1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

A mbetet e hapur dera për në NATO?

Këto ditë afrohen përvjetorët e zgjerimit të NATO-s në Lindje. Por NATO e ka të vështirë të festojë për shkak të konfrontimit me Rusinë. Edhe pranimi i anëtarëve të rinj është një temë delikate.

Pesëmbëdhjetë, dhjetë dhe pesë: NATO feston këtë pranverë njëherazi një jubile të trefishtë. Në mars 1999 Polonia, Çekia dhe Hungaria ishin vendet e para të Traktatit të Varshavës, që iu bashkuan aleancës. Në prill 2004 erdhi i ashtuquajturi "Big Bang", zgjerimi i NATO-s me vendet balltike, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, të tria ish-republika sovjetike, si dhe me Bullgarinë, Rumaninë, Slloveninë dhe Sllovakinë. Në prill 2009 raundi deri tani i fundit i zgjerimit me Shqipërinë dhe Kroacinë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen e konsideron shtrirjen e aleancës në lindje dhe juglindje natyrisht pozitive. "Politika e portës së hapura të NATO-s ka qenë një sukses i vërtetë", tha Rasmussen pak para përvjetorit të pranimeve në Bruksel. Kjo politikë nuk është menduar kurrë si kërcënim ndaj Rusisë, apo dikujt tjetër: "Pas përfundimit të luftës së ftohtë para 25 vjetësh ne patëm një shans historik, që t'u ofrojmë të gjitha shteteve miqësinë tonë, për të eliminuar ndarjet e dhimbshme dhe t'i afroheshim synimit të hershëm për krijimin e një kontinenti të bashkuar, të lirë dhe në paqe."

Pritja e madhe e shtatë të rinjve 2004: Presidenti Bush me të ftuarit në Uashington.

Pritja e madhe e shtatë të rinjve 2004: Presidenti Bush me të ftuarit në Uashington.

Rezistencë e fortë nga Rusia

Megjithatë Rusia e sheh këtë ndryshe. Ndaj kësaj presidenti rus Vladimir Putin nuk ka lënë asnjë dyshim vitet e fundit, për shembull në samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008. "Shfaqja e një aleance të fuqishme ushtarake në kufirin e Rusisë do të konsiderohet si kërcënim direkt", pati thënë Putin në një konferencë shtypi. NATO i dha në Bukuresht Gjeorgjisë dhe Ukrainës garancinë e përgjithshme, se ato mund t'i bashkoheshin dikur aleancës. Por premtimet konkrete u shmangën për shkak të kundërshtimit të Putinit.

Në fillim të mandatit të tij Vladimir Putin nuk ishte kundër një bashkëpunimi me "NATO-n e re". Në një intervistë për "BBC" në vitin 2000 ai mendonte madje edhe për anëtarësimin e Rusisë në Aleancë. "Pse jo?" pati thënë Putin në atë kohë.

NATO mbetet kundërshtari: Presidenti Putin në Bukuresht 2008

NATO mbetet kundërshtari: Presidenti Putin në Bukuresht 2008

Me kalimin e viteve u forcua qëndrimi refuzues, sidomos pasi NATO në vitin 2004 pranoi tre shtetet baltike, që ishin dikur territor sovjetik. "Ne e kemi keqkuptuar ndjenjën e thellë të rusëve dhe opinionin publik në vend dhe vazhdojmë ta keqkuptojmë: Rusia ka frikë nga rrethimi", tha Giles Merritt për Deutsche Welle. Ai drejton "Security and Defence Agenda" (SDA), një thinktank për politikën e sigurisë në Bruksel. "Ne kemi bërë gabime të rënda në Perëndim me mesazhet politike, që i kemi dërguar Rusisë. Marrja në konsideratë e një anëtarësimi të Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO ka qenë politikë e keqe."

Obama: NATO nuk do të pranojë tani për tani anëtarë të tjerë

Për shkak të krizës aktuale politike në Krime dhe Ukrainë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen nuk e zë më në gojë fjalën anëtarësim. Në një takim me kryeministrin e Ukrainës Arsenij Jazenjuk në fillim të marsit Rasmussen ofroi një bashkëpunim më të ngushtë me Ukrainën dhe manovra të përbashkëta. Për të mos e thelluar më tej krizën me Rusinë, Arsenij Jaszenjuk iu përgjigj kështu pyetjes së një gazetari, nëse Ukraina do të hyjë në NATO: "Këtë nuk e kemi në ekranin e radarit." Kreu i shtetit kryesues të NATO-s, presidenti amerikan Barack Obama gjatë vizitës së tij në Bruksel të mërkurën (26.03.) ishte jashtëzakonisht i qartë: "As Ukraina dhe as Gjeorgjia nuk janë në rrugën e anëtarësimit në NATO. Nuk ka plane për zgjerimin në një kohë të afërt. Unë e di, që Rusia, së paku pas dyerve të mbyllura, argumenton se një shkak për frikërat në çështjen e Ukrainës është edhe frika nga një anëtarësim i mundshëm i Ukrainës në NATO."

Ukraine Russland Krim-Krise Jazenjuk und Rasmussen 06.03.2014

Anëtarësimi as në radar: Sekretari i përgjithshëm i NATO-s (djathtas) dhe kryeministri i Ukrainës

Çdo demokraci në Evropë duhet ta ketë të hapur derën e NATO-s, ky është vendimi zyrtar i samiteve të ndryshme të NATO-s. Përmes kësaj dere dëshiron të hyjë në të ardhmen shteti i vogël i Malit të Zi në Ballkanin perëndimor. Këtë e konfirmoi presidenti i Malit të Zi Milo Djukanovic në vizitën e tij të fundit në selinë e NATO-s: "Ne shpresojmë se progresi në bashkëpunim së shpejti do të ketë rezultate. Ne presim që të anëtarësohemi në NATO dhe që në Walles të na jepet ftesa për anëtarësim." Atje takohen në shtator 2014 kryetarët e shteteve anëtare të NATO-s në samitin e ardhshëm. Përveç Malit të Zi edhe Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina duan të pranohen në aleancë. Edhe Gjeorgjia, rajonet separatiste të së cilës Abkazia dhe Osetia Jugore që nga viti 2008 janë të pushtuara nga Rusia, dëshiron të hyjë në NATO. Por shanset janë të pakta për shkak të konfliktit me Rusinë. Vetëm Serbia nuk do të hyjë në NATO. Rezervat për shkak të bombardimit nga trupat e NATO-s në luftën e Kosovës në 1999 janë të mëdha.

"NATO dhe Rusia kanë interesa të përbashkëta"

Giles Merritt: Shumë gabime në Perëndim

Giles Merritt: Shumë gabime në Perëndim

Eksperti i sigurisë Giles Merritt nga think tank SDA i rekomandon NATO-s dhe rusëve, që të përqendrohen në mbrojtjen e përbashkët nga rreziqet dhe kërcënimet, si luftimi i terrorizmit dhe mbrojtja nga sulmet e raketave nga Irani apo Koreja e Veriut. "Ne dhe rusët kemi nevoja të përbashkëta të sigurisë. Unë nuk mendoj, se e kemi bazuar politikën tonë sa duhet mbi këto baza." Edhe në armatimin konvencional besimi ndërmjet NATO-s dhe Rusisë është thyer ndjeshëm. Marrëveshja për trupat konvencionale në Europë (KSE) është praktikisht e vdekur. Edhe mbrojtjen strategjike kundër raketave, që dëshiron të instalojë NATO, Rusia e sheh si kërcënim.

Kjo bllokadë ekzistuese midis aleatëve të NATO-s dhe Rusisë është çimentuar nga kriza e Krimesë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmusen i qëndron besnik parimit të derës së hapur për anëtarësime të mëtejshme: "NATO i përmbahet parimit, që çdo komb duhet të vendosë për të ardhmen e tij. NATO do të mbetet një burim stabiliteti në një botë, që është e vështirë të parashikohet."