1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

A hanë kosovarët ushqime të helmuara?

Pas bërjes publike të raportit të Këshillit të Evropës, për ndotjen e tokës pjellore në Kosovë, shumë njerëz janë shqetësuar. Autoritetet qeveritare thonë se këto pohime nuk janë reale.

Fëmijë nga Kosova

Hanë fëmijët në Kosovë ushqime të ndotura?!

Në raportin e Këshillit të Evropës (KE) nën titullin "Mbështetja e mëtejsheme e shfrytëzimit të tokës", siç kanë njoftuar mediat në Kosovë,  thuhet se për shkak të helmimit të tokës me metale të rënda, konsumimi i pemëve, perimeve, mishit dhe prodhimeve të qumështit mund të ketë madje edhe pasoja vdekjeprurëse. Por në prezantimin zyrtar të raportit, shefi i Zyrës për lidhje mes BE-së dhe Kosovës, Chritoph Stoch tha se në këtë raport nuk thuhet se ushqimet që përdoren në Kosovë janë të kontaminuara. Ai nuk mund të saktësojë nëse prodhimet e ndotura dhe të helmuara me metale të rënda janë tani në shitje. Por shtoi se Komisioni Evropian është i gatshëm të mbështesë projektet për hulumtimet e mëtejshme lidhur me gjendjen reale në Kosovë.

Këshilli i Evropës

Këshilli jep vlerësime negative...

Pohimet nga raporti janë të tepruara

Zëvendësministri për Ambjentin Ilir Mirena pohon se janë tepruar pa nevojë dhe janë të pabaza konstatimet për helmimin apo ndotjen alarmante të tokës si dhe për mundësinë e vdekjes së personave që përdorin këto ushqime. Në një deklaratë për Deutsche Welle-n ai thotë se qytetarët dhe prodhuesit e pemëve dhe perimeve nuk duhet të shqetësohen. Mirena pohon se në raportin e KE nuk është sqaruar pse në disa vende niveli i mineraleve në tokë është më i lartë se sa lejohet, e në disa vende tjera jo.

„Ata kanë harruar të theksojnë se Kosova është një vend i pasur me minerale dhe se ka pasuri të shumta nëntokësore. Kjo me siguri manifestohet edhe në rezulatet e gjetura në sipërfaqe të tokës. Do të thotë, banorët që kanë jetuar në Kosovë me shekuj kanë shfrytëzuar këto prodhime dhe këto minerale kanë qenë në sipërfaqe me shekuj të tërë", pohon Mirena.

Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj për Deutsche Welle-n pohon se raporti nuk paraqet gjendjen reale në terren, sepse nuk janë bërë hulumtime të mjaftueshme.

Obiliqi

Ndotja lart, minerale poshtë.

"Prej 1000 mostrave, vetëm 123 kanë rezultuar me efekte negative. Sipas raportit, në to ka pasur më së shumti krom. Analizat kimike që janë bërë në Gjermani tregojnë se vetëm në 50 % të këtyre 123 mostrave është konstatuar prani më e lartë e metaleve nga sa lejohet. Kur llogarisim të gjitha këto del se vetëm 6 % e mostrave të përgjithshme kanë pasur metale në një nivel më të lartë nga sa lejohet", pohon ai.

Toka kosovare është e një cilësie të lartë

Behrami pohon se nuk ka vend për shqetësim, sepse kështu thuhet edhe në përfundimet e raportit. Në raport thuhet se toka kosovare është ndër më të mirat në rajon, pasi 80 % e tokës është radhitur në klasën 1 deri në 4 të cilësisë së tokës. Kjo do të thotë se kjo tokë ka aftësi të absorbojë ndotjet, që do të thotë se kufizon edhe mundësinë e helmimit të ushqimeve. Zëdhënësi Behramaj megjithatë sugjeron që ministria e tij dhe të gjitha institucionet relevante të fillojnë menjëherë me mbikqyrjen dhe hulumtimet e detajuara për të konstatuar nivelin e ndotjes së tokës pjellore në Kosovë.

Autor: Zylfija Jakupi/Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani