndrimi mban Gjermania?

Gjermania ka dalë në prapaskenë, për të shmangur konfrontimet. Shanset ekzistojnë ende, nëse shfrytëzohet koha e trajtimit të këkesës palestineze në Këshillin e Sigurimit, për të ushtruar presion mbi Izraelin. Qeveria e Netanjahut duhet të ndalojë ndërtimin e ngulimeve në Bregun Lindor të Lumit Jordan dhe të kthehet në tavolinën e bisedimeve. Kuarteti i Lindjes së Mesme ka prezantuar një plan të ri.

Palestinezët nuk do të bien në qetësi. Nëse kërkesa e tyre për anëtarësim të plotë nuk pranohet në Këshillin e Sigurimit, ata do t'i drejtohen Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Aty ata marrin përkrahje nga shumica e 193 vendeve. Moralisht, palestinezët mund të ndihen që tani fitimtarë edhe nëse kërkesa e tyre nuk do të pranohet në Këshillin e Sigurimit, nga vetoja e SHBA-së.

Autor: Daniel Scheschkewitz/ Aida Cama

Redaktoi: Lindita Arapi

DW.COM