1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

A e kërcënon euron dështimi? - Kërkimi për recetat e shpëtimit vazhdon

Ministrat e financave të BE-së e miratuan ndihmën miliardëshe për Irlandën. Kësisoj pas Greqisë u shmang falimentimi i dytë shtetëror brenda eurozonës. Tregjet spekulojnë tashmë për Portugalinë e Spanjën. Ç'dotë bëhet?

default

Spekuluesit në tregjet financiare vënë baste kundër euros dhe vënë nën trysni njërin pas tjetrit shtetet e eurozonës. Kështu shpjegohet shpesh prej politikanëve kriza, që sikur nuk do të marrë fund. Markus Kerber, studiues financiar në Universitetin Teknik të Berlinit, mendon ndryshe.

"U jam tejet mirënjohës tregjeve, që pasi vendet e eurozonës pranuan në bashkimin monetar pa të drejtë një vend kaq të papërshtatshëm si Greqia, treguan se ky vend ka, pati dhe me gjasa do të ketë një barrë të papërballueshme huash. E vetmja mundësi është riafatizimi i huave."

Prof. Markus Kerber

Prof. Markus Kerber

Ndihma e BE-së nuk ndikoi në ekonominë greke

Kur Greqia ishte në pranverë me shpatulla pas murit duhet t'i ishte dhënë një pagesë e jashtëzakonshme, që të largohej nga eurozona, mendon Kerber.

Siç dihet, gjërat ndodhën ndryshe. Në maj BE-ja dhe FMN-ja e ndihmuan Greqinë me kredi prej 110 miliardë eurosh. Për këtë grekëve iu desh të pranonin rritje taksash dhe shkurtime pagash. Si pasojë e politikës së kursimit vendi evropianojugor ka rrëshqitur sërish në recesion. Në tremujorin e tretë kapaciteti ekonomik ra në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar me 4,5 për qind.

Për këtë arsye Norbert Braems, kryemakroekonomist i Bankës Sal. Oppenheim kërkon të përgatitet një program koniunkturor për vendet në krizë. "Ne besojmë, që pa rritje problemet ekonomike janë të pazgjidhshme. Dhe po të konsolidosh tepër fort, siç janë të detyruara të bëjnë vendet, kjo do të ketë humbje mjaft të theksuara në rritjen ekonomike. Prandaj, duhet të bëhen përpjekje, që këto humbje në rritje të kompensohen në njëfarë mënyre."

Obligacionet e përbashkëta - rreziqet e të gjithëve

Për të eliminuar mosbesimin e tregjeve gjithmonë e më shumë politikanë, para së gjithash nga vendet jugore, kërkojnë emetimin e obligacioneve të përbashkëta në euro. Obligacionet emetohen nga një agjenci evropiane huash, e cila ende duhet të ngrihet. Për to garantojnë të gjitha vendet e eurozonës së bashku.

Treffen der EU-Finanzminister NO FLASH

Jean Claude Trichet, shef i eurogrupit kërkon emetimin e obligacioneve të përbashkëta

Në këtë mënyrë vendet në krizë mund të vazhdonin të merrnin kapital të freskët me kushte relativisht të favorshme. Mbështetësi i tyre më i njohur është kryeministri luksemburgas dhe shefi i eurogrupit Jean-Claude Juncker.

Eksperti financiar Markus Kerber është i indinjuar: "Zoti Juncker flet vetëm për veten e tij, megjithëse si shef i eurogrupit, pra i një institucioni, duhet të tregonte njëfarë rezervimi, përmbajtjeje. Për obligacionet në euro nuk ka kurrfarë baze kontraktuese, përkundrazi, klauzola e shpëtimit e ndalon marrjen e përbashkët të përgjegjësive për rreziqe të ndryshme."

Nga përgjegjësia e përbashkët ka frikë deri tani edhe qeveria gjermane. Për këtë e sulmon ashpër ideatori Jean-Claude Juncker. Qeveria gjermane është sjellë në mënyrë joevropiane; kjo është akuza e tij. Trysnia mbi Gjermaninë po rritet.

Autor: Zhang Danhong/Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 17.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Qe4n
  • Data 17.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Qe4n