1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

A ka varësi të institucioneve të Kosovës nga ndërkombëtarët?

Në Kosovë, analistë dhe figura politike nga opozita, thonë se institucionet e Kosovës kanë krijuar një varësi nga prania ndërkombëtare, pavarësisht faktit që Kosova tani është e pavarur.

Prishtina

Prishtina

Në Kosovë ka shumë zëra që shfaqin drojën se institucionet e Kosovës dhe lidershipi i vendit kanë krijuar një lloj varësie nga prania ndërkombëtare në Kosovë. Analistë dhe figura politike nga opozita, thonë se tash pas shpalljes së pavarësisë, institucionet e këtushme duhet të marrin vendime brenda përgjegjësive që u lejon Kushtetuta, gjithmonë duke u konsultuar me partnerët ndërkombëtarë, por jo që për marrjen e vendimeve të pyetet faktori ndërkombëtar. Ata marrin shembull, hartimin disa muaj më parë të planit katër pikësh të institucioneve të Kosovës për të kundërshtuar një plan gjashtë pikësh të OKB-së, në të cilin thuhej se për shumë çështje që kanë të bëjnë me serbët e Kosovës duhet zhvilluar konsultime edhe me Beogradin. U desh vetëm ndërhyrja e ish- zëvëndës-sekretarit amerikan të shtetit Daniel Fried, që t'i shtyjë institucionet e Kosovës që planin katër pikësh të Prishtinës, ta dërgojnë të shkruar në KS të OKB-së, ku deklarohej qartë se Kosova ka sovranitetin e vet dhe për çdo veprim brenda territorit të Kosovës dhe për qytetarët e saj vendos parlamenti i vendit. Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se vendimet që kanë marrë institucionet e Kosovës, çfarëdo të kenë qenë ato, kanë qenë në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe ato nuk duhet kuptuar që Kosova merr leje për veprimet e saj.

“Të gjithë rrugën që kemi bërë deri në shpalljen e pavarësisë, e kemi bërë në koordinim të plotë me patnerët ndërkombëtarë. Në këtë kuadër, kjo duhet të shihet si partneritet, e në asnjë mënyrë si varësi nga bashkësia ndërkombëtare”, thotë Memli Krasniqi.

Por njëri nga liderët e opozitës në Kosovë, Ramush Haradinaj, thotë se varësia e institucioneve të Kosovës nga faktori ndërkombëtar ekziston, dhe ky fenomen sipas tij po i sjell vetëm dëme vendit.

“Bashkësia ndërkombëtare ka rënë vetë dakord që Kosova të marrë përgjegjësitë për punët e saj. Ne marrim një përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare, përkrahje në siguri në rend dhe ligj, por marrja e kësaj përkrahjeje nuk duhet kthyer në varshmëri, sepse vetë qëllimi i kësaj përkrahjeje është që neve të na aftësojë që t'i kryejmë vetë detyrat e shtëpisë sonë”, thotë Ramush Haradinaj.

Analistët nga ana e tyre, thonë se varësia e institucioneve të Kosovës nga prania ndërkombëtare është edhe pjesë e mendësisë kosovare e krijuar ndër dekada, sepse, me vite të tëra pas përfundimit të luftës, faktori ndërkombëtar ka qenë vendimmarrës në Kosovë. Kjo kulturë e varësisë, sipas analistit Driton Lajçi, vazhdon edhe sot, pavarësisht se Kosova është vend i pavarur.

“Kosova e ka të vështirë ta krijojë pavarësi institucionale dhe vendimarrëse sepse, bashkësia ndërkombëtare, akoma ka ndikim në procesin e vendimmarrjes. Dhe tjetra është se këtu ekziston akoma i pranishëm mentaliteti i kaluar i varësisë nga bashkësia ndërkombëtare”, thotë analisti Driton Lajçi.

Analistët thonë se politika e bashkësisë ndërkombëtare, një kohë si vendimmarrëse dhe tash pas shpalljes së pavarësisë si mbikqyrëse, e ka krijuar me dashje apo pa dashje fenomenin e varësisë. Si rrjedhojë e kësaj, tashmë ekziston edhe perceptimi qytetar se institucionet e Kosovës nuk vendosin vetë, por varen krejtësisht nga ato që i thonë qoftë përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, qoftë ambasadat e vendeve më të industrializuara.

  • Data 10.03.2009
  • Autor Bekim Shehu/Prishtinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H9Iy
  • Data 10.03.2009
  • Autor Bekim Shehu/Prishtinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H9Iy