1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"A duhet pranuar një nuse e sëmurë?" - Estonia hyn në zonën e euros

Nga 1 janari Estonia është pjesëtare e eurozonës. Vendi me 1.3 milionë banorë është anëtari i 17-të i eurozonës. Një pjesë e estonezëve mendojnë se euroja do ta bëjë gjithçka më të shtrenjtë.

Poster në Talin, Estoni për futjen së shpejti të euros.

Poster në Talin, Estoni për futjen së shpejti të euros.

Kursi i këmbimit 15 korona estoneze 1 euro. Deri tani në Estoni kishte në përdorim thuajse vetëm kartmonedha. Tani estonezëve do t'u duhet të mësohen edhe me monedhat e euros. Këmbimi i koronave estoneze me qeset me monedhat e euros ka filluar.

Evelyn Tamm, studente nga Talini vështron me kujdes monedhat e reja dhe thotë: "Për mua dhe të tjerë do të jetë e vështirë të mësohemi me paratë e reja. Për 15 korona tani kemi në duar një euro dhe gjithë këto cent. Në fillim është e vështirë ta llogarisësh vlerën e vërtetë të parasë.!"

Ministri estonez i Financave, Jürgen Ligi.

Ministri estonez i Financave, Jürgen Ligi.

Ministri estonez i Financave, Jürgen Ligi, thekson:

"Estonezët paguajnë më tepër me karta krediti dhe karta bankare dhe kjo prirje vazhdon."

Për këtë arsye sipas tij estonezët do të heqin shpejt dorë prej llogarive se sa korona bëjnë sa euro.

Shpresa për më shumë investime pas futjes së euros

Estonia bëhet anëtare e eurozonës në momentin e krizës më të rëndë të monedhës së përbashkët, por sipas kryeministrit të vendit Andrus Ansip, euroja do të forcojë besimin e investitorëve tek Estonia, sepse dëshmon se vendi ka punuar mirë për të përmbushur kriteret e forta të euros.

Ndryshe nga shumë vende të tjera të BE-së, Estonia nuk ka probleme me borxhet. Borxhi publik përbën vetëm 7,2% të prodhimit bruto të vendit. Kjo është edhe kuota më e ulët në të gjithë Evropën. Pas një rënieje dramatike për shkak të krizës, ekonomia estoneze po shënon sërish rritje.

Anti Poolamets, jurist dhe historian organizon fushatë kundër futjes së euros në Estoni.

Anti Poolamets, jurist dhe historian organizon fushatë kundër futjes së euros në Estoni.

Në vend ka edhe një lëvizje të fortë kundër euros

Në krye të saj është Anti Poolamets, jurist dhe historian. Sipas tij korona është edhe simbol i pavarësisë së vendit, i shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik dhe zona e detyruar e rublës:

"Ne quajmë euron edhe rubla evropiane, sepse ideologjia 'një monedhë është e përshtatshme për të gjithë' na kujton së tepërmi kohët e Bashkimit Sovjetik."

Anti Poolaments mendon, se me euron Estonia do t'u bindet pa një pa dy vendimeve të Brukselit. Sipas anketimeve të këtij mendimi janë edhe shumica e estonezëve.

Ministri estnonez i Financave, Jürgen Ligi, mendon se problem për eurozonën nuk është monedha e përbashkët, por drejtimi i keq ekonomik në vende të tilla si Greqia, Irlanda opo Portugalia. Ai mendon se euroja do të jetë për shumë kohë monedha e Estonisë.

Autor: Bernd Riegert / Pandeli Pani

Redaktoi: Eliana Xhani