1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

A duhet të ndryshohet Kushtetuta e Serbisë?

Të enjten (8.11.2012) u mbushën 6 vjet nga futja në fuqi e Kushtetutës së Serbisë. Por ekspertët thonë se ky dokument ka komplikuar shumë jetën politike në Serbi dhe se po e pengon afrimin e Serbisë me BE-në.

Parlamenti Serbisë.

Parlamenti Serbisë

Ekspertët rikujtojnë se Kushtetuta e tanishme e Serbisë është hartuar dhe miratuar pa ndonjë debat të hapur publik. Madje edhe shumë deputetë e kanë parë Kushtetutën për herë të parë vetëm gjysmë ore para miratimit të saj në parlament.

I pazakonshëm ishte edhe referendumi për Kushtetutën, sepse ai ka zgjatur dy ditë. Edhe pjesëmarrja ishte kontestuese. Pas dy ditë votimesh u kumtua se për Kushtetutën e re ka votuar shumica e duhur, pra më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote (53 %). Por në Vojvodinë kanë votuar më pak se gjysma, më saktësisht 44 %.

Kushtetuta si gjenerator i krizave politike

Dy ditë votime në referendum.

Dy ditë votime në referendum.


Profesorja për të drejtën kushtetuese, Marijana Pajvançiq pohon se Kushtetuta e tanishme e Serbisë ka shkaktuar shumë kriza politike. Vetë mënyra e nxjerrjes së kësaj Kushtetute ka qenë e kontestueshme, sepse miratimi i saj ishte pasojë e marrëveshjeve politike dhe jo një dokument i hartuar mbi baza e një debati të gjërë në opinion.

"Kjo Kushtetutë nuk e ka larguar sistemin e një shteti partiak. Përkundrazi, mosmarrëveshjet që do të duhej të zgjidhen në nivelin e drejtësisë, zgjidhen në planin politik që pamundëson sundimin e ligjit", pohon ajo. Një barrë tjetër e kësaj Kushtetute është, sipas Marijana Pajvançiqit, edhe mungesa e garancive për pavarësinë e organeve juridike.

"Organet juridike nuk janë të pavarura dhe autonome. Pra me Kushtetutë nuk sigurohet paanshmëria e gjykatave. Qytetarëve nuk u garantohen të gjitha të drejtat", pohon profesorja.
Ajo shton se Kushtetuta nuk mund të konsiderohet si demokratike, jo vetëm për shkak të mënyrës se si është nxjerrë por edhe për shkak të asaj që shkruan në këtë dokument. "Nuk mund të thuash se ky është një dokument demokratik", pohon Pajvançiq.

Lëshime të shumta

Drejtori i Komisionit të Juristëve për të Drejtat e Njeriut, Millan Antonijeviq thotë për Deutsche Wellen se Kushtetuta e Serbisë nuk është në përputhje me kohën e tanishme, sepse nuk është në harmoni me dokumentet e Bashkimit Evropian.

„Ky dokument duhet të jetë më bashkëkohor. Duhet bërë ndryshime të cilat mundësojnë integrimet evropiane dhe duhet përmirësuar normat ligjore që flasin për të drejtat e njeriut dhe për autonominë e Vojvodinës", pohon Antonijeviq.
Kushtetuta e vitit 2006, sipas tij, është nxjerrë me qëllim që gjoja të ruaj Kosovën brenda Serbisë.

"Por është dëshmuar se ky është më shumë një dokument programor, kur bëhet fjalë për Kosovën. Për shkak të shpejtësisë së miratimit të saj, Kushtetuta ka mangësi të shumta, të cilat kanë kritikuar edhe Komisioni i Venedikut, ekspertët dhe shoqëria civile në Serbi", thekson ai.
 

Autonomia e paqenë e Vojvodinës

Parlamenti i Vojvodinës

Parlamenti i Vojvodinës (nuk) ka të drejtat e veta.


 

Drejtori i Qendrës për Rajonalizim, Aleksandar Popov thotë se tani është bërë shumë e qartë se autonomia e Vojvodinës në fakt nuk ekziston.

„Kushtetuta është një dokument që forcon pushtetin qendror, sepse për Vojvodinën parashikohet vetëm një mundësi e vërtetë: që të ketë flamurin dhe stemën e saj. Të gjitha mundësitë e tjera i mbeten Serbisë", pohon Popov.
Kushtetuta e Serbisë lejon dhe krijimin e krahinave të tjera në Serbi. Por procedura nuk definohet si duhet. "Sa i përket decentralizimit, kjo Kushtetë është e ngjashme me atë të Millosheviqit të vitit 1990“, shton ai.
Ekspertët mendojnë se ka ardhur koha që të niset një debat i gjërë publik për ndryshimin e Kushtetutës. Në këtë dokument duhet të theksohet edhe orientimi drejt Bashkimit Evropian, në qoftë se Serbia me të vërtetë do të bëhet pjesë e familjes evropiane.