1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

A luan Pakistani rol të dyfishtë?

Kreu i Al-Kaida-s Osama bin Laden qëndroi i fshehur për vite me radhë në Abottabad të Pakistanit. Kjo e vë në pikëpyetje besueshmërinë ndaj Pakistanit si aleat i Perëndimit.

Pakistanezët mbajnë një flamur amerikan që digjet

Pakistanezët mbajnë një flamur amerikan që digjet

Marrëdhëniet mes Pakistanit dhe SHBA-së janë plot variacione: Në vitet 1980-të Islamabadi dhe Uashingtoni ishin partnerë të ngushtë. Të paktën deri sa u tërhoq Ushtria e Kuqe nga Afganistani në vitet 1988/1989. Pastaj Amerika nuk kishte më interes. Vetëm pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 Pakistani sërish fitoi vëmendjen e SHBA-së – para së gjithash si rrugë furnizimi për luftën kundër talebanëve dhe Al Kaida-s. Këtë bashkëpunim të ri strategjik Pakistani vërtet që e pranoi – por me gjysmë zemre, sepse Islamabadi kishte marrëdhënie të mira me regjimin e talebanëve dhe deri më sot ndjek synimet e veta ekonomike në vendin fqinj.

«Interesi tjetër i Pakistanit është që ta ketë të ashtuquajturën «thellësi strategjike» në Afganistan. Pakistani dëshiron të krijojë në Afganistan një qeveri që ndjek interesat e Pakistanit», shpjegon eksperti për Azinë Juglindore, Conrad Schetter. Prandaj Pakistani nuk ka interes të luftojë ashpër kundër talebanëve, ish-aleatëve të dikurshëm. Me «thellësi strategjike» në Afganistan nënkuptohet një zonë tërheqjeje për ushtrinë pakistaneze në rast lufte me Indinë. Tri luftëra kanë pas dy fuqitë atomike. Konfliktet rreth kufirit nuk janë zgjidhur as sot e kësaj dite. Rivaliteti ndërmjet dy vendeve bart konflikt prej disa dekadash.

Aleatë kundër Indisë

Lidhje jo e thjeshtë. Samiti tresh në Uashington: Barack Obama në pultin e folësit, majtas e djathtas politikanë

Lidhje jo e thjeshtë. Samiti tresh në Uashington: Barack Obama në pultin e folësit, majtas e djathtas politikanë

Strategjia aktuale e Islamabadit është që të kërkojë bashkëpunim të ngushtë me forcat fundamentaliste, shpjegon eksperti i terrorizmit Rahimullah Yusufzai. Pakistani mendon se fundamentalistët janë parimisht kundër Indisë, sepse India nuk është një vend me shumicë myslimane. Islamabadi dëshiron, që, në rast lufte të re me Indinë, ta ketë aleat Afganistanin. Prandaj talebanët që synojnë të krijojnë në Hindukush shtetin e perëndisë do të shkonin shumë mirë me planet e Pakistanit për rajonin.

Një politikë, të cilën sipas Yusufzaisit Perëndimi ose nuk e kupton, ose nuk dëshiron ta kuptojë. «Ndryshimi i pikëpamjeve mes Pakistanit dhe SHBA-së e pjesës tjetër të Perëndimit ka të bëjë me politikën ndaj talebanit». Përveç kësaj, talebani dëshiron të luajë një rol vendimtar në këto negociata. «Ndërsa SHBA-ja dëshiron edhe më tej ta mposhtë talebanin», thotë Yusufzai.

Kërkesa të qarta të SHBA-së

Për vite me radhë Vaziristani ishte një vend strehimi për talebanët. Një hartë e Vaziristanit, që ndodhet mes Pakistanit dhe Afganistanit

Për vite me radhë Vaziristani ishte një vend strehimi për talebanët. Një hartë e Vaziristanit, që ndodhet mes Pakistanit dhe Afganistanit

Edhe qeveria e SHBA-së është ndërkohë për negociata. Por me kusht që talebanët të shkëputen nga rrjeti terrorist i Al Kaidës. Rreth 100.000 ushtarët amerikanë në Afganistan duhet t'i detyrojnë talebanët për biseda paqësore. Sulme masive kërcënuese ndaj strehimeve të ekstremistëve në Pakistan janë pjesë e kësaj strategjie të Amerikës. Mesazhi i SHBA-së është i qartë: një bashkëpunim ndërmjet Pakistanit dhe terroristëve nuk do të lejohet. Kjo, sipas politologut Jochen Hippler, ndërkohë u ka vajtur në vesh edhe disa përfaqësuesve të qeverisë në Islamabad. «Shumë viktima dhune të viteve të fundit në Pakistan kishin të bënin thjesht me faktin se lufta e Afganistanit pjesërisht ishte zhvendosur në vend të vet. Por mbajtja e Afganistanit në gjendje të paqëndrueshme, i sjell Pakistanit më shumë dëm se dobi.

E megjithatë, ekspertët dyshojnë se qeveria pakistaneze nuk është në gjendje ta kthejë kursin e saj politik me 180 gradë. Ushtria pakistaneze është e fuqishme, shërbimi i fshehtë me influencë, madje nganjëherë është ai që e jep drejtimin. Nga ana tjetër, vendi nuk dëshiron të heqë dorë nga ndihma vjetore prej disa miliardash që vjen nga Uashingtoni. Qeveria në Islamabad pra, bën një lojë të dyfishtë e të rrezikshme për të ruajtur edhe dashamirësinë e aleatëve fundamentalistë edhe atë të qeverisë së SHBA-së, mendojnë ekspertët. Një lojë, të cilën me sa duket Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të gatshëm ta tolerojnë më gjatë.

Partneritet i vështirë

Tepër presion ndaj qeverisë mund të favorizonte forcat islamike. Një kamp trajnimi në kufi me Afganistanin: Burra të maskuar me armë në duar

Tepër presion ndaj qeverisë mund të favorizonte forcat islamike. Një kamp trajnimi në kufi me Afganistanin: Burra të maskuar me armë në duar

Por, për ta bërë Pakistanin që të ndryshojë mendje, Uashingtonit i duhet shumë durim, thotë Hennig Rieke, ekspert për SHBA-në pranë Shoqërisë Gjermane për Politikë të Jashtme (DGAP). Qeveria e SHBA-së nuk ka shumë alternativa në dorë. «Amerikanët përpiqen të ushtrojnë më shumë presion ndaj Pakistanit. Njëkohësisht e dinë se kur ky presion bëhet tepër i madh dhe qeverisë së dobët të Islamabadit i shket toka nën këmbë, atëherë dëmi i përgjithshëm është shumë më i madh. Është e mundshme që në një rast të tillë të dalin në krye forcat islamiste.» Dhe këtë, thotë Rieke, natyrisht që Amerika nuk e do.

Uashingtoni dhe Islamabadi në luftën kundër talebanit dhe Al Kaida-s në Afganistan ndjekin interesa krejt të kundërta. E megjithatë, në këtë partneritet të vështirë që i lidh, ata mbeten të varur nga njëri-tjetri.


Autor: Ratbil Shamel / Anila Shuka
Redaktion: Vilma Filaj-Ballvora