1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A është mëkat të jesh i fortë në eksport?

27 Mars 2010

Kriza e madhe ekonomike e vitit 2009 e tronditi ekonominë dhe solli tronditjen e botëkuptimeve. Së bashku me krizën, shumë ekonomistë hedhin edhe një vështrim më kritik ndaj "disekuilibrave globale".

https://p.dw.com/p/Mfe9
Kampionë bote në eksport për gjashtë vjet kanë qenë gjermanët.
Kampionë bote në eksport për gjashtë vjet kanë qenë gjermanët.Fotografi: AP


Disekuilibra globalë: eksportuesit e zellshëm përballë konsumatorëve më të zellshëm

Nga njëra anë janë tepricat në tregtinë e jashtme të kombeve të mëdha eksportuese si Kina, Japonia dhe Gjermania, të cilat eksportojnë me zell dhe krijojnë rezerva kursimesh. Në anën tjetër janë deficitet e larta në bilancet e kombeve, të cilat i lejojnë vetes të konsumojnë duke u bazuar në kredi.

Kampionë bote në eksport për gjashtë vjet kanë qenë gjermanët; tani janë kinezët, të cilët kanë kuota shumë të larta kursimesh. Ndërkohë, Pekini ka një mal devizash prej më shumë se 2 bilionë dollarë. Konsumenti më i madh dhe importues i botës janë amerikanët, bilanci i pagesave të të cilëve prej dekadash ndodhet në minus. Në vitin 2009 deficiti i SHBA, i reduktuar përmes krizës ishte rreth 370 miliardë dollarë. Kjo është shuma, në të cilën SHBA importuan më shumë se eksportuan. Vitet e kaluara amerikanët i lejuan vetes gjithmonë të kenë një deficit prej më shumë se 5 përqind në bilancin buxhetor.

Spanjollët, portugezët, grekët e irlandezët mund të mbyten nga borxhet që kanë

Kjo ishte sipas pikëpamjes së shumë ekonomistëve një shkak i rëndësishëm për destabilizimin e ekonomisë botërore, që përfundoi në krizën e madhe. Konsumatorët amerikanë hë për hë nuk luajnë rol për ngritjen ekonomike. Të detyruar nga halli, ata po shtojnë kursimet e tyre.

Në Evropë, spanjollët, portugezët dhe grekët, si dhe irlandezët duhet të kufizohen në shpenzime, përndryshe ata do të mbyten nga borxhet që kanë. Këto vende përjetuan një bum ekonomik, me futjen në bashkimin monetar të Euros, sepse papritur iu desh të paguajnë interesa më të ulëta bankare. Por hareja u pasua nga ngërçi.

Më takimin e nivelit të lartë të 20 shteteve më të mëdha të industrializuara dhe të vendeve me zhvillim të shpejtë në Pitsburg në shtator 2009, shefat e shteteve dhe të qeverive miratuan në mënyrë të turbullt në një protokoll shtesë se "do t'i mënjanojnë në të ardhmen disbalancat e papranueshme globale." Këtë e kërkon edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, shifrat e të cilit që prej vitit të kaluar tregojnë një ulje të qartë të deficiteve dhe suficiteve në bilancet e pagesave, sepse vëllimi tregtar në përgjithësi ra.

Ekonomia gjermane - e orientuar nga eksporti apo brenda vendit?

Ndërkohë në Gjermani është shtuar shqetësimi, nëse struktura ekonomike e orientuar fort nga eksporti e Gjermanisë do të jetë e qendrueshme për një kohë të gjatë. Mendimet e ekonomistëve janë shumë të ndryshme.

Nga njëra anë është kampi i kritikëve, para së gjithash nga kampi i sindikatave, të cilët kërkojnë largimin nga orientimi i fortë te eksporti dhe një politikë me ekspansive pagash, për të forcuar kërkesën në tregun e vendit.

Eksportet kryesor gjermane
Eksportet kryesor gjermane

Një fraksion më i madh ekonomistësh, shumica e ekonomistëve gjermanë mendojnë që orientimi drejt eksportit është i drejtë. "Në vitet dhe dekadat e kaluara, aktivitetet tona të eksporteve kanë krijuar miliona vende pune ose të paktën i kanë garantuar ato. Punëmarrësit në Gjermani kanë përfituar nga kjo në mënyrë të konsiderueshme", thekson Wolfgang Franz, kryetari i Këshillit të Ekspertëve të ekonomisë.

Që të besosh se politika gjermane thjesht mund të tërheqë një levë dhe nga orientimi drejt eksportit të kthehet në orientim drejt tregut të brendshëm është vërtet utopike, thotë Franz.

"Në Gjermani nuk ekziston një planifikues i përgjithshëm i ekonomisë, që mund ta bënte këtë," thotë kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Ekonomisë gjermane. Me këtë ai nënkupton mundësitë e udhëheqjes komuniste kineze, e cila me programin e saj gjigand synon të mbështesë konjukturën e brendshme. Me efekt do të ishte edhe një vlerësim i monedhës kineze juan, gjë që Pekini nuk e ka marrë me ngut.

Gjermania - kuzhiniere dhe kamariere për vendet e ahengut

Një kritikë e papritur ndaj "modelit gjerman të biznesit" vjen nga kryeekonomisti i Deutsche Bank, Thomas Mayer. Gjermania ka luajtur rolin e kuzhinierit dhe të kamarierit për vendet që festonin ahengje. Tani ato kanë falimentuar dhe livruesi përballet me probleme. Maieri kërkon punësim më të gjerë në Gjermani. Për këtë ai ka një propozim jokonvencional: "Pse nuk e ul Gjermania produktivitetin e saj", pyet ai. Ai me këtë ka parasysh që të papunët e deritashëm të angazhohen në punë të thjeshta. Një shembull do të ishte shitja e biletave të trenit nga njerëzit, në vend të automatëve. Në fund të fundit, Mayeri mendon se ia vlen të zgjerohet sektori i pagave të ulëta për punë pak produktive.

Vështirësitë ekonomike dhe deficitet e larta të vendeve evropianojugore të Eurozonës shumë ekonomistë i lidhin jo vetëm me krizën aktuale financiare, por edhe me aftësinë konkuruese, e cila ka rënë prej vitesh. Kjo është pasojë e rritjeve shumë të vogla të produktivitetit përballë kontratave tarifore shumë të larta. Përpara futjes së euros, evropianojugorët thjesht zhvleftësonin monedhën vendase për të kompensuar rënien e aftësisë konkuruese në çmime. Kjo mundësi në bashkimin monetar të Euros është e bllokuar. Prandaj grekëve u duhet të bëjnë një "zhvlerësim të brendshëm", të ulin shpenzimet për pagat dhe të shtrëngojnë më fort rripin. Pikërisht këtë bëri Gjermania, duke forcuar në mënyrë vendimtare aftësinë e saj për konkurencë.

Autor: dpa/faz/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama