1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

A shkelen të drejtat e njeriut në Maqedoni? - Organizatat për të drejtat e njeriut shohin mangësi serioze

Në Maqedoni nuk respektohen sa duhet të drejtat e njeriut. Organizatat për të drejtat e njeriut atje dhe Komisioni Evropian kërkojnë marrjen e masave përmirësuese për garantimin e të drejtave dhe lirive qytetare.

Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi

“Maqedonia, edhe pse është nënshkruese e shumë akteve ndërkombëtare, konventave për të drejtat e njeriut, nuk ka arritur që këto dokumente, të cilat edhe u bënë pjesë e sistemit juridik në Maqedoni, t’i zbatojë në praktikë. Përkundrazi, vazhdon me avazin e vjetër duke shkelur si të drejtat individuale, ashtu edhe ato kolektive”, thotë Milaim Fejziu, kryetar i degës për Maqedoninë të forumit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Sipas tij, në Maqedoni ende vlejnë gjykimet dhe ndëshkimet e deliktit verbal.
“Ende në Maqedoni ka të burgosur politikë, ende në Maqedoni ka procese të montuara politike, ende në Maqedoni nuk respektohet e drejta në arsim dhe në mbrojtje kulturore", vlerëson Fejziu.

Edhe Avokati i Popullit dhe Komiteti i Helsinkit kanë theksuar në raportet e tyre se institucionet në Maqedoni duhet të bëjnë më shumë në përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Kryetari i Komitetit të Helsinkit për Maqedoninë, Iso Rusi, gjithnjë veçon gjyqësorin si sferë kryesore nga e cila burojnë shkeljet dhe mosrespektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut. Ndikimi i politikës ndaj gjyqësisë është punë që kryhet në vazhdimësi në Maqedoni, dhe jam i mendimit se të gjitha qeveritë e deritanishme nuk kanë qenë të sinqerta kur kanë deklaruar se mbështesin gjyqësinë e pavarur, thotë Iso Rusi. Ne si Komitet nuk jemi aspak të lumtur që kemi shumë reagime për të drejtat e njeriut, sepse ky fakt flet se në Maqedoni në mënyrë të vazhdueshme nuk respektohen të drejtat e njeriut. Gjithnjë sipas Rusit, partizimi i administratës shtetërore është një segment i theksuar i shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut.

“ Partizimi i administratës ka efekte tejet negative ndaj njerëzve që janë të punësuar në arsim, shëndetësi apo gjetkë në administratë. Streset me të cilat përballen të punësuarit në administratë gjatë ndërrimit të qeverive paraqesin shkelje të papara të të drejtave të njeriut” vlerëson kryetari i Komitetit të Helsinkit për Maqedoninë.

Lulzim Haziri, drejtor programor në shoqatën Iniciativa Demokratike vlerëson se shkelja e të drejtave të njeriut në Maqedoni vazhdon të jetë karakteristikë e punës së institucioneve shtetërore e private. “Koncepti i të drejtave dhe lirive të njeriut në Maqedoni ende është në proces të ndërtimit të tyre me tendencë të uljes së indeksit të respektimit të tyre, përkatësisht rritjes së indeksit të shkeljes së lirive dhe të drejtave. Të drejtat nuk falen ato u takojnë njerëzve. Vetëm mbi këtë koncept mund të ndërtohet një shtet stabil multietnik siç është Maqedonia “ thotë Lulzim Haziri.

Edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian është konstatuar se Maqedonia ende çalon sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut, prandaj edhe Brukseli i ka rekomanduar autoritetet vendase që të punojmë për të garantuar respektimin e konventave ndërkombëtare që garantojnë të drejtat dhe liritë e njeriut.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 17.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IreJ
  • Data 17.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IreJ