1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

A po e ndryshon Putini taktikën në Ukrainën Lindore?

Këshilli Federativ i Rusisë e ka tërhequr miratimin për dërgimin e trupave në Ukrainë. Vëzhguesit shohin disa arsye, që e kanë shtyrë presidentin Vladimir Putin për të ndërmarrë këtë hap.

Vetëm një senator votoi kundër. Këshilli federativ i Federatës ruse tërhoqi të mërkurën (25.06.2014) thuajse njëzëri me kërkesën e presidentit rus Vladimir Putin lejen për operacionin e forcave ruse në Ukrainë. Putin e kishte kërkuar atë më 1 mars në dhomën e lartë të parlamentit rus.

Lilia Schewzowa Expertin für Innenpolitik beim Moskauer Carnegie Zentrum

Lilia Schewzowa: Vendimi duhej marrë më parë

Ky vendim vjen me shumë vonesë, thotë Lilia Shevzova e qendër Carnegie në Moskë. "Putini është dashur ta bëjë këtë shumë më herët, menjëherë pas anektimit të Krimesë", thotë ekspertja. Sepse dy deri tri javë pas anektimit të gadishulit ukrainas nga Rusia ka qenë e qartë, se një anektim i territoreve të tjera në jug dhe lindje të Ukrainës është i pamundur. Megjithatë vendimi tani tregon se Moska po e ndryshon taktikën: "Deri para disa muajsh Kremlini vepronte ndryshe, duke destabilizuar gjendjen në lindje dhe jug të Ukrainëse", i tha Shezova DW. Tani Putini po përpiqet të gjejë një zgjidhje të konfliktit të përshtatshme për të nga bisedimet ndërmjet Kievit dhe separatistëve në Ukrainën Lindore, të cilën ta pranojë edhe perëndimi.

"Rusia duhet të reagojë tani"

Disa faktorë mund të kenë ndikuar në vendimin për të tërhequr miratimin e dërgimit të trupave në Ukrainë, thotë Cornelius Ochmann nga Fondacioni për Bashkëpunimin gjermano-polak. "Nga njëra anë kërcënimi i sanksioneve të mëtejshme dhe sidomos uniteti i shteteve perëndimore", thotë eksperti Evropës Lindore në një intervistë me DW. Një tjetër arsye është qëndrimi i qartë dhe pragmatik i presidentit të ri të Ukrainës Petro Poroshenko, i cili ndërmori iniciativën për një plan paqeje për Ukrainën lindore. "Kjo do të thotë se Rusia duhet të reagojë tani. Deri tani Rusia si të thuash i ka drejtuar zhvillimet", thotë Ochmann.

Cornelius Ochmann: Ukraina Lindore nuk është Krimea

Cornelius Ochmann: Ukraina Lindore nuk është Krimea

Sipas mendimit të tij Putini e ka bërë tani të qartë se ai dëshiron të jetë partner i Perëndimit. Në kushtet e përkeqësimit të situatës ekonomike dhe të rrjedhjes së kapitalit konfrontimi i plotë me perëndimin nuk do të kishte kuptim. Për më tepër thotë Ochmann, forcat proruse në Ukrainën Lindore e kanë kuptuar, se pa ardhjen e mercenarëve nga Rusia nuk bëhët gjë. "Kjo nuk ishte lëvizje nga baza, si në Krime, ku pjesë të tëra të popullatës e kanë mbështetur bashkimin me Rusinë", thotë eksperti i fondacionit nga Varshava.

Ndikim në Ukrainën Lindore

Vendimi i Këshillit të Federatës Ruse mund të jetë një hap drejt deeskalimit, thotë Eberhard Schneider i Qendrës BE-Rusi në Bruksel. Putini do që bisedimet ndërmjet Kievit dhe separatistëve të çojnë në një zgjidhje konstruktive. "Nëse nuk ndodh kështu, Poroshenko do të zbatojë planin B, siç ka paralajmëruar. Ai do të veprojë pastaj më fort ushtarakisht kundër separatistëve dhe ata në fakt nuk kanë asnjë shans, për ta përballuar këtë konflikt", thotë Schneider për DW.

Eberhard Schneider: Separatistët nuk kanë asnjë shans.

Eberhard Schneider: Separatistët nuk kanë asnjë shans.

Poroshenko kishte propozuar që përfaqësuesit rajonalë në rajonet Donetsk dhe Luhansk të përcaktonin vetë fatin e tyre. "Që ata të mund ta propozojnë vetë guvernatorin, që të përfitojnë autonomi në disa fusha", thotë eksperti nga Bruksel. Me sa duket Moska është e kënaqur me këtë, për shkak se ajo nuk mund të arrijë më shumë në këtë moment.

Pretendimet e Moskës mbeten

Me vendimin e këshillit federativ Kremlini nuk ka hequr aspak dorë nga opsioni i destabilizimit të lindjes dhe jugut të Ukrainës, paralajmëron Lilia Shevzova. Për fat të keq ukrainasit duhet të pranojnë se do të qëndrojnë për një kohë të gjatë nën hijen e Rusisë. "Rusia do të synojë të mbetet faktor me ndikim në këtë vend", thotë ekspertja e qendrës Carnegie.

Por Moska nuk do të arrijë të ndryshojë orientimin europian të Ukrainës, beson Cornelius Ochmann. "Në qoftë se populli ukrainas ka vendosur, as presidenti rus nuk do të jetë në gjendje të mbajë Ukrainën me mjete ushtarake larg nga BE", thotë eksperti. Lidhur me anëtarësimin e Ukrainës në NATO, atëherë kjo është një tjetër çështje. "Unë nuk besoj se populli ukrainas është i interesuar për këtë", thotë Ochmann.

Eberhard Schneider tërheq vemendjen se Kievi të premten (27.06.2014) do të nënshkruajë pjesën ekonomike të marrëveshjes së asociimit me BE. Por një afrim të mëtejshëm me NATO-n as ai nuk sheh: "Për anëtarësimin e Ukrainës në NATO nuk bëhet fjalë." Deri tani pengesë ka qenë stacionimi i trupave të huaja, i flotës ruse të Detit të Zi. Tani edhe anektimi i gadishullit ukrainas është një çështje e parregulluar kufitare.