1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

A kanë qenë legale aksionet e përgjimit të SHBA?

Prej nisjes së spekullimeve se celulari i Angela Merkelit është përgjuar nga shërbimi i fshehtë i SHBA, shqetësimi është i madh. Ekspertët diskutojnë mundësinë që përgjimi të jetë lejuar nga ligjet gjermane.

Nga Lufta e Dytë Botërore sapo kishin kaluar dhjetë vjet, kur Republika e re Federale Gjermane nënshkroi me fuqitë perëndimore fituese SHBA, Britani e Madhe dhe Francë marrëveshjen e Gjermanisë. Kjo marrëveshje i jepte sovranitetin e plotë RFGJ. Njëkohësisht, qeveria gjermane u jepte aleatëve edhe të drejta të ndryshme. Siç zbuloi në vitin 2012 historiani i Freiburgut, Josef Foschepoth, qeveria gjermane dha miratimin për operacione të gjera të shërbimeve të fshehta në territorin gjerman dhe ra dakord për të lejuar kontrollin e rrjetit të postave dhe të telefonave të Gjermanisë perëndimore. "Këto marrëveshje janë të vlefshme deri sot dhe të detyrueshme për çdo qeveri gjermane", thotë Foschepoth në intervistë me DW.

Historiani Josef Foschepoth

Historiani Josef Foschepoth

Me fjalë të tjera: madje edhe një përgjim i celularit të kancelares gjermane, Angela Merkel mbështetej në një bazë juridike. "Vërtet që në dokumentacionin sekret të viteve '50 nuk shkruhej askund fjalë për fjalë që shërbimet e fshehta të SHBA-së lejohet të spiunojnë qeverinë gjermane - por nga ana tjetër kjo as nuk ndalohej në mënyrë të qartë", thotë Foschepoth.

Në marrëveshjen e Gjermanisë, kancelari Konrad Adenauer u ka rezervuar aleatëve një të drejtë, në bazë të së cilës nuk mund të kishte më kthim pas në paprekshmërinë e sekretit të postës dhe të telekomunikacionit, siç shkruhej në kushtetutë. "Kështu u krijua një kompleks i madh i shërbimeve të fshehta midis gjermanëve dhe aleatëve", thotë Foschepoth. NSA-ja në fund të fundit u rrit dhe u bë e madhe në RFGJ, në "shtetin e frontit" të Luftës së Ftohtë. Deri sot ajo ka qendra të saj në Gjermani, p.sh. në Wiesbaden.

Për sa kohë janë në fuqi të drejtat e posaçme?

Nëse marrëveshjet e atëhershme kanë vlefshmëri edhe sot për veprimet e shërbimeve amerikane, kjo është e diskutueshme. Nikolaos Gazeas, ekspert i së drejtës ndëkombëtare në Universitetin e Kölnit vërtet e konsideron impresionuese punën kërkimore të Joseph Foschepothit, por konkluzionet e tij ai nuk i quan të sakta. "Edhe po të nisesh nga fakti që aleatëve iu dha atëherë një e drejtë e tillë e posaçme, kur interpreton një marrëveshje duhet mbajtur parasysh edhe vullneti i palëve - dhe ai as atëherë nuk mund të ketë qenë i tillë, që qeveria gjermane të përgjohet", thotë Gazeas. Nga marrëveshja nuk arrin në përfundimin se lejohet një përgjim i kancelares gjermane në vitin 2013.

U dha aleatëve shumë të drejta: Konrad Adenauer

U dha aleatëve shumë të drejta: Konrad Adenauer

Veç kësaj është e diskutueshme nëse këto marrëveshje kanë vlefshmëri deri sot. Edhe deklarime të tjera të njërës nga të dyja palët mund ta shpallin të pavlefshme një marrëveshje. Sipas Gazeas, është e mundur që kjo të ketë ndodhur me deklaratat e qeverisë së SHBA përballë Gjermanisë në verën e kaluar. NSA pranoi se kish bërë gabime dhe kërkoi falje.

Ju lutem mos spiunoni!

Për të shmangur në të ardhmen përpjekje për të spiunuar aleatët, shtetet evropiane po punojnë për hartimin e një të ashtuquajture "marrëveshje-no-spy". Në të, palët e prekura shprehin zotimin që të mos e spiunojnë njëra-tjetrën. Marrëveshje të tilla duan të lidhin Gjermania dhe Franca me SHBA, edhe kjo e fundit e prekur nga aksionet e përgjimit të SHBA.

Nikolaos Gazeas i mbështet marrëveshje të tilla: "Një marrëveshje e tillë do të qe marrëveshje ndërkombëtare dhe do të fiksonte të zezë mbi të bardhë, që një përgjim i qeverisë gjermane është absolutisht i palejueshëm. Atëherë do të shmangeshin edhe dyshimet më të fundit për faktin që një veprim i tillë përgjimi është i ndëshkueshëm."

Përsa i përket së drejtës ndërkombëtare, përgjimi i celularit të Angela Merkelit hyn në aspektin e spiunazhit. Në bazë të § 99 të Kodit Penal gjerman, "një veprimtari agjentësh të shërbimeve të fshehta" është e ndëshkueshme - deri në dhjetë vjet heqje lirie kërcënojnë në raste të rënda. Që puna të vijë deri këtu, ka pak gjasa.

Punën në aspektin diplomatik paraqitet ndryshe: Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle thirri këtë javë Ambasadorin e SHBA, Angela Merkeli i telefonoi direkt Barack Obamas. Derisa të rivendoset raporti i mirë gjermano-amerikan do të duhet kohë, pavarësisht nga fakti nëse përgjimi i amerikanëve kishte bazë juridike apo jo.