1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

A përbën Greqia rrezik sigurie për NATO-n?

Mbetja e Greqisë në eurozonë nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe gjeopolitike. Politikanë gjermanë druhen se largimi nga eurozona do të shkaktonte paqendrueshmëri në krahun juglindor të NATO-s.

Në mënyrë të papritur dy javë më parë në Gjermani shpërtheu një diskutim i ri për Greqinë. Këtë herë nuk bëhej fjalë për pyetjen, nëse vendi duhet të dalë nga eurozona dhe kur, por që një dështim i Athinës mund të përbënte rrezik për sigurinë në BE. Skenari i tmerrshëm në këtë rast parashikon që paqendrueshmëria ekonomike të çojë në destabilizim politik të vendit dhe trazira në rajon. Flukset në rritje të refugjatëve drejt Evropës për shkak të luftës civile në Siri, një sulm i mundshëm i Izraelit në Iran dhe shtimi i konflikteve në Afganistan, do të ishte e pamundur të ndaleshin në kufirin grek të BE-së.

Ministri i Brendshëm grek, Evripídis Stylianídis

Ministri i Brendshëm grek, Evripídis Stylianídis

Lidhur me këtë u shpreh edhe ministri i Brendshëm grek, Evripídis Stylianídis: "Nëse nuk kuptojmë që Greqia është diga pritëse për të gjitha llojet e problemeve, që i drejtohen Evropës, nuk do të kemi mundësi ta vëmë nën kontroll situatën. Për këtë arsye Greqia duhet të mbetet e qendrueshme ekonomikisht dhe politikisht. Ndryshe kam frikë se do të na duhet të përballemi me propagandistë të fondamentalizmit islamik, me krimin e organizuar e madje edhe me terrorizmin.“

Këtij argumentimi nga Greqia iu bashkuan në Gjermani para së gjithash politikanë nga radhët e kristiandemokratëve, jo specialistë për sigurinë, por ekspertë për çështje të buxhetit apo për integrimin. Kjo të lë të kuptosh se ata duan të mbështesin kancelaren Angela Merkel, e cila përpiqet ta mbajë Greqinë në eurozonë. Por shumica e popullsisë në Gjermani aktualisht nuk është e bindur që kjo është e domosdoshme. A mund të ndryshojë diçka këtu aspekti i sigurisë evropiane?

Greqia nuk u duhet lënë rusëve

Por argumentimi nuk u kufizua me çështjen e refugjatëve. Disa politikanë gërmuan thellë në sëndukun e Luftës së Ftohtë. Një Athinë e zhytur tej mase në borxhe dhe e pakënaqur nga Evropa mund t'i afrohej Rusisë, ishte teza e tyre. Rusia e fuqishme financiarisht do të angazhohej në Greqi jo vetëm ekonomikisht. Rusia kërkon me insistim një bazë të re strategjike për marinën në Mesdhe, pasi porti sirian Tartus është bërë i pasigurtë. Një Greqi e dobësuar do të ishte shumë e volitshme për të.

Ekspertja për çështje të sigurisë Constanze Stelzenmüller, e cilësoi këtë argumentim gjeopolitik si "histerik". Drejtuesja e German Marshal Fund në Berlin, e pranon se flukset e refugjatëve nga Siria mund të mbërrijnë edhe në Greqi e kështu edhe në BE. Por problemi nuk është i pazgjidhshëm. Po me kaq qetësi reagon Stelzenmüller edhe ndaj një tjetër zhvillimi. Natyrisht, interesimi i firmave nga Rusia dhe Kina për rezervat potenciale të gazit dhe naftës në lindje të Mesdheut do të ndryshojnë rëndësinë gjeostrategjike të Greqisë. Megjithatë Constanze Stelzenmüller këshillon "të ruhet qetësia dhe të shihen shanset, që hapen për vendin". Gjermania, e cila plotëson një pjesë të madhe të nevojës së saj për gaz me furnizime nga Rusia, nuk ka rënë për këtë arsye në varësinë politike të Moskës.

Ekspertja për çështje të sigurisë, Constanze Stelzenmüller

Ekspertja për çështje të sigurisë, Constanze Stelzenmüller

Po çdo të ndodhte në rast se Greqia del nga Eurozona? A do të merrte në konsideratë një Athinë e ftohur ndaj Evropës edhe daljen nga NATO? Ekspertja për çështjet e sigurisë e mohon këtë. Por ajo paralajmëron se dalja nga eurozona do të ashpërsonte dhe thellonte krizën ekonomike në Greqi. Kjo mund të kishte ndikim mbi politikën e sigurisë të NATO-s: "Ndër të tjera kjo do të nënkuptonte që Greqia do të kishte vështirësi të jepte kontributin e saj për mbrojtje në kuadër të NATO-s, të cilin ia ka premtuar Aleancës. Nuk flasim tani për blerje të reja armatimesh. Fjala është për ato, që disponohen, të cilat në këto kushte do të jetë tejet e vështirë të mbahen në punë dhe të modernizohen. Por këto janë probleme të menaxhueshme, nuk janë fundi i botës."

Turqia është një partner shumë më i rëndësishëm strategjik

Edhe për Christian Mölling një dalje e Greqisë ngë eurozona është para së gjithash një problem ekonomik. Pasojat financiare do të ishin për gjithë BE-në shumë më të rënda se ndryshimet e mundshme gjeopolitike, mendon eksperti për çështje të sigurisë në fondacionin gjerman "Shkencë dhe Politikë". Vendi, i cili ka rëndësi në rajon për sigurinë e NATO-s dhe BE-së, është Turqia, thotë Mölling.

Refugjatë në brigjet e Greqisë.

Refugjatë në brigjet e Greqisë.

"Këtë Turqia e ka dëshmuar gjatë pranverës arabe dhe po e tregon tani në rastin e Sirisë. Ajo është një partnere më rëndësi tejet të madhe në rajon. Nuk është partnere e lehtë, por arsyeja për këtë është, se ajo fuqizohet dhe bëhet gjithnjë e më sigurt në vetvete. Do të ishte mirë që kjo fuqi dhe ky besim në vetvete të shfrytëzoheshin, duke i trajtuar turqit si të barabartë, të paktën në nivelin ushtarak. Përse atëhere duhet mbështetur një partnere si Greqia, nga e cila aktualisht nuk pritet shumë?", pyet Christian Mölling.