1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

A mund të shkojnë në Irak ushtarët e Bundesverit?

Javën e ardhshme qeveria gjermane do të paraqesë projektin për misionin stërvitor të Bundesverit në Irakun Verior. Më pas misioni duhet të miratohet nga Bundestagu por mbi çfarë baze ligjore.

Në shtator qeveria gjermane i livroi armë kurdëve në Irakun Verior dhe tani po dërgon edhe instruktorë ushtarakë: në Erbil rreth 100 ushtarë gjermanë duhet të stërvisin luftëtarët Peshmerga. Në takimin e tij të fundit para pushimeve të Krishtlindjeve, kabineti do t'i japë bekimin misionit dhe pastaj do t'ia paraqesë Parlamentit.

"Ne duam të ndihmojmë që Peshmergat të bëhen më të aftë në luftën kundër ISIS", thuhet në Ministrinë e Jashtme. Por për këtë objektiv nuk ka asnjë mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB dhe Gjermania nuk është e përfshirë në ndonjë mision të NATO-s apo BE. Misioni pra në pamje të parë nuk mund të renditet në një "sistem të sigurisë kolektive reciproke" siç kërkohet nga ligji themeltar. Kjo ka ngjallur kritika.

"Shkelje e kushtetutës"

Vërtet misionet jashtë vendit për Bundesverin ndërkohë janë bërë diçka e vetëkuptueshme, por ato duhet të përmbushin disa parakushte të përcaktuara në Kushtetutë. Pa dyshim të lejuara janë pjesëmarrjet e Bundesverit në misione paqeje të OKB-së si "UNMISS" në Sudanin Jugor apo KFOR në Kosovë, për të cilat ka një mandat të KS të OKB-së. Edhe misionet e NATO-s si "Resolute Support", misioni i ardhshëm i trajnimit në Afganistan, nuk paraqesin asnjë problem nga pikëpamja kushtetuese. Për misionin e stërvitjes në Irakun Verior nuk mund të aplikohet asnjë nga këto kategori, kritikon Alexander Neu, politikan për çështje të mbrojtjes në partinë E Majta. Ai parashikon një "shkelje të kushtetutës" në rast se Bundestagu e miraton misionin. Edhe të gjelbrit kërkojnë sqarim për bazat ligjore të misionit.

"Një mandat i OKB i panevojshëm"

Qeveria gjermane nga ana e saj e konsideron misionin me legjitimitet të mjaftueshëm: "Iraku i është drejtuar para një kohe të gjatë Kombeve të Bashkuara pra edhe Gjermanisë për të kërkuar ndihmë të gjerë në luftën kundër ISIS", argumenton Martin Schäfer, zëdhënës i Ministrisë së Jashtjme. Kërkesa për ndihmë e Irakut drejtuar bashkësisë ndërombëtare, së cilës i janë përgjigjur ndërkohë gjithsej 60 shtete mjafton si "bazë për të ndërhyrë". Një vendim i KS të OKB-së pra "është pa rëndësi në të drejtën ndërkombëtare", thotë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme.

"Sipas së drejtës ndërkombëtare ndoshta, përgjigjet Alexander Neu, por jo kushtetues. Të shpallësh një "koalicion të të gatshmëve" si një sistem të sigurisë kolektive, është për Obmann nga grupi parlamentar i partisë "E Majta" "aventureske". Kështu qeveria po shtrembëron ligjin themeltar. Ai nuk parashikon misione të Bundesverit në kuadër të një alence të lirshme shtetesh apo me kërkesë të një qeverie të vetme.

"Mbuluar nga ligji themeltar"

Por qeveria gjermane i largon këto shqetësime. Në fund të fundit edhe vende të tjera janë shprehur të gatshme për stërvitjen e Peshmergëve kurdë, ndër të tjera edhe Holanda dhe Italia. Veç kësaj KS i OKB-së i ka bërë thirrje të gjitha shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara të marrin pjesë në luftën kundër "shtetit islamik". Kështu misioni është i mbuluar nga ligji themelor, mendon Hans-Peter Bartels (SPD), kryetar i komisonit për mbrojtjen në Bundestag.

Parlamenti pritet të debatojë për mandatin në mes të janarit. Megjithëse një mision i pastër stërvitor nuk duhet të paraqitet patjetër për miratim në Bundestag, qeveria gjermane ka vendosur të ndjekë këtë rrugë. Pikërisht në një mision kaq delikat ajo vlerëson mbështetjen parlamentare megjithë debatet kontroverse.

DW.COM