1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A është gabuar Wikileaks?

18 Janar 2011

Dokumentat e Wikileaks nuk zbulojnë sekretet e fëlliqura të SHBA, por dëshmojnë për një aparat diplomatik që funksionon mirë.

https://p.dw.com/p/zzHx

Pas leximit të mijëra faqeve të 251 mijë informacioneve pjesërisht sekrete të Wikileaks, të cilat gazeta norvegjeze "Aftenposten" ia vuri në dispozicion gazetës gjermane "Die Welt" shtrohet pyetja: Si mund të gabohej në këtë farë mase Julian Assange në vlerësimin e materialit që kishte para vetes? A e ka hedhur shefi i Wikileaksit ndonjëherë personalisht vështrimin në raportet e diplomatëve?

Dokumentat nuk nxjerrin në pah sekretet e vogla, të fëlliqura të SHBA, por dëshmojnë për një aparat diplomatik që funksionin çuditërisht mirë. Leximi të ofron një ndjenjë qetësie: politika ndërkombëtare zhvillohet në një nivel shumë të lartë se sa kanë frikë shumë njerëz.

SHBA punojnë të mirëkoordinuara

Amerikanët nuk janë fare të paorientuar ose madje budallenj, në ambasada ka diplomatë shumë kompetentë, që vëzhgojnë me saktësi. Natyrisht që mund të ndeshesh ndonjëherë edhe me të dërguar që veprojnë disi pa fantazi. Ka edhe vlerësime të gabuara, të cilat megjithatë relativizohen nga moria e të dhënave dhe numri i burimeve. Por në tërësi është thjesht impresionuese, sa me efikasitet e kryen punën e tij trupi diplomatik, sepse amerikanët shpesh punojnë në fronte të ndryshme të koordinuar mirë për një synim dhe si i kombinojnë joshjet, paralajmërimet - dhe mjaft rrallë- kërcënimet.

Në fakt, informacionet flasin për një vazhdimësi të madhe në synimet e politikës së jashtme të SHBA. Ajo që duket se po ndryshon nën Obaman janë metodat: në një kohë që te presidenti Bush vihej re një përpjekje për një diplomaci pa doreza, pasardhësi i tij vepron në mënyrë më të rafinuar, por edhe disi më pa skrupuj.

Politika e dorës së zgjatur të Obamas përballë Iranit ka ecur gjithmonë me përpjekje konkrete, për të krijuar një koalicion sa më të gjerë për sanksione kundër Iranit. Kështu që amerikanët duket se nuk kanë besuar kurrë tek suksesi i një dialogu me Iranin.

Themeluesi i Wikileaks, Julian Asange
Themeluesi i Wikileaks, Julian AsangeFotografi: dapd

Liri dhe demokraci të ndara me botën

Është si e habitshme, ashtu edhe simpatike, që pragmatizmi i nevojshëm në diplomaci i SHBA shpesh plotësohet nga një idealizëm amerikan i vjetër. Të armatosur me një besim në vetvete të proporcioneve amerikane dhe me një porcion optimizmi, ky vend duket i mbushur me shpresë se mundet dhe duhet ta ndajë ëndrrën e tij të nderuar të lirisë dhe demokracisë me botën

Deklaratat e Ahmadinexhadit ia rrisin popullaritetin në Iran

Nëse deklaratat e Ahmadinexhadit për mohimin e holokaustit e ndihmojnë paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Afërme, pyesin amerikanët. Njëri nga këshilltarët e presidentit sirian Bashar al Assad përgjigjet se deklaratat e Ahmadinexhadit gjithsesi ia rrisin atij popullaritetin në botën arabe. "Pse nuk thoni edhe ju të njëjtën gjë, po qe se kjo do ta rriste preferencën për ju?", pyesin amerikanët. Në fund ministri i jashtëm i Sirisë, Walid al-Moallem duhet të pranojë se holokausti është një fakt historik dhe se refuzimi i holokaustit nga Ahmadinexhadi nuk është një hap i duhur.

Ai që kërkon të mësojë me të vërtetë diçka nga informacionet e Wikileaks nuk duhet të kërkojë në to skandale të vogla. Sigurisht që diku i gjen edhe ato. Por kjo mënyrë veprimi nuk të ndihmon të kuptosh politikën e jashtme të SHBA.

Për të kuptuar se si e sheh botën superfuqia e fundit e mbetur e botës, duhet të kesh durim dhe të lexosh informacione të gjata për gjendjen, protokolle bisedash që të duket se nuk thonë gjë dhe vlerësime politike që sot nuk janë më aktuale. Dhe atëherë papritur mund ta kuptosh: përfytyrimi që ka Amerika për këtë botë është shumë më kompleks se përfytyrimi ynë për Amerikën.

Autor: Die Welt(Borgshtede)/Auron Dodi

Redaktoi: Bahri Cani