1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

A mendojmë ne me drejtim nga e majta në të djathtë?

Zogjtë e pulës i lidhin sasitë e vogla me anën e majtë, ato të mëdha me anën e djathtë. Biopsikologu Onur Güntürkün mendon se pas kësaj fshihet një aftësi e lindur për drejtimin.

Hühnerküken

Ku ndodhet ushqimi majtas apo djathtas?

Studiues të mbledhur në një grup pune përreth psikologes Rosa Rugani nga Universiteti i Padovas kanë zbuluar se zogjtë e pulës treditësh, numrat e mëdhenj i lidhin me drejtimin djathtas, ndërsa numrat e vegjël me drejtimin majtas. Në një eksperiment zogjtë kërkonin ushqimin në një dhomë komplet të bardhë. Ushqimi ishte fshehur pas një fasade të bardhë, shpjegon Rugani në revistën „Science“ të publikuar më 29 janar 2015. Në rast se zogjtë e pulës arrinin ta gjenin ushqimin 20 herë, mund të thuhet se ata ishin të trajnuar. Më pas ata u dërguan në një dhomë, ku duhej të zgjidhnin mes dy fasadeve. Nëse tek të dyja fasadat ishin vendosur dy pika, 70% e zogjve merrnin drejtimin e majtë. Nëse në fasada vendoseshin tetë pika, 70% e zogjve të pulës zgjidhnin fasadën e djathtë. Ushqimi pas fasadeve mbetej i pandryshuar.

Prej këtij eksperimenti studiuesit arritën në përfundimin e përshkrimit të numrave në tru, si një rradhë e pandërprerë numrash nga e majta në të djathtë. Mbi këto rezultate, Deutsche Welle ka biseduar me biopsikologun Prof. Onur Güntürkun nga Universiteti i Bochumit.

Profesor Güntürkün, ju vetë keni eksperimentuar me pëllumbat për shkencat e neurologjisë. Çfarë do të thotë ky eksperiment i koleges nga Padova për aftësinë tonë të të kuptuarit nga e majta në të djathtë?

Ka shumë të dhëna nga studimet për këtë ҫështje. Disa lidhen me njerëzit dhe janë të vështira për t'u interpretuar, sepse mund të kenë ndikimin e faktorëve kulturorë. Por ka edhe studime pas eksperimenteve me majmunë. Dhe ato po ashtu arrijnë në konkluzionin se ne numrat i perceptojmë si një vijë mentale. Ne, njerëzit dhe qenie të tjera duket se i perceptojmë numrat vërtet si një radhë pasuese gjithnjë në rritje. Kjo nuk do të thotë që rritja e numrave ndodh nga e majta në të djathtë, por duket se strukturimi i tyre ka një drejtim.

Studimet nga psikologja Rugani nga grupi eksperimentues i studiuesit të neurologjisë, Giorgio Vallortigara, tregojnë se zogjtë e pulës, të sapolindur duket se kanë një tendencë perceptimi nga e majta në të djathtë.

Pse a mund të numërojnë zogjtë e pulës?

Tek zogjtë e pulës, por edhe tek qeniet e tjera jo njerëzore nuk kemi të bëjmë me numërimin si të tillë, por me një lloj vlerësimi përafrues. Madje edhe vetë njerëzit kur nuk numërojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por shkarazi, mund të bëjnë një lloj vlerësimi se 1 është më i vogël se numri 2, që numri 3 është më shumë se 2.

Kështu edhe ne tek eksperimenti me zogjtë e pulës, duhet të zmadhojmë distancën –sepse nuk bëhet fjalë për numërimin si e kuptojmë ne njerëzit. Kjo lloj llogaritjeje me sasi, megjithatë mund të përshkruhet në formë numerike. Në kuptimin që shumë-do të thotë më shumë, më shumë –edhe më shumë e kështu me radhë.

Ne njerëzit nuk do ta fillonim një aks kohor nga e djathta e ta vazhdonim në të majtë, edhe në sistemin koordinativ boshtet numerike x dhe y fillojnë nga e majta drejt së djathtës. A mund të thuhet se kjo është e programuar?

Pikërisht këtë të sugjerojnë këto të dhëna. Po qe se numrat i perceptojmë si sasi, mund të ndodhë që sasia në rritje korrespondon me një strukturë në tru me një drejtim. Me gjysmën e majtë drejt diҫkaje, me drejtimin e djathtë në largim.

Duhet ta kuptojmë ne veten si një reflektim në pasqyrë: Gjysma e majtë e trurit është përgjegjëse për anën e djathtë, dhe anasjelltas?

Po është vërtet kështu: Tek zogjtë e pukës, syri i majtë sheh fasadën e majtë, dhe i djathti, fasadën djathtas. Syri i djathtë transmenton informacione në gjysmën e majtë të trurit, dhe i majti në gjysmën e djathtë të trurit. Edhe tek njeriu mekanizmat janë pak a shumë kështu, vetëm se tek ne në këtë proces transmentimi marrin pjesë të dy sytë.

Neurologu zviceran Peter Brugger nga klinika universitare e Zyrihut në një koment për këtë studim ka hedhur dyshimin se ana e djathtë asociohet „pozitivisht“ –më shumë ushqim, ose „më mirë“. A mund ta konfirmoni këtë?

Ne e dimë se gjysma e majtë e trurit nuk përpunon gjërat „pozitive“, por bëhet fjalë më shumë për një lloj sjelljeje afrimi. Po qe se unë jam tani tejet i zemëruar me ju, dhe dua t'ua fus me grusht, kjo sigurisht nuk është një ndjenjë pozitive. Megjithatë orientimi vazhdon të bëhet me anën e majtë.

Pra një numër i madh nuk do të thotë patjetër diҫka pozitive, megjithëse testi u bë me ushqim. Besoj më shumë se mund të ketë lidhje me drejtimin e lëvizjes, që në tru është i koduar në mënyrë asimetrike.

Që do të thotë: Dua të mbërrij tek diҫka, shpesh ndodh kjo, dua të marr diҫka të ngrohtë, të shijshme, të afrohem tek diҫka e mirë. Por unë tentoj afrimin edhe për të bërë diҫka jo të mirë, si në rastin e grushtit. Kjo do të thotë: Veprimi i afrimit perceptohet me gjysmën e majtë të trurit, dhe ai i largimit nga diҫka me gjysmën e djathtë. Por ka mundësi që ky reagimi afrim-largim të lidhet edhe me kodin e sasisë. Nga „pak“ në „shumë“. Kjo sidomos sepse në eksperimentin me zogjtë e pulës, sasia, si „pak“ ashtu edhe „shumë“ u lidh me të njëjtën sasi ushqimi. Por zogjtë pritën me sa duket më shumë ushqim, aty ku truri i tyre asocioi sasinë më të madhe.

Ka sisteme shkrimi që kanë drejtimin nga e majta në të djathtë, të tjera në drejtimin e kundërt. Çfarë ndodh në këtë rast në tru?

Asimetria lidhet me drejtimin e shkrimit latin, kirilik apo grek, por ndryshon puna me shkrimin arab apo hebraik. Nëse kjo do të thotë diҫka për këtë vetëm mund të spekulojmë. Po qe se drejtimi është i lindur, siҫ po mendojmë pas konkluzioneve në eksperimentin me zogjtë e pulës, atëherë kjo nuk do të thotë patjetër, që ne nuk mund të zhvillojmë një kulturë që preferon drejtimin e kundërt.

Për shembull në katolicizëm njohim kulturën e askezës në një radhë profesionesh, gjë që nuk është menduar në mënyrë biologjike dhe nuk përkrahet me evolucionin. Kjo kulturë pra është zhvilluar në drejtim të kundërt me mekanizmat biologjikë. Pra kultura mund të fshijë parapërfytyrimet biologjike. Pse shkrimi semitik mund të bjerë ndesh me një paracaktim të mundshëm biologjik nga e majta në të djathtë nuk mund ta them. Këtë mund ta thonë historianët. Shpesh zhvillime të kulturore lidhen ngushtë me një situatë, apo edhe një person që në një fazë kritike bën diҫka që në fund shtrihet tek të gjithë.

Intervistën e zhvilloi Fabian Schmidt.

Profesor Onur Güntürkün është biopsikolog në Fakultetin e Psikologjisë së Universitetit Ruhr në Bochum. Ai u nderua në vitin 2013 me ҫmimin e njohur „Gottfried-Wilhelm Leibnitz“, që vlerëson studiuesit për rezultate kërkimore të shpjeguara në mënyrë të kuptueshme për publikun.