1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

A rritet popullariteti i Obamës pas vdekjes së bin Ladenit?

Deri në muajin e kaluar presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ka patur problem me imazhin e tij. Ai konsiderohej si jo i vendosur, i dobët dhe si shumë intelektual. Vdekja e Osama bin Ladenit e ka ndryshuar këtë imazh.

Obama në Ground Zero

Obama në Ground Zero

Sipas një anketimi të New York Times dhe CBS tani 57 përqind e të pyeturve deklaruan se janë të kënaqur me mënyrën, se si drejton Obama. Muajin e fundit kanë qenë vetëm 46%, që e kanë pohuar këtë. Por sa i qëndrueshëm është ky entusiazëm dhe çfarë rëndësie ka ai për marrjen e vendimeve të tjera të vështira në politikën e brendshme?

Sidomos për mbështetësit e Presidentit vdekja e bin Ladenit nuk do të thotë fundi i një kapitulli: "Jam e kënaqur, që e kanë kapur Osama bin Ladenin, kjo rrit shanset për rizgjedhjen e Presidentit Obama."

…thotë e kënaqur 42 vjeçarja Kris, duke dalë nga një kafene në kryeqytetin amerikan. Edhe 30 vjeçari Tyler është i kënaqur, që kërkimi shumëvjeçar i kryeterroristit përfundoi me sukses. "Jam i kënaqur, që kemi një president, cili e ka realizuar këtë. Kështu është kur qeveria është kompetente, Xhorxh Bushi nga ana tjetër e ka lënë veten të hutohet me Irakun dhe nuk është përqëndruar te bin Ladeni."

Popullariteti i Obamvs rritet sipas sondazheve

Popullariteti i Obamvs rritet sipas sondazheve

Richard Haass, drejtues i Council on Foreign Relations në New York, konsideron se aksioni i ka forcuar vetëbesimin Obamës dhe i jep atij pushtet në politikën e brendshme. Haass deklaroi një një konferencë në telefon me gazetarët: "Pasoja më e rëndësishme politike mund të jetë, që Presidenti shkon i forcuar në negociatat për kompromisin për rritjen e borxhit shtetëror."

Dikush mund të thotë për shembull, argumenton Haass, që bota tani është një vend më i sigurtë dhe se edhe buxheti i mbrojtjes nuk mund të jetë i paprekshëm. Por kjo nuk ka për të ndryshuar asgjë në qëndrimet e kundërta të dy partive politike në politikën financiare dhe fiskale.

Opozita e republikanöve nuk ka për të ndryshuar

Thomas E. Mann, politolog në institutin Brookings

Thomas E. Mann, politolog në institutin Brookings

Edhe Thomas Mann, politolog në institutin Brookings mendon se Obama është forcuar, por paralajmëron kundër euforisë së tepruar. "Opozita e republikanëve nuk ka për t'u dobësuar prej kësaj. Republikanët do të vazhdojnë të përfaqësojnë pikëpamje, të cilat Obama nuk mund t'i pranojë. Edhe shanset, që në negociatat për deficitin buxhetor dhe borxhin e shtetit të arrihet një kompromis, nuk do të rriten."

Vlerësimi i amerikanëve për kompetencën e Obamës në politikën e brendshme nuk ka ndryshuar, këtu vlerat kanë mbetur të njëjtat. Zgjedhësit dinë shumë mirë që të dallojnë në mes të kompetencës në politikën e brendshme, të jashtme dhe atë ekonomike të politikanëve. Deri në zgjedhjet presidenciale ka ende një vit e gjysëm. Deri atëherë mund të ndodhin shumë gjëra. Dhe një rëndësi të madhe do të luajë gjendja ekonomike, thotë Thomas Mann. Në qoftë se gjendja ekonomike në zgjedhjet presidenciale është e mirë, rriten shanset e presidentit aktual, është e keqe, shanset bien: "Por kur situata është e përzier, atëherë reputacioni, që ka fituar Obama përmes aksionit kundër bin Ladenit, dhe fuqia drejtuese, që ai ka treguar, janë në të mirë të tij."

Rizgjedhja nuk është aspak çështje e përfunduar

George W. Bush 11. September 2001 merr vesh për sulmin

George W. Bush 11. September 2001 merr vesh për sulmin

Sepse Obama përveç kësaj ka dëshmuar inteligjencë dhe këmbëngulje, thotë Thomas Mann. Prandaj një gjë është e qartë: "Me siguri që kjo do të zvogëlojë shanset e kandidatit republikan për president, që t'ia kalojë Obamës në politikën e sigurisë, gjithmonë duke patur parasysh, që deri në zgjedhje të mos ndodhë diçka tjetër."

Por rizgjedhja nuk është aspak çështje e përfunduar. Historia mëson, se një sukses i politikës së jashtme nuk ka zgjatur përgjithmonë. Presidenti Xhorxh Bush senior u brohorit, kur përfundoi me sukses luftën e parë në Irak, por humbi pastaj zgjedhjet kundër Bill Clintonit. dhe Xhorxh W. Bush, i biri, pas kapjes së Sadam Huseinit pati një rritje të vlerësimit të opinionit, që u zhduk përsëri disa muaj më vonë. Megjithatë ai arriti të zgjidhet për një mandat të dytë.

Operacioni i suksesshëm kundër Osama bin Ladenit i jep presidentit amerikan një nxitje pozitive përpara. Por vendimtare do të jetë, se si shfrytëzon ai atë.

Autor: Christina Bergmann

Redaktoi: Angjelina Verbica

DW.COM