1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

A mund të jetë solidariteti i zhdërvjellët?

Hungaria, Sllovakia, Çekia e Polonia, që bllokojnë shpërndarjen e refugjatëve në Evropë paraqitën konceptin "solidaritet i zhdërvjellët". Ato pranojnë më pak refugjatë e duan të bëjnë më shumë për mbrojtjen e kufirit.

Një ndarje e drejtë, detyruese e refugjatëve në të gjithë Evropën? Ky plan duket se po dështon. Kjo ka të bëjë para së gjithash me faktin se shumë vende të BE thjesht nuk duan ta mbështesin. Para së gjithash janë disa qeveri të Evropës Lindore që kundërshtojnë me forcë. Polonia, Çekia, Sllovakia dhe Hungaria refuzojnë t'i pranojnë kuotat e detyrueshme për pranimin e refugjatëve sirianë. Sllovakia dhe Hungaria madje e kanë hedhur çështjen në gjyq para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Qeveria hungareze madje do të mbajë për këtë në fillim të tetorit një referendum. Kryeministri populist i djathtë, Viktor Orban është i sigurtë në planet e tij. "Ne hungarezët jemi krenarë që jemi të vetmit, që ia japim popullit këtë mundësi", deklaron ai.

Hungaria, Polonia, Çekia dhe Sllovakia duan të zbatojnë diçka, të cilën ata e quajnë "solidaritet të zhdërvjellët". Por çfarë është ky konkretisht? Synimi kryesor është që të mos pranohen refugjatë. Në vend të kësaj, ato duan të vënë në dispozicion më shumë forca për të mbrojtur kufirin, për të siguruar kufijtë e jashtëm të BE. Ose të japin më shumë para, për t'i furnizuar refugjatët në Liban dhe në Jordani. E përkthyer kjo do të thotë: ne nuk duam refugjatë, por ne marrim pjesë në mbështetje, jo si doni ju, por si duam ne. Një lëvizje e zgjuar politike shahu: nga njëra anë, evropianolindorët ofrojnë alternativa. Pra nuk mund t'i akuzosh se kanë ngritur barrikada para vetes. Nga ana tjetër ato vazhdojnë të ndjekin synimin për t'i mbajtur larg vendit të tyre refugjatët.

Me zhdërvjelltësi më të madhe sillet ndërkohë edhe kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në fakt një veprimtar aktiv për shpërndarjen e detyrueshme të refugjatëve. Junckeri tha para një jave në Parlamentin Evropian: "Jam i bindur se nevojitet shumë më tepër solidaritet, por e di edhe se solidariteti duhet të jetë vullnetar. "

Kompromiset janë të nevojshme

Solidariteti duhet të vijë nga zemra, atë nuk mund ta caktosh me detyrim, as ta diktosh, tha Juncker. Edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel e ka ndryshuar mendimin. "Në kërkesën e Hungarisë, Polonisë, Çekisë dhe Sllovakisë për të vepruar në mënyrë të zhdërvjellët, por gjithsesi për të kërkuar zgjidhje, shoh padyshim një pikënisje pozitive", tha Merkeli pas takimit të posaçëm të nivelit të lartë në Bratislavë. Është arritur në përfundimin, "se kemi nevojë për kompromise, se kemi nevojë për ndjenjën e solidaritetit, për ndjenjën e bashkëpunimit", tha kancelarja.

Kompromise, solidaritet dhe bashkëpunim. Kjo tingëllon kështu: më mirë një zgjidhje të zhdërvjellët me evropianolindorët, se sa asnjë zgjidhje e edhe më tej statuskuo në politikën evropiane të refugjatëve.

"Solidariteti i zhdërvjellët" i klubit katërsh evropianolindor ka pra padyshim shanse për sukses. Po të miratohet, me të mund të bashkohen edhe shtete të tjera, për shembull tri shtetet baltike. Përparësia: BE do të punontë sërish me tepër me njëri-tjetrin se sa kundër njëri-tjetrit. Disavantazhi: një ndarje më e drejtë e refugjatëve brenda BE në këtë mënyrë nuk do të ishte e mundur.