1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A mund të mbështetet Obama te Evropa?

19 Janar 2013

I rënduar nga problemet brenda vendit, Obama do të preferonte që shumë çështje ndërkombëtare t'ia linte t'i zgjidhte BE. Problemi është se askush nuk e di nëse Evropa është në gjendje t'ia dalë mbanë kësaj detyre.

https://p.dw.com/p/17NH7
Obama i pasigurtë
Obama i pasigurtëFotografi: AP

A ka BE dëshirë dhe aftësi, për të ruajtur rendin aktual liberal evropian, në kohën kur Rusia i ka kthyer kurrizin Perëndimit, kur Turqia e ka humbur shpresën për t'u anëtarësuar në BE dhe periferia e Evropës ka shumë probleme?

Dhe a do të jetë BE partner i besueshëm i Amerikës në Evropë, në një moment kur Uashingtonit i mungojnë burimet dhe oreksi për të qenë polic global dhe bota është në trazira konstante?

Këto janë ndoshta dy çështjet kritike që do të karakterizojnë axhendën evropiane të Presidentit Barack Obama në raundin e dytë të saj.

Komb me vështrim nga vetja

Kriza financiare e ka bërë Amerikën që t'i ndiejë kufijtë e fuqisë së saj globale. Barak Obama e kupton më mirë se çdo president tjetër se në ç'masë do të jetë i kufizuar roli i Amerikës në botë nga përmasat e buxhetit të saj gjigant publik dhe nga përvoja zhgënjyese e vendit në përballimin e administrimit të pasluftës në Irak dhe në Afganistan. Kështu që nuk është për t'u çuditur që përpjekjet e presidentit pritet të fokusohen në reformimin e Amerikës dhe jo në transformimin e botës.

Nevojitet partner solid

Por që të blejë kohë për projektin e tij për të rindërtuar Amerikën, Obamas i duhet të dijë sa efektiv mund të jetë BE si një fuqi rajonale dhe sa ambicioz mund të jetë BE si një fuqi globale.

Tani është shumë e dukshme se SHBA nuk kanë më burime për të vazhduar angazhimet si në Ballkan ose në Ukrainë; shtensionimi i Obamas me Rusinë është pjesë e historisë dhe Uashingtoni është i gatshëm t'ia përcjellë të gjitha problemet e lidhura me Evropën Brukselit.

BE dhe Rusia: partnerë?
BE dhe Rusia: partnerë?Fotografi: picture-alliance/dpa

Po a mund të mbështetet Obama te BE për ta bërë Moskën të mbajë qëndrimet e duhura? Shumë në Uashington janë skeptikë, por Obama nuk ka shumë alternativa.

Në krye të periudhës së tij të dytë në post është Britania dhe jo Greqia që preokupon mendjen e presidentit. Nuk është e vështirë të kuptohet që një BE pa Britaninë do të bëhej më provincial dhe i përqendruar edhe më shumë tek vetja. Kështu që rënia e ndikimit britanik në BE vetëm mund t'i nxjerrë probleme Obamas. Kjo sjell pyetjen logjike: a kanë influencë të mjaftueshme ShBA për ta mbajtur Britaninë e Madhe në BE? Kur vjen fjala për idetë e mëdha në marrëdhëniet bilaterale SHBA dhe BE, njeriu konstaton se ato thuajse mungojnë krejtësisht.

Kështu që çfarë mund të presin evropianët dhe BE nga mandati i dytë i Obamas? Jo shumë, druhem.

Presidenti Obama nuk ka një strategji të madhe për BE. Ato që ka ai janë vetëm frikëra dhe shpresa. Dhe do të jetë kjo balancë midis frikës dhe shpresës që do të përcaktojë politikat e tij në mandatin e tij të dytë.

Ivan Krastev, kryetar i Qendrës për Strategji Liberale në Sofie
Ivan Krastev, kryetar i Qendrës për Strategji Liberale në SofieFotografi: privat

Ivan Krastev është kryetar i Qendrës për Strategji Liberale në Sofie. Libri i tij i fundit, "I besojmë mosbesimit" u publikua këtë muaj nga TED.

Autor: Ivan Krastev/ Auron Dodi

Redaktoi: E. Xhani