1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

A pengohej dorëzimi i dosjeve të nazistëve nga Ministria e Jashtme?

Për dekada me radhë Ministria e Jashtme gjermane ka negociuar me Shtetet e Bashkuara për dorëzimin e regjistrit të anëtarëve të partisë naziste. Hulumtimet tregojnë se faji për vonesat ka qenë te diplomatët gjermanë.

Duhet se e kaluara naziste gjermane është zbardhur mirë prej vitesh. Disa publikime i janë kushtuar të gjitha aspekteve të diktaturës naziste në Gjermani në periudhën nga 1933 deri në përfundimin e luftës në vitin 1945. Por në realitet për një kohë të gjatë ka patur boshllëqe të mëdha në njohuritë tona. Për shembull deri në vitin nuk i përgjigjeshe dot pyetjes, se kush ka qenë me të vërtetë anëtar i NSADP, partisë së Adolf Hitlerit.

Regjistri me emrat e anëtarëve të partisë naziste ruhej që nga përfundimi i luftës në Berlin, në Document Center të Shteteve të Bashkuara. SHBA nuk donin t'i nxirrnin dosjet, edhe pse Republika Federale Gjermane zyrtarisht e kishte kërkuar në mënyrë të përsëritur këtë gjë. Për dekada të tëra të gjitha negociatat për këtë mbetën të pafrytshme. Gazetari dhe autori Malte Herwig ka zbuluar tani se kjo nuk vinte nga kokëfortësia e Shteteve të Bashkuara. Përkundrazi Republika Federale, siç duket, nuk i donte fare dosjet aq brizante.

"Humnera e një shmangieje shtetërore"

Në kërkimet e tij Herwig ka hasur në dokumente, që e vërtetojnë këtë në mënyrë të qartë. Ai gjeti dokumente, në të cilat konsullata amerikane në Berlin "zemërohet, se qeveria gjermane kërkon publikisht kthimin e dosjeve naziste, por përmes rrugëve diplomatike lë të kuptojë: Ne i kërkojmë ato në fakt publikisht, por ju lutemi deklaroni edhe ju publikisht, që nuk mund t'i ktheni në asnjë mënyrë të dhënat. "

Shkëmbimi i të dhënave është shtyrë me qëllim: Autori Malte Herwig

Shkëmbimi i të dhënave është shtyrë me qëllim: Autori Malte Herwig

E ka penguar qeveria gjermane me të vërtetë kthimin e të dhënave? Historiani Hans Mommsen mendon se kjo është e pamundur. Ai i tha DW: "Unë nuk do ta përdorja fjalën penguar. Unë kam përshtypjen, se ka vepruar më shumë në mënyrë burokratike." Ministria e Jashtme vetë nuk e komenton debatin aktual.

Po aty, në arkivat e Ministrisë së Jashtme autori Malte Herwig ka zbuluar prova të një taktike shmangieje. Ai ka "zbuluar një shënim të një bisede nga viti 1986, ku thuhet se deri tek koha e kthimit duhet të kalojnë gjashtë deri në shtatë vjet dhe pastaj nuk do të jetë më problem." Të paktën këtu Herwig është alarmuar: "Kjo është me të vërtetë një humnerë e shmangies nga ana e shtetit. Unë nuk do ta kisha konsideruar të mundur."

"Kur ke gënjyer një herë, i mbetesh asaj."

Fjalën "joproblematike" Herwig e ka ndeshur disa herë në dosjet e ministrisë së Jashtme. Se për çfarë problemi është fjala, për autorin është e qartë: "Problematikë" janë emrat e politikanëve gjermanoperëndimorë, të cilët shfaqen edhe si anëtarë të partisë naziste, NSDAP. Në rradhë të parë "Hans-Dietrich Genscher. Drejtuesi i asaj ministrie, i cila ishte përgjegjëse për bisedimet për kthimin e dosjeve."Genscher, i cili nga viti 1974 deri 1992 ka qenë ministër i Jashtëm, nuk deshi të prononcohej për këtë i pyetur nga DW, për arsye kohore, siç tha.

ARCHIV - Der Historiker Ka qenë më shumë pë arsye burokratike: Historiani Hans Mommsen

Ka qenë më shumë pë arsye burokratike: Historiani Hans Mommsen

Megjithatë historiani Mommsen e konsideron eksitimin nga zbulimet e Herwig-ut si një "stuhi në gotën e ujit". Sepse "njerëzit, që kanë qenë përgjegjës për këto materiale dhe që unë i njoh personalisht, sigurisht që nuk kanë qenë njerëz, që donin ta mbulonin postin nga hija e nazismit."

Një vlerësim, me të cilin Malte Herwig nuk është dakord. Ai bën një pyetje tjetër: Përse kaq shumë njerëz dhe në mesin e tyre edhe shumë politikanë drejtues kanë heshtur për anëtarësinë e tyre në parti? Nuk do të kishte qenë e pamundur të thoje, isha i ri dhe kam bërë një gabim, por e kam kuptuar gabimin më vonë. Hans-Dietrich Gensher ishte, kur përfundoi lufta, vetëm 18 vjeç.

Malte Herwig ka intervistuar edhe ish kancelarin Helmut Schmidt, në tryezën e kabinetit të të cilit janë ulur disa anëtarë të ish-NSDAP. "E kam pyetur zotin Schmidt: Pse këta njerëz edhe sot nuk mund të thonë se kanë hyrë në NSDAP në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare. Dhe Schmidt më tha: 'Tell a lie and stick to it". Kur ke gënjyer një herë, atëherë i mbetesh asaj. "

Mallkimi i të menduarit bardh e zi

Herwig sheh gjithashtu një tendencë në shoqërinë tonë për të menduar bardh e zi, pa bërë kalime në gri. "Fjala NSDAP apo SS ka sot një efekt shokues. është një stigmatizim i qartë."

Edhe mediat, të cilat në informimin e tyre preferojnë shumë shpesh shpjegime të thjeshta dhe të shkurtuara, nuk i shohin në mënyrë të diferencuar rrethanat e komplikuara. Herwig mendon se nga njohuritë në lidhje me anëtarësimin në partinë naziste mund të nxjerrësh përfundime të rëndësishme. Nëse ju mund të shohësh përtej gjykimeve të nxituara, se kush ka qenë në parti dhe sidomos se si ka vepruar më vonë. Në këtë rast, mund të "mësosh se si hyn dhe del përsëri jashtë nga diçka e tillë."

Dritë dhe hije në zbardhjen e së kaluarës

Ecejaket lidhur me publikimin e dosjeve të Document Centers amerikane të habisin edhe për faktin se Ministria e Jashtme para tetë vetësh e shqyrtoi të kaluarën e saj nga ekspertë të pavarur dhe krijoi përshtypjen se ajo vepron hapur në lidhje me historinë e saj. Në vitin 2005 Ministri i Jashtëm i atëhershëm Joshka Fisher angazhoi një komision të pavarur historianësh, për të shqyrtuar historinë e Ministrisë së Jashtme në kohën e nacionalsocializmit. Komisioni ia ka dorëzuar rezultatet e punës me titullin "Ministria dhe e kaluara" pasuesit të Fischerit Guido Westerwelle në vitin 2010.

Këtë studim e shohin me sy kritik si historiani Hans Mommsen, ashtu edhe gazetari Malte Herwig. Për Mommsen ai nuk është shumë domethënës. "Në një farë mënyre ai është arbitrar, sepse ka studiuar vetëm disa aspekte të caktuara." Për Herwig angazhimi i komisionit ishte një akt i dyshimtë. Sipas tij studimi i komisionit historik erdhi si pasojë e presionit të jashtëm.

Shenja të një sinqeriteti të ri

Por Herwig thotë se puna e tij nuk ështe penguar. Përkundrazi: "Gjatë hulumtimit në arkiv më kanë mbështetur. Më janë dorëzuar të gjitha dokumentet, në mes të tjerave edhe dosje të sklasifikuara". Këto janë dokumente sekrete, që për Herwig ishin "deklasifikuar", të cilave u ishte hequr fshehtësia.

Edhe pse ai ka zbuluar në arkivat gjermane dhe amerikane pak gjera rreth Ministrisë së Jashtme, Herwig është i bindur për sinqeritetin e ministrisë në përgjithësi. "Unë mendoj se Ministria e Jashtme është gati për t'i sqaruar gjërat." Nga vetë dosjet, por edhe nga qëndrimi refuzues i qeverive të ndryshme gjermane deri në vitin 1994, në fund të fundit mund të mësohet diçka. Për këtë, është absolutisht e nevojshme, thotë Herwig në intervistë me DW, "që të thuhet publikisht: "Po kështu ka qenë. Në rradhë të parë duhet përpjekur, që të flitet hapur."