1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

A i kanë shpëtuar policisë atentatorët?

Të paktën një komando terroriste duket se ka arritur të largohet pas atentateve në Paris.

Dy ditë pas atentateve të përgjakshme në Paris është gjetur një veturë e zezë e markës Seat. Këtë veturë atentatorët mendohet se e kanë përdorur në sulmet e tyre ndaj kafeneve dhe restoranteve. Automjeti u gjet në periferinë lindore të Parisit, Montreuil dhe në të ndodheshin disa kalashnikovë. Armë si këto i patën përdorur atentatorët në Paris.

Prokurori i Parisit, François Molins bëri të ditur se sipas dëshmitarëve sulmuesit patën përdorur një Seat të zi, kur hapën zjarr të premten në orën 21:32 në një bar në Rue de Fontaine au Roi dhe në orën 21:36 në një restorant në Rue de Charonne

Sipas vlerësimit të policisë, gjetja e veturës do të thotë se njëra nga të tri komandat terroriste ka arritur të largohet, siç bëri të ditur televizioni Europe 1. E paqartë mbetet nëse dorasit vazhdojnë të jenë në arrati apo nëse janë ata që u arrestuan të shtunën në Belgjikë. Atje, në një bastisje të policisë në lagjen e migrantëve të Brukselit Molenbeek u arrestuan disa vetë. Njëri prej tyre besohet se të premten në darkë ka qenë në Paris.

I pari që u identifikua nga atentatorët ishte 29 vjeçari Omar Ismail Mostefai. I riu i lindur në jug të Parisit ka qenë disa herë i dënuar për vepra të ndryshme penale dhe kishte rënë në sy për shkak të radikalizimit të tij, deklaroi prokuroria.   Babai dhe vëllai i tij u morën në arrest të shtunën në mbrëmje. Veç babait dhe një vëllai u arrestua edhe gruaja e tij. Veç kësaj u bastisën banesat e tyre. Hetuesit bënë të ditur se është e zakonshme në rastë të tilla, që të afërmit të kalojnë në paraburgim, për t'u marrë në pyetje. Vëllai 34 vjeçar tha se nuk ka pasur prej kohësh kontakt me Mostafein.