1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

A ka gjuhë konsensusi në Shqipëri?

Dr. Ermal Hasimja, politolog dhe pedagog në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë mendon se në dy dekada të aktivitetit parlamentar në Shqipëri në pjesën më të madhe ka munguar gjuha e konsensusit

default

Duke u vënë në plan të parë interesi personal apo i grupimeve të ndryshme polikanësh, sipas Dr. Ermal Hasimja, shkaktohet “jetëshkurtësia” e ligjeve që miratohen, shkaktohen gjithashtu dhe situatat konfliktuale dhe bllokuese në diskutimin dhe miratimin e reformave thelbësore që nevojiten në procesin integrues të vendit. “Që nga momenti që këtu përplasen interesa personale, interesa partiake të drejtëpërdrejta, kalkulime partiake, atëherë dhe lufta politike bëhet e pashpresë dhe e pakompromistë. Është shumë e vështirë të arrish kompromis, kur dihet që një lëvizje e tjetrit mund të kushtojë diçka shumë të vlefshme për ty. Kjo shihet psh tek kalkulimet që bëhen për kodet elektorale, apo për gjëra të ngjashme. Nëse marrëdhënia e përfaqësimit me elektoratin do të ishte shumë më e sinqertë, më e hapur, më e fortë e më funksionale, siç është në demokracitë përendimore, atëherë do të ishte shumë e kollajtë të kishte kompromise”.

Partitë politike udhëhiqen më tepër nga politika e ditës

Dr. Hasimja vë re që një pjesë e ligjeve të rëndësishme që janë miratuar nga parlamenti në dy dekadat e fundit, ose janë amenduar në mënyrë thelbësore, ose janë rishkruar edhe një herë nga fillimi. Një ligj ose pjesë të veçanta të tij mund të ndryshojnë me kalimin e kohës, sepse këtë e dikton zhvillimi shoqëror, por është shqetësuese kur ligji “vjetërohet”, pas një periudhe të shkurtër, një ose disavjeçare kur është votuar në parlament, thotë dr. Ermal Hasimja për DW. “Ndodh për shkak të kalkulimeve politike, por ndodh dhe për arësye edhe më shumë banale, për shkak të paaftësisë. Plus që edhe vetë partitë politike në fakt udhëhiqen më tepër nga politika e ditës, se sa nga një politikë afatgjatë. Kësaj i shton dhe faktin se pazaret e ndryshme politike që bëhen ndikojnë në këtë lloj ‘arnimi' të ligjeve gjë që na çon deri në situata qesharake, siç ishte ajo e ndryshimeve kushtetutese, që ndërmerren brenda një dite, brenda 24 orësh merret vendimi, ndryshohet kushtetuta, sikur ajo të ishte një deklaratë çfarëdo dhe jo dokumenti themeltar i funksionimit të shtetit.”

Konkurencë mes individëve e jo mes ideve dhe platformave

Në aktivitetin parlamentar të dy dekadave të fundit në Shqipëri ka patur dhe raste kur ndonjë deputet apo grupe deputetësh janë shkëputur nga partia me të cilën kanë marrë mandatin duke rikonfiguruar raportet mes forcave politike. Dr. Ermal Hasimja e shikon këtë fenomen si një proces të natyrshëm, por ai shton, se po të hysh më në thellësi të studimit të këtyre rasteve, vëren në pjesën më të madhe konkurencën mes individëve në strukturat drejtuese të partive, se sa konkurencën mes ideve dhe platformave. “Dallimi qëndron tek arsyet se përse këto ndodhin. Nëse në demokracitë e konsoliduara, me një marrëdhënie të fortë përfaqësimi, këto ndodhin kryesisht për arësye ideologjike- pra kur një fraksion i një partie nuk e gjen veten në planin e përfaqësimit që ka kjo parti- në Shqipëri kjo ndodh për arsye të tjera: për arsye thjesht personale, për arsye të marrëdhënieve të rregullimit të brendshëm të pushtetit brenda një partie. Ndaj shikojmë dhe fraksione partish që nuk kanë më tepër mbështetës se sa një autobus… Ose kur marrëdhëniet e tyre me elektoratin e kanë tërësisht klientelist, pra skanë lidhje me nevojat e përfaqësimit, por kanë lidhje me nevoja thjesht klienteliste. Do ta shikoja si pozitive, ose si normale në fund të fundit, që në demokraci disa njerëz qoftë dhe brenda një partie ta ndjejnë veten të pakënaqur dhe të duan të parfaqësojnë diçka tjetër dhe ajo të cilën partia ka vendosur të përfaqësojë.”

Çdo lloj politike në Shqipëri duhet të legjitimohet nga ndërkombëtarët

Një nga aspektet e pandryshuara në jetën parlamentare të dy dekadave të tranzionit demokratik në Shqipëri është domosdoshmëria e ndërhyrjeve dhe deri presioneve nga ana e ndërkombëtarëve për të zgjidhur ose tejkaluar situata krize a ngërçi në skenën politike. Këtë element dr. Ermal Hasimja e shikon të lidhur me marrëdhëniet mes mazhorancës dhe opozitës në parlament, me frymën e mosbesimit që ekziston mes tyre, por dhe humbjen e besimit që kanë qytetarët tek klasa politike. “Kjo ndodh sepse duke humbur besimin elektorati tek politikanët vendas, atëherë kemi nje zhvendosje të procesit të prodhimit të legjitimitetit. Ideja është që çdo lloj politike në Shqipëri duhet të legjitimohet nga ndërkombëtarët dhe nxitësit kryesorë të kësaj paradoksalisht janë vetë politikanët shqiptarë. Që në momentin kur ata dalin publikisht dhe thonë se ‘kështu thanë ndërkombëtarët…', ose që ‘ndërkombëtarët janë kundër..' apo ‘shikoni se çfarë thotë ky raport…' etj., kjo bën që gjithçka të lidhet me miratimin e ndërkombëtarëve. Por kjo vjen dhe me një lloj abuzimi me dëshirën e shqiptarëve për t'u integruar në Europë. Psh sidomos para procesit të marrjes së statusit të lëvizjes pa viza në zonën Schengen kishte më shumë rëndësi çështja e integrimit në Europë që u bë një çështje abstrakte, sesa çështja e mirëqënies ekonomike të Shqipërisë. Nëse dikush do të vinte nga jashtë që të dëgjonte ligjërimin politik të integrimit do të rezultonte se këtu na ishte më shumë e rëndësishme dhe ndoshta shqiptarët do të vdisnin dhe urie vetëm që të futeshin në Europë. Ndërkohë që kjo nuk është e vërtetë, sepse shqiptarët edhe futjen në Europë e kanë në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. Unë do të mendoja se shumica e shqiptarëve do të preferonin sot që të ishin më mirë si Zvicra jashtë Europës, sesa si Bullgaria brenda Europës. Ky ligjërim politik ju intereson polikanëve shqiptarë, sepse në pamundësi për të prodhuar legjitimitet vendas detyrohen të shfrytëzojnë këtë burim alternativ ligjitimiteti”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Esat Ahmeti