1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

A ka krizë parlamentare në Maqedoni?

Mungesa e dialogut politik midis mazhorancës dhe opozitës në parlament dhe zvarritja e zgjidhjes së zënkës për emrin, mund të ketë si pasojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni.

Parlamenti i Maqedonisë.

Dialogu politik duhet të rikthehet në parlamentin e Maqedonisë ose në të kundërtën është e mundur kriza politike parlamentare. Ky është konstatim i një pjese të deputetëve dhe eskpertëve që merren me demokracinë parlamentare në Maqedoni. Disa grupe parlamentare prej një kohe të gjatë nuk vijnë në takimet e koordinimit me kryetarin e parlamentit. Në mesin e tyre dominojnë grupet e opozitës, të cilët vlerësojnë se mazhoranca nuk po përfill asnjë iniciativë të tyre.

Flora Kadriu, deputete e Demokracisë së Re, vlerëson se në parlament mungon dialogu politik që nënkupton transparencën, fleksibilitetin dhe vullnetin e mirë për tejkalimin e dallimeve midis mazhorancës dhe opozitës.

“Ne nuk gjejmë mirëkuptimin që të gjitha debatet e nevojshme të hapen, të shprehen mendime, qëndrime, të nxirren konkluzione. Ishim tepër të pakënaqur nga mospërfillja, nga sjellja injoruese nga mazhoranca dhe andaj kemi vendosur të mos marrim pjesë në trupin koordinues të parlamentit”, - thotë Flora Kadriu. Ajo ka vërejtje edhe për vonesën e miratimit të ligjeve evropiane.

Për deputeten e BDI-së, Ermira Memeti-Devaja, harmonizimi i legjislacionit vendor me atë Evropian nuk është procedurë e thjeshtë. Por atë e shqetëson një fakt tjetër.

“Ajo që është më shqetësuese është se ligjet që miratohen e që janë nga axhenda evropiane, në fakt në përmbajtjen e tyre janë antievropiane, shembull tipik është ligji i sapomiratuar për mosdiskriminim të cilin e miratoi parlamenti”, - thotë Ermira Memeti-Devaja.

Deputetja e liberal-demokratëve opozitarë Roza Topuzovska -Kareva, vlerëson se mospërfillja e opozitës nga mazhoranca cënon dukshëm demokracinë parlamentare në Maqedoni: “Demokracia parlamentare nënkupton respektimin e opozitës mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodh në parlamentin e Maqedonisë. Kjo ka si rezultat mosfunksionimin e tij ashtu siç duhet”.

Politologu Hisen Ramadani vlerëson se kur grupet parlamentare fillojnë me bojkotimin e punimeve të parlamentit dhe kur mungon dialogu politik midis opozitës dhe pozitës, situata mund të rezultojë me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por këtë mendim nuk e ndajnë deputetët.

“Proceset politike ndoshta po zhvillohen në këtë drejtim, është tejet i diskutueshëm ky moment. Mendoj se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme”, - thotë deputetja e DR-së Flora Kadriu.

Deputetja Ermira Memeti -Devaja nuk pranon të besojë se po krijohet ambient për zgjedhje të parakohshme sepse ato nuk do t'i sillnin asnjë të mirë Maqedonisë.

“Të gjithë e dinë se cilat janë prioritet e vendit dhe të gjithë e dinë se në cilat detyra dhe obligime Maqedonia dhe qeveria duhet të fokusohen në këtë periudhë. Ndër këto obligime më themelori, më kryesori është zgjidhja e kontestit të emrit me Republikën e Greqisë.”

Partitë opozitare akuzojnë qeverinë për mosfunksionimin e mirëfilltë të parlamentit pasi sipas tyre ajo dirigjon veprimet e mazhorancës në parlament.

Autor : Fatos Musliu

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 19.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N07T
  • Data 19.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N07T