1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

A nevojiten ligje më të ashpra për mbajtjen e armëve?

Gjykata Kushtetuese gjermane ka njoftuar se në deri në fund të shkurtit do të vendosë lidhur me një kërkesë për ashpërsimin e ligjit.

Që nga viti 1991 në Gjermani janë vrarë me armë sportive më shumë se 130 vetë. Pas masakrës së 26 prillit 2002 ku një 19-vjeçar vrau në një gjimnaz në Erfurt dymbëdhjetë arsimtarë, një sekretare, dy nxënës, një oficer policie dhe pastaj veten në Gjermani u ndryshua ligji për mbajtjen e armëve sportive. Vrasësi 19-vjeçar kishte qenë vetë anëtar i një klubi për qitje sportive. Ai kishte leje për mbajtje arme dhe mund të blinte legalisht edhe municion.

Sipas ligjit të ri personave që merren me qitje sportive u jepet leje për të blerë dhe mbajtur një pushkë ose pistoletë jo më në moshën 18 vjeçare, por vetëm pasi të kenë mbushur 21 vjeç. Po ashtu qitësit nën moshën 25-vjeçare duhet t'u nënshtrohen testeve psikologjike nëse janë të pjekur për të mbajtur armë.

Armët sportive mbeten instrumente vrasëse

Roman Grafe

Roman Grafe

Roman Grafe, zëdhënës i nismës "Asnjë armë vrasje si armë sportive" ka ngritur para rreth dy vjet e gjysmë padi pranë Gjykatës Kushtetuese Gjermane duke kërkuar ashpërsimin e ligjit. Sipas tij mbajtja legale e armëve sportive përbën një rrezik të papranueshëm për sigurinë në Gjermani. Për këtë ai niset nga fakti se nxënësi 17-vjeçar që kishte vrarë në mars të vitit 2009 në Winnenden nëntë bashkënxënës dhe tri mësuese kishte përdorur armën e babait, që ky e kishte me leje.

Edhe trajneri i kombëtares së femrave Ricco Gross pyetjes "Çfarë mund të vrasësh me një pushkë që përdoret për biatlon?" i përgjigjet: "Po të jesh afër - çdo gjë."

Ashpërsimi i ligjeve çon në rënien e vrasjeve

Roman Grafe thotë se në vendet ku ligjet për mbajtjen e armëve janë të ashpra, ka rënë numri i vrasjeve dhe i plagosjeve me armë zjarri. Në Angli dhe Uells, posedimi privat i revolverëve dhe i pistoletave është i ndaluar që nga viti 1998, kur një burrë qëlloi dhe vrau 16 fëmijë në një shkollë fillore.

Fachmesse IWA 2008 Nürnberg

Dhe në Japoni qytetarët lejohen të mbajnë armë me licencë ekskluzive vetëm për gjueti. Po ashtu qëkurse në Brazili filloi nga puna Regjistri qendror i armëve numri i viktimave që kanë vdekur nga plagët me armë zjarri ka rënë.

Vrasjet në amok dhe ligji

Në Gjermani janë ligjërisht në pronësi private 5,5 milionë armë. Edhe këtu nga janari ka filluar nga puna një Regjistër qendror për dokumentimin e armëve. Kjo nuk u bë nën presionin e politikanëve vendas, por nga Bashkimi Evropian në Bruksel i cili kishte nxjerrë edhe një direktive të BE-së. Problemi është se askush nuk kontrollon nëse armët dhe municioni ruhen më vete, ose nëse të rriturit i mbyllin me kyç armët në mënyrë që të mos bien në duart e të miturve.

Deutschland Diskussion um Waffenrecht

Gjithësesi Jürgen Kohlheim, nënkryetar i Shoqatës gjermane të Pushkatarëve nuk beson se Gjykata Kushtetuese do ta pranojë ankesën për ligjin për armët. Sipas tij vrasjet në amok janë shprehje e një problemi social dhe se nuk e beson se ndryshimet në ligjin e armëve mund të ndryshojnë diçka në ngjarje të tilla.

Gjykata Kushtetuese gjermane ka njoftuar se në lidhje me ankesën do të vendosë deri në fund të muajit shkurt.